Google ADS

Reagon shefi i UNMIK-ut: Shqetëuese përpjekjet për të shtrembëruar ngjarje të dhimbshme historike

11:45 | 8 Dhjetor 2019
L G

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq,  i cili ditë më parë e quajti trillim masakrën e Reçakut.

Tanin përmes një reagimi për media, rithekson nevojën për të balancuar lirinë e shprehjes me përgjegjësinë politike.

Ai, po ashtu ka shprehur shqetësimin serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike.

“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarje të dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson në terma më të fortë nevojën e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike dhe / ose etnike. Ai kujton rëndësinë parësore të së drejtës për lirinë e mendimit dhe shprehjes siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe vëren se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve për të ndjekur ligjërimin që mbron besimin e ndërsjellë dhe respekt”, thuhet në reagimin e shefit të UNMIK-ut.

Ndryshe, “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”, kështu ka deklaruar ditë më parë  presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo deklaratë fyese e tij, erdhi ditën kur Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

E pas kësaj, Prokuroria Speciale nuk kishte përjashtuar mundësinë që edhe presidenti i Serbisë mund të ndiqet penalisht për këtë deklaratë fyese.

Ndërkohë, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, më saktësisht neni 147, thotë se: “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme