Kosova vendi me 6 Universitete Publike në 6 rajonet e saj, e me pak cilësi, u rendit e fundit në testin PISA me nivelin më të dobët arsimor.
Shkolla me bollëk, Universitete po ashtu, atëherë ,cili është problemi që vendi ka këtë nivel të dobët ta arsimit?
Por, duket se gjërat do të reduktohen dhe gjërat do të kenë fokusin tek cilësia jo objektet. Kjo pasi që Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ditë më parë në një deklaratë për media ka thënë se do të shikohet mundësia e ridizajnimit të universiteteve publike.
Sipas tij, universitetet në rajonet tjera, përveç atij të Prishtinës, mund të shndërrohen në fakultete të profilizuara me nevojat e rajoneve ku ndodhen. Ai ka theksuar se do të formohet një komision për të vlerësuar gjendjen e universiteteve publike, ku sipas tij do të dalë me një raport, i cili do të tregojë qëndrueshmërinë e tyre.
“Ne do të kemi një grup punues, një komision, që të vlerësojë gjendjen e këtyre universiteteve. Ajo çka ne kemi thënë është se universitetet publike nuk mund të jenë nën Universitetin e Prishtinës. Pra, nga ana e cilësisë dhe menaxhimit, minimumi duhet të jenë në nivel të barabartë me UP-në. Jemi të interesuar që nëse këto universitete publike nuk kanë qëndrueshmëri të cilësisë së arsimit, t’i kthejmë në dy universitete publike, pra të kalohet në kampuse të universiteteve qendrore. Konsideroj që do të jetë e mjaftueshme që Kosova t’i ketë dy universitete publike”, pati thënë Bytyqi.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se duhen ndryshime dhe riorganizim të arsimit në Kosovë.
“Se duhen ndryshime, se duhet riorganizim në arsim unë pajtohem plotësisht por, riorganizimi nuk duhet bërë vetëm ashtu por të shihet me të vërtetë se çka po ofron, cilat janë projektet e Ministrisë. Së pari para se të ndërmerret një hap i tillë Ministria duhet të dal me një studim se sa po e kryejnë punën si duhet universitetet e formuara viteve të fundit dhe se cilat do të ishin efektet nëse këto universitete shndërrohen në dy universitete siç ka thënë ai. Duhet të shihet konkretisht projektin ku sigurisht Ministria apo Qeveria del konkretisht me një projekt”, ka thënë ai.
Sipas Kurteshit këto universitete nuk po funksionojnë si duhet.
“Mendoj që ka nevojë dhe ka hapësirë për ta bërë një analizë të tillë sepse bazuar nga të dhënat që i kemi gjatë kësaj kohe sa janë nuk është se po funksionojnë si duhet dhe se kanë kushtet e duhura. Këto universitete janë bërë në kohë të fushatave zgjedhore dhe nuk kanë ofruar asgjë më shumë tek studentet përveç që kanë rritur stafin administrativ, më shumë sekretaresha, më shumë asistentë, më shumë vetura. Por kur ka ardhur puna te cilësia dhe te kushtet e mësimit të studentëve kanë mbetur të njëjtat madje diku janë degraduar. Duhet të shihet konkretisht projektin ku sigurisht Ministria apo Qeveria del konkretisht me një projekt”, ka thënë ai.
Kryetari i Asociacionit për Arsim dhe Aftësim Profesional i Republikës së Kosovës, Shkelzim Murtezi në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se në parim mirëpritet interesimi i ministrit Bytyqi, për të bërë verifikimin e cilësisë dhe qëndrueshmerisë së universiteteve publike.
“Mungesa e cilësisë apo mungesa e qëndrueshmërisë qëndron më shumë mbi faktin se profesorët ligjerojnë kundërligjshëm në shumë universitete në të njejtën kohë, gjë që realisht në ligjerata përfaqësohen vetëm nga asistentet e tyre, andaj ministri duhet që më parë të bëjë verifikimin e profesorëve që nuk japin ligjerat por dergojnë vetëm asistentin e tyre në ligjerata, pastaj të ndërmerr masa ndaj menaxhmentit për menaxhimin e dobët”, ka thënë ai.
Murtezi ka folur edhe për synimin që të plotësohen nevojat e tregut të punës në rajonet përkatëse.
“Nëse flasim për nevoja të industrisë atëherë duhet të investojmë më shumë në shkollat profesionale dhe të bëjmë më shumë profilizimin e shkollave profesionale sipas nevojave të tregut të punës së sa të bëjmë profilizimin e profesioneve akademike që përbëjnë prapë se prapë vetëm një pjesë shumë të vogel të nevojave rajonale”, ka thënë ai duke i bërë thirrje ministrit Bytyqi për akreditim të universiteteve publike.
“Asociacioni për mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës i bën thirrje ministrit në fjalë, që urgjentisht të bëjë akreditimin retroaktiv të disa universiteteve publike, të cilat kanë lëshuar diploma edhe pse ato nuk nijhen nga vetë Ministria e Arsimit, e si pasojë kanë ngelur shumë student me diploma të pavlefshme, ngase nuk nijhen nga vetë shteti që i ka lëshuar, e ky është njëkohësisht një shembull i keqmenaxhimit”, përfundoi ai.
Dukagjin Pupovci, analisti i çështjeve të arsimit ka thënë për portalin Arbresh.info se duhet të bëhet diçka që të racionalizohet rrjeti i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.
“Analizat e fundit tregojnë se Kosova zë vendin e tetë në botë dhe të pestin në Evropë përkrah pjesëmarrja në arsimin e lartë. Pra, kemi numër studentësh të cilin sistemi i arsimit të lartë, me mundësitë kuadrovike dhe financiare që ka, nuk mund ta absorbojë dhe, njëkohësisht, të prodhojë cilësi. Prandaj, duhet të bëhet diçka që të racionalizohet rrjeti i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, në veçanti të atyre publike. Për shembull, në Kosovë funksionojnë 4 fakultete juridike në sektorin publik dhe shumë të tjera në sektorin privat, pavarësisht faktit se tanimë kemi hiperproduksion të juristëve”, ka thënë ai.
Pupovci tha se me zvogëlimin e numrit të programeve dhe imponimin e kritereve më rigoroze për akreditim, sipas tij do të përmirësohej edhe cilësia e ofertës.
“Në shumë fusha nuk ka kuadër akademik të kualifikuar, prandaj profesorët e njëjtë sillen në disa universitete të ndryshme. Janë gjithsej 344 programe të akredituara në institucionet e arsimit të lartë që është përtej mundësive që ka vendi. Besoj se me zvogëlimin e numrit të programeve dhe imponimin e kritereve më rigoroze për akreditim, do të përmirësohej edhe cilësia e ofertës. Nëse kjo punë fillohet nga institucionet publike do të jepej një shembull i mirë edhe për sektorin privat dhe do të ishte më lehtë që të ndërtohet një sistem i arsimit të lartë që nxjerr kuadro cilësore”, ka deklaruar Pupovci.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni ka thënë për Arbresh.info se një vendim i tillë i ministrit Bytyqi është i vonuar dhe se sipas tij kjo gjë mund vetëm ta fundos më shumë tani për tani arsimin në Kosovë.
“Është reagim i vonuar i Ministrit Bytyqi. Kjo nuk mund të ndodh pa turbulenca të mëdha dhe mendoj që nuk mund të ndryshojë gjenda në Kosovë dhe veprimet duke ndezur dhe fikur zjarre. Kjo mënyrë e veprimit të këtillë ad hoc të ministrit të tashëm dhe ministrave të mëparshëm, vetëm çka e rëndojnë situatën më shumë. Zgjidhja e problemit të arsimit të lartë kërkon një ekspertizë të hollësishme, të bazuar në parametra dhe tregues shkencor, çka është duke funksionuar dhe çka nuk funksionon. Atëherë mbi bazën e analizës së gjendjes dhe ekspertizës profesionale, mund të zgjidhen konkluzione shkencore për projektimet e ndryshimeve të ardhshme”, ka thënë ai.
Hyseni deklaratën e ministrit Bytyqi e ka krahasuar me arnat e thesin.
“Të gjitha këto veprime që tani po merren janë arnime dhe më nuk po dihet se ç’është thesi e çka janë arnat. Do të thotë veprimet e këtilla vetëm sa e fundosin sistemin e arsimit edhe më tutje në krizë edhe më të rëndë. Janë veprime të pamenduara sipërfaqësore dhe të rrezikshme, dhe të gjitha këto janë deklarime politike për të bërë diçka që de fakto produktet do të dalin edhe më keq sesa që janë”, theksoi ai duke shtuar se Kosova ka numrin më të madh të studentëve në Evropë.
Sipas tij, Kosova me 100 mijë banorë në Evropë ka numrin më të madh të analfabetëve funksional gjëra këto që janë paradokse kosovare që tregojnë se bartësit e hartimit të politikave nuk kanë kompetenca profesionale për t’i menaxhuar me sukses ndryshimet në arsim./Valdete Berisha/Arbresh.info
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...