Nga 24 deri më 27 maj, 56 pjesëtarë të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) u trajnuan mbi zbatimin e planeve të dënimeve për të burgosurit nga dy ekspertë finlandezë korrektues gjatë një punëtorie të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Planet e dënimeve përshkruajnë aktivitetet që çdo i burgosur duhet t’i kryejë gjatë vuajtjes së dënimit të tij/saj. Në bazë të vlerësimit të nevojave të burgosurve dhe rreziqeve të ndërlidhura këto plane përgatiten në bashkëpunim të ngushtë me vet të burgosurit. Si një mjet thelbësor për promovimin e rehabilitimit të burgosurve, këto plane ndihmojnë në parandalimin e përsëritjes së veprës dhe e mbështesin ri-integrimin e suksesshëm të burgosurve në komunitetet lokale të tyre, e cila është thelbësore për mbrojtjen e qytetarëve.
Udhëheqësi i pilot projektit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve (NJVKB), Jaha Zaneli, e shpjegoi funksionimin aktual të procesit të planifikimit të dënimit në SHKK, duke theksuar nevojën e angazhimit aktiv dhe të vazhdueshëm të burgosurve në rrugëtimin e tyre personal drejt ndryshimit. Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e përfshirjes së punonjësve socialë, zyrtarëve korrektues, punonjësve shëndetësorë dhe psikologëve në këtë proces.
Gjatë diskutimeve për rëndësinë e planeve të dënimit, Udhëheqësja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha: “Ky plan mundëson procesin e rehabilitimit të të burgosurit: çka edhe është qëllimi përfundimtar i çdo dënimi me burg. Përvoja ka treguar se të burgosurit që ndjekin plane dënimi të individualizuara marrin mundësi më të mira për punësim dhe bëhen qytetarë që e respektojnë ligjin pas lirimit të tyre.” Vahakoski theksoi se EULEX-i pret që NJVKB të bëhet plotësisht funksionale pasi Ligji i ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të votohet në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit mësuan më shumë për procedurën funksionale të vlerësimit në shërbimin korrektues finlandez dhe të standardeve të BE-së në këtë fushë, formën e aktiviteteve të përshtatshme që mund të integrohen në planet e dënimeve, nevojën për vlerësim dhe rishikim të planeve të dënimit gjatë gjithë dënimit, si dhe për nevojën për integrimin e masave të sigurisë dhe parrezikshmërisë të nevojshme për ta bërë kohën e burgimit të sigurt për të burgosurit dhe të tjerët.
Naime Redenica Bellaqa, vijuese e trajnimit dhe punonjëse sociale në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, shprehu bindjen se ky trajnim do ta ndihmojë atë dukshëm për planifikimin e dënimeve: “Bazuar në përvojën time personale, planifikimi i dënimeve është shumë i rëndësishëm sepse identifikon nevojat konkrete të burgosurve duke na mundësuar neve intervenimin në fushat që janë më të nevojshme dhe duke lehtësuar ri-integrimin e tyre në shoqëri. Një shembull shumë konkret janë rastet kur ne u kemi ndihmuar të burgosurve të ndërgjegjësohen për krimin që kanë kryer: një hap kyç drejt rehabilitimit të tyre”.
EULEX-i është duke e ndihmuar SHKK-në në mënyrë aktive për zhvillimin e procedurave të planifikimit të dënimeve. Në maj të vitit 2017, ky Mision e organizoi një trajnim për 20 zyrtarë të SHKK-së mbi vlerësimin dhe kategorizimin e të burgosurve. Në vitin 2018, SHKK ka iniciuar pilot projektin e NJVKB-së, me mbështetjen e EULEX-it. Në tetor 2019, EULEX-i e organizoi një vizitë studimore në Finlandë me qëllim njoftimin e zyrtarëve të SHKK-së me procesin e kryerjes së vlerësimit të rrezikut dhe nevojave si dhe krijimin e planeve të dënimeve./arbresh.info/
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...