Google ADS

Reformë zgjedhore as para zgjedhjeve të ardhshme, s’ka vullnet politik

07:10 | 22 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Që nga viti 2011 reforma zgjedhore në vend vazhdon të jetë temë diskutimi për subjektet politike e po ashtu edhe për presidentin e vendit, shkruan arbresh.info.

Iniciativa për reformë zgjedhore ka filluar pikërisht në kohën kur ambasador i ShBA-së, në vitin 2011  ishte Christofer Dell ku edhe u nënshkrua një marrëveshje në mes tij, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, pikërisht për këtë çështje.

Por, sot e asaj dite edhe pse një reforme zgjedhore  po kërkohet një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Fillimin e reformës zgjedhore ditë më parë e ka kërkuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka. Ajo ka thënë se kjo gjë duhet të ndodhë në momentin që të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, për shkak se në vazhdimësi po vërehen mangësi dhe probleme të ndryshme.

 “Reforma zgjedhore neve na pret. Shfrytëzoj rastin që këtu e kemi edhe presidentin e Republikës së Kosovës. Kërkoj në një farë mënyrë në emër të KQZ që reforma zgjedhore të fillojë në momentin që të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve lokale. Në zgjedhjet e fundit nacionale dhe lokale kemi vërejtur shumë mangësi dhe shumë vërejtje dhe problemet që janë shfaqur. Prandaj të gjitha institucionet duhet ta kenë këtë parasysh, edhe Presidenti dhe të inicojnë reformën zgjedhore”, ka thënë Daka.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, ka thënë për arbresh.info se reforma zgjedhore është e nevojshme që një kohë të gjatë, deri sa vlerëson se iniciativa e presidentit ka qenë vetëm për konsum publik.

“Padyshim që reforma zgjedhore ka qenë e nevojshme moti , ndërsa iniciativa e presidentit ka qenë vetëm sa për konsum publik , sa me thënë kinse po e marrë iniciativën mirëpo puna nuk është zhvillu dhe dhe nuk ec asgjë përpra, edhe pse është kriju një grup punues  për me fillu reformën zgjedhore dhe nuk ka ndodhë asgjë, dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë tutje”, ka thënë ai.

Sipas tij, fillimin e reformës zgjedhore e ka kërkuar edhe KZQ-ja, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në mënyrë që kurdo që do të mbahen të jenë më lehtë të menaxhueshme.

Demhasaj, ka shtuar se nuk është e pritshme që një reformë e tillë të ndodhë para zgjedhjeve të ardhshme.

“Jo është shumë problem me prit që ka me ndodhë kjo sepse një reformë e tillë merr shumë kohë për shkak që për me ndodhë ajo reformë nevojitet një konsensus i të gjitha partive politike sepse mbi të gjitha ndoshta nuk mund të konsiderohet Kosova më si një zonë zgjedhore por të ndahet në disa zona zgjedhore , pastaj është e qartë se mund të ketë ndoshta ndryshime sa i përket listave të hapura apo të mbyllura, pastaj është çështja që të mos ketë mundësi të votohet për pesë kandidatë por të votohet një kandidat, pra janë disa çështje që janë përmend sa i përket reformës zgjedhore e për të cilat nevojitet një konsensus politik. Duke e ditur se sa e vështirë është që të mbërrihet një konsensus politik në Kosovë atëherë është vështirë që me prit që kjo reformë me ndodhë shumë shpejtë”, ka pohuar Demhasaj për arbresh.info.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovë. Sipas tij,

“Ne vazhdimisht kemi qenë dhe çdo herë kemi diskutu për çështje specifike të cilat do të duhej të adresohen dhe të ndryshohen me reformën zgjedhore , mirëpo realisht ky proces ka mbetur si duket edhe i një mungese të vullnetit politik dhe subjekteve politike. Po presim që subjektet politike të tregojnë më shumë vullnet , por edhe gatishmëri për t’u marrë me reformë zgjedhore”, ka deklaruar Murati.

Murati, konsideron se pavarësisht mbajtjes së zgjedhjeve qofshin të rregullta apo edhe të parakohshme është jetike që reforma të ndodhë para kësaj.

“Mendoj që është jetike që reforma zgjedhore të përfundohet deri në atë moment , mirëpo nëse veç do të kemi zgjedhje të parakohshme është normalisht diçka e paparashikueshme mirëpo konsideroj se një reformë zgjedhore është e nevojshme në mënyrë që zgjedhjet të bëhen edhe më të mira. Kosova në vitet e fundit i ka disa procese zgjedHore shumë të mira jo me probleme të mëdha, mirëpo janë probleme të cilat po përsëriten dhe këto duhet të adresohen me seriozitet nga KQZ-ja dhe palët tjera”, ka thënë ai.

Pragu i kalueshmërisë për parti politike për t’u bërë pjesë e Kuvendit është 5 për qind, ai për koalicione 7.5, kurse për kandidatë të pavarur 2.5 për qind./J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme