Gjykata e Gjakovës dje e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij. Ndaj këtij vendimi, ankesë ka paralajmëruar avokati i palës së dëmtuar – vëllait të viktimës Valbona Ndrecaj, Kujtim Marku. Ndrecaj dje u dënua për të dytën herë nga e njëjta Gjykatë, dënim ky që ishte 6 muaj më i lartë sesa herën e parë, e më i vogël në krahasim me Gjykatën e Apelit.
E ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe ministri i drejtësisë kosovare, Selim Selimi.
“Lajmin për uljen e dënimit për vrasësin e Valbonës dhe vajzës së saj, Pjetër Ndrecajn, e kam përcjellë me shqetësim të madh. Politika e dënimeve mbetet një nga sfidat e sistemit tonë të drejtësisë. Si ministër jam zotuar që politika do t’i mbajë duart larg drejtësisë, sado që kjo është e vështirë. Detyrë e imja është garantimi i një sistemi gjyqësor efikas, të pavarur dhe të paanshëm, i qasshëm për të gjithë”, ka shkruar ai.
“Nuk dua të marr asnjëherë merita kur një prokuror apo gjykatës i guximshëm ndjek dhe dënon zhvatësit e shtetit e të korruptuarit, se ajo është meritë e tyre. Por, në të njëjtën formë, jam i zotuar për të respektuar ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit. Drejtësia në vend nuk është e përkryer, por me të gjitha sfidat, mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë me guxim që ta avancojmë sistemin e drejtësisë”, thotë Selimi.
E Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit 2018 ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj.
Nga Gjykata e Apelit Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë – burgim i përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.
Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...
Komisioni Disiplinor i FFK-së merr masa për futbollistët që ...