Reduktime deri në 12 orë, kush është fajtori për mungesën e rrymës në Kosovë?

15:49 | 27 Dhjetor 2024
L G

Në prag të festave të fundvitit, disa komuna në Kosovë po përballen me reduktime të rrepta të energjisë elektrike, duke shkuar deri 12 orë pa rrymë.

Kjo çështje, ka bërë që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, t’ia mësyj të premten zyrave të KEDS-it dhe KOSTT-it, për të mësuar rreth shkaktarëve që kanë dërguar deri të këto reduktime të larta dhe skandaloze, që kanë lënë qytetarët pa rrymë çdo ditë për orë të tëra

Pas takimit ministrja Rizvanolli, së bashku për përfaqësues të KEDS-it dhe KOSTT-it dolën të japin sqarim para mediave rreth këtij problemi.

Arsyeja ishte paksa qesharake dhe jo e besueshme.

Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.

Përfaqësuesi nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) deklaron se po punon me kapacitete të plota, ndërsa kompania për distribuimin e energjisë elektrike (KEDS) nuk i ka quajtur reduktime, por “mbingarkesa” dhe ka kërkuar nga konsumatorët që të kursejnë maksimalisht rrymën.

Ndërsa Rizvanolli, tha se me investimet të cilat janë duke u bërë dhe janë afër, pritet që kjo mbingarkesë të rregullohet brenda disa ditësh ose javësh.

“Investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë e që janë afër, si nënstacioni i Ferizajt që është rajoni që ka më së shumti problem të vazhdojnë me intensitetin më të lartë të mundshëm, kjo me sa u informova të jetë brenda disa ditësh ose javësh”

Tutje Rizvanolli kërkoi angazhim maksimal nga përfaqësues të KOST-it dhe të KEDS-it.

Ndërsa sipas përfaqësuesit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë.

“Nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është maksimum, ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion. Po ashtu KESCO-ja si përgjegjës për furnizim të mungesës, është duke importuar energjinë e munguar, dhe KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë që i kemi në dispozicion. Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë e cila ka prekur cepin maksimal të rrjetit”

Sa i përket faktit se a ka qenë i përgatitur KESCO për rritje të konsumit të energjisë, marrë parasysh që i njëjti problem dhe e njëjta arsye është çdo vit, përfaqësuesi i KOSTT, tha që ka pas një numër të paparashikueshëm të rritjes së konsumit.

“Duke u bazuar në numrin e madh të konsumatorëve, rritja e ngarkese vetëm nga muaji nëntor dhe dhjetor është ngritur mbi 30% kjo dokumenton që është një rritje e ngarkese e paparashikueshme dhe jashtë atyre planifikimeve të cilët i planifikon secili sistem jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”

Për këtë problematikë, Arbresh.info ka biseduar edhe me Zëdhënësin e KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

I cili për Arbresh.info tha se “Mbingarkesat janë shfaqur si në transmision ashtu edhe në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ku po paraqitet nevoja për tejkalimin e ngarkesave për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëme të mëdha në pajisjet kyçe”.

Sipas Krasniqit, nënstacioni Kastrioti, i cili është në ndërtim nga ana e KOSTT-it, pritet të përfundojë së shpejti, çka besohet se do të ndihmojë në tejkalimin e kësaj sfide në këtë rajon.

Ndërkohë, të gjitha komunat po përballen tash e disa ditë me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, komuna e Ferizajt është ajo e cila është prekur më së shumti nga këto reduktime./Arbresh.info/ Qendresa Luma/

Të ngjashme