Google ADS

Reduktimet e furnizimit me ujë varen nga reshjet

08:54 | 24 Shkurt 2020
Arbresh.info

Muajt e kaluar përgjithësi janë karakterizuar me mungesë të reshjeve atmosferike dhe thatësi.

E për pasojë kjo mund të sjell rrezikun për furnizim me ujë të pijshëm gjatë muajve të verës.

Kryeshefi ekzekutiv, i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se tashmë ka rënie të nivelit në dy liqenet, por që për momentin gjithçka është duke u monitoruar edhe sa i përket niveleve, por edhe furnizimit me ujë.

Abdullahu thotë se situata me reshje në këta muaj mund të ndryshojë pasi që mund të ketë edhe reshje.

“Ne kemi kalu me një mot pa reshje ose ato janë minimale të cilat nuk ndikojnë në ngritje të nivelit kështu që tashmë kemi rënie të niveleve diku -10.7 metra është nën kuotën maksimale në Liqenin e Batllavës dhe -10.5 në Liqenin e Badovcit, tani për tani jemi duke mbajtur furnizimin stabil duke pa që edhe situata me reshje në këta muaj mund të ndryshon mund të ketë reshje të cilat pastaj do ta jepnin një mundësi një furnizim stabil gjatë verës, mirëpo gjithçka është duke u monitoruar edhe sa i përket niveleve por edhe sa i përket furnizimit shpërndarjes jemi duke ofru furnizimin stabil”, ka thënë Abdullahu.

Sa i përket pjesës së reduktimeve ai ka thënë se kanë plan për reduktime, por që akoma nuk është futur në zbatim pasi që do të krijonte probleme tek konsumatorët dhe tek mirëmbajtja, por që e gjitha varet nga muajt e ardhshëm.

“Ajo çka është edhe pjesa e reduktimeve ka një plan të reduktimeve por akoma nuk e kemi futur në zbatim pasi që do të krijonin edhe probleme te konsumatorët pastaj edhe tek mirëmbajtja do të krijonin probleme në operim ditor, por gjithçka do të varet në muajt që do të vijnë marsi, prilli ku shpresojmë se do të kemi reshje dhe do të kemi ngrije të nivelit sidomos në liqenin e Batllavës ndërsa Liqeni i Badovcit pak ma vështirë akumulohet për shkak pellgut që është më i vogël”, është shprehur ai.

Abdullahu ka thënë se këto thatësira kanë ndikuar edhe tek ujërat nëntokësore sidomos në komunën e Lipjanit.

“Kur jemi tek thatësira këto kanë ndikuar edhe tek ujërat nëntokësore sidomos vështirësi kemi apo mungesa kemi në Lipjan për shkak që puset nëntokësore kanë pësu një rënie në nivelet e ujërave nëntokësorë, edhe kjo përveç që ka ndiku në rënie të niveleve kjo kohë me reshje të pakta nën mesatare ka bërë që edhe nëntokësorët të preken nga këto thatësira që edhe atje nivelet apo sasia është më e ulët krahasim me vitet e kaluara”, është shprehur Abdullahu.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Ilir Abdullahu tutje ka thënë se për momentin gjithçka është nën monitorim nga drejtoria teknike nga stafet që ta kapërcejnë këtë situatë sa ma lehtë.

Ai ka bërë apel tek konsumatorët të cilët furnizohen nga kjo kompani që të kenë kujdes dhe të kursejnë ujin e pijes në mënyrë që të ketë një stabilitet dhe qëndrueshmëri në furnizim dhe siç thotë ai ta përdorin vetëm për nevojat që është i dedikuar./R.Rexhepi/ arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme