Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas disa shkrimeve në media, se ai mund të jetë kandidat për president të Shqipërisë.
I pari i AAK-së thotë se angazhimi i tij politik lidhet vetëm me Kosovën.
“Nuk jam kandidat për president të Shqipërisë”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
“Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje”, tha ai.
“Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik!”, shtoi Haradinaj.
Ilir Meta është president i Shqipërisë dhe mandati i tij zgjat deri më 24 korrik. Brenda 24 majit duhet të nisë procedura në Parlament për të zgjedhur kreun e ri të shtetit
Propozimin e kandidatëve për president kanë të drejtë ta bëjnë 20 deputetë.
Zgjedhja e tij kalon në 5 raunde në Kuvend. Në 3 raundet e para kandidati duhet të marrë 3/5 e votave në Parlament, ose 84 vota.
Ndërsa në dy raundet e fundit, për të zgjedhur Presidentin e ri mjaftojnë 71 vota të deputetëve.
Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë mbi 40 vjeç. Duhet të jetë me shtetësi shqiptare që në lindje dhe duhet që në 10 vitet e fundit nuk duhet të ketë banuar jashtë vendit.
Mandati i presidentit është 5 vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhje.
Në Kushtetutë parashikohen edhe rastet ekstreme. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në raundin e pestë, Kuvendi shpërbëhet. Ndërsa i vetmi rast që mund t’i zgjasë mandatin Metës përtej 24 korrikut do të ishte shpallja e gjendjes së luftës./arbresh.info/
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës