Në Kosovë ende mungon një reformë zgjedhore edhe pse një e tillë është tentuar që të bëhet kohë më parë.
Ishte Presidenti Hashim Thaçi i cili gjatë vitit 2016 pati nisur takimet me partitë politike për reformën zgjedhore, por kjo nismë e tij mbeti pezull.
Mungesa e një reforme zgjedhore, sipas ekspertëve, do të sjellë përsëri situata të paqarta të sistemit zgjedhor.Ata thonë se parregullsitë që e përcjellën procesin e fundit zgjedhor në Kosovë, treguan për domosdoshmërinë dhe nevojën e zbatimit të reformës zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vlerësuar për organizim të mirë të zgjedhjeve, por stërzgjatja e këtij procesi me rinumërim të vendvotimeve pjesa më e madhe e të cilave pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta.Në institucionin që merret me organizimin e zgjedhjeve, në KQZ për Ekonomia Online, reformën zgjedhore e shohin të nevojshme, por siç thotë zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi nuk e dinë nëse këtë vit do të fillojë reforma zgjedhore pasi kjo nuk varet nga ta.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të jap një përgjigje nëse këtë vit do të ketë reformë zgjedhore pasi kjo nuk varet nga KQZ-ja. Ajo çka mund të themi është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e sheh të nevojshme reformën zgjedhore, çka nënkupton përmirësimin e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve”.
“Sigurisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i cili ka për detyrë kryesore zbatimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjit për zgjedhjet lokale, është i gatshëm për të dhënë kontributin e vet profesional që do t’i shërbente proceseve të ardhshme zgjedhore”.
Sipas Elezit, KQZ-ja është e gatshme për të ofruar opsionet e veta për aspektet teknike të procesit zgjedhor të cilat duhet të përmirësohen.
“Në kohën kur do të kemi reformë zgjedhore KQZ-ja do të paraqesë këndvështrimet dhe opsionet veta lidhur me aspektet teknike të procesit zgjedhor, të cilat besojmë se duhet të përmirësohen. KQZ-ja organizon zgjedhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjin për zgjedhjet lokale të miratuara në vitin 2008 dhe gjatë kësaj kohë më shumë se një dekadëshe KQZ-ja është ballafaquar me shumë sfida nëpër procese të ndryshme zgjedhore”.
“Sa për rikujtim, në kohën kur kishte filluar procesi i reformës zgjedhore, KQZ-ja kishte hartuar disa rekomandime për ndryshimin e ligjit dhe të njëjtat janë përcjellur tek komisioni përkatës. Që nga ajo kohë janë organizuar edhe disa procese tjera zgjedhore, prandaj edhe mund të bëjmë përditësimin e atyre rekomandimeve”.
Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu në një prononcim për Ekonomia Online tha se reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i qeverisë në ardhje, por duke mos lënë anash opozitën.
“Ndër prioritetet e para do të duhej pikërisht të ishte një dakordim i qeverisë së ardhshme me opozitën sepse pa dakordim me opozitën nuk mund të bëhet asgjë e mirëfilltë dhe e pranueshme dhe të fillohet menjëherë të bëhet reforma zgjedhore dhe të punohet në kodin zgjedhor sepse Kosovës i duhet një kod zgjedhor ku do të përfshiheshin edhe dispozitat e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ligji për zgjedhjet lokale, ligji për financimin e subjekteve politike dhe rregullave zgjedhore që janë të shumta dhe janë edhe ato një barrë e rëndë sepse hera herës interpretohen në mënyra të ndryshme dhe kontradiktore dhe do të duhej në një kod zgjedhor të punohet intensivisht sikur zgjedhjet të ishin pas 2-3 muajsh”.
“Ka shumë gjëra në fakt që duhet ti nënshtrohet reformës zgjedhore. I gjithë legjislacioni që përmenda më sipër duhet të rishkruhet sepse ligji për zgjedhjet e përgjithshme është vërtetuar edhe në zgjedhjet e fundit së është jo funksional dhe është i dëmshëm dhe me pasoja”, tha Baraliu për Ekonomia Online.
Baraliu tha se duhet të spastrohen listat zgjedhore dhe duhet të ndryshohet votimi me kusht.
“Pastaj janë zonat zgjedhore është pragu zgjedhor dhe sistemi i tillë proporcional me lista të hapura apo sistem me lista të mbyllura dhe do të duhej diskutuar apo të kishte analiza dhe debat publik nga shoqëria dhe institucionet e vendit në mënyrë që të ndryshohet votimi me kusht, spastrimi i listës një mekanizëm duhet të gjetur një instrument që të spastrohet lista nga personat që nuk kanë të drejtë vote”.
Sipas tij, reforma zgjedhore do të duhej të ndodhte para shumë viteve sepse është bërë një trashëgimi ligjore dhe pa analiza të shumta.
“Reforma zgjedhore ka qenë e nevojshme që shumë vite sepse kemi një trashëgimi ligjore pra të një legjislacioni të UNMIK-ut i cili është marrë pa shumë analiza që i kërkojnë rrethanat e vendit dhe kemi një legjislacion të pa kompletuar të mangët kontradiktor dhe të dëmshëm”.
“Është bërë më herët përpjekje përmes një komisioni që të bëjë reformë zgjedhore mirëpo nuk u pranua në propozimet që ishin të formuluara mirë edhe nga ekspertët vendor e ndërkombëtar e KQZ-ja dhe dhanë ndihmën e tyre të gjithë për ta bërë reformën zgjedhore mirëpo nuk u përqafuan nga partitë politike”, thotë ai.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës