Komisioni për verifikimin e dhunës seksuale dhe organizatat joqeveritare, po garantojnë një proces transparent dhe pa manipulime të dhunës seksuale gjatë luftës. Ky komision, ka gjetur se 103 gra kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme për këtë status. 143 grave, tashmë u është pranuar statusi. 500 raste tjera janë duke u shqyrtuar. Ndonëse besohet se mbi 20 mijë gra dhe vajza janë dhunuar gjatë luftës, deri tash nuk kanë aplikuar më shumë se 700 viktima për këtë status të garantuar me ligj.
Refuzohen 103 aplikime për status të viktimave të dhunës seksuale
Komisioni për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale, ua ka refuzuar statusin 103 grave të dhunuara gjatë luftës, me arsyetimin se nuk i kanë kompletuar dokumentet.
143 grave tashmë u është dhënë statusi i viktimës së dhunës seksuale, derisa mbi 500 raste tjera janë duke u shqyrtuar.
Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e viktimave të dhunës seksuale, Minire Begaj, ka thënë për Insajderin se aplikueset e refuzuara kanë të drejtë ankese.
Begaj, ka thënë se gjasat për manipulim në këtë proces janë të vogla.
“Mënyra e aplikimit dhe e legjislacionit po e forcon punën e Komisionit dhe po e bën më të vogël mundësinë për manipulim. Gjasat janë të vogla për keqpërdorim a diçka, por ne si komision i shqyrtojmë të gjitha aplikacionet e pranuara”, ka deklaruar ajo.
“E kemi refuzuar këtë numër por që pala e ka të drejtën e rishqyrtimit të kërkesës prapë në Komision.
Begaj bëri të ditur se nëse dokumentet nuk e dëshmojnë mjaftueshëm dhunimin seksual, aplikuesja thirret edhe në intervistë me gojë.
“I gjithë komisioni është bërë me njohës të fushave, ekspertë dhe jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Kur vendosim me refuzu apo me e pranu e bëjmë në bazë të dokumenteve mbështetëse, rrëfimit të viktimës, apo ndonjë dëshmitar. Nëse dokumenti nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm që e ka dhënë atëherë ne e ftojmë në një intervistë me gojë. Dhe intervista me gojë po na jep një lloj sigurie”, ka treguar Minire Begaj.
Ndërkohë, që po vazhdon procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale, një proces gjyqësor pritet të nis për manipulime me statusin e veteranëve të UÇK-së. Deri tash, pretendohet se mbi 20 mijë veteranë janë të rrejshëm. Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër anëtarëve të Komisionit Qeveritar, në krye me Agim Çekun.
Në këtë proces, komisioni po bashkëpunon me katër organizata: Medica Kosova, Medica Gjakova, Qendra për promovimin e të drejtave të grave dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka treguar për Insajderin në detaje mënyrën e aplikimit.
Rushiti ka thënë se mënyra e rrëfimit të krimeve seksuale, lë shumë pak mundësi për manipulime.
“Mënyrën se qysh është struktura për me apliku i jep hapësirë minimale me deviju procesi. Lypet rrëfimi i ngjarjes, lypet vendi ku ka ndodhë, lypen institucionet ku ka kërkuar ndihmë, kërkohet nëse kanë raportuar rast në Hagë, EULEX apo diçka e tillë. Nuk është sikur me kategoritë e tjera bllanko e ka marrë një vërtetim, nuk shkon ashtu. Procesi është i balancuar dhe mundësia për me deviju është minimale.
Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale, pritet të zgjasë pesë vjet. Gjatë kësaj kohe parashihet të shqyrtohen të gjitha rastet e aplikimit.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë kritikuar këtë afat, duke theksuar se krimet e luftës nuk parashkruhen.
“Afati ligjor është 5 vjet. Ky afat neve s’na ka pëlqy, pasi krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe e drejta nuk është dashur të afatizohet. Por nëse ka raste ma shumë duhet me mendu edhe me avoku edhe një kohë që mu shtu”, ka thënë Rushiti për Insajderin.
Kryetarja e Komisionit dhe organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje te të gjitha viktimat, që të mos hezitojnë të aplikojnë.
Ato kanë garantuar se i gjithë procesi do të jetë në konfidencialitet të plotë.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit