Reagon Gjykata e Apelit rreth “Rastit të Kukësit”

16:21 | 22 Qershor 2019
Arbresh.info

Gjykata e Apelit përmes një deklarate për media ka reaguar lidhur me vendimin mbi pezullimin e dënimit ndaj një të burgosuri që njihet si “Rasti i Kukësit” e që përplasi ambasadorin amerikan në Kosovë dhe Ministrin e Drejtësisë.

Për këtë rast, dje ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kishte reaguar duke thënë se lirimi i të burgosurit për krime lufte nga Ministria e Drejtësisë është në kundërshtim me ligjin shkruan Gazeta Express

Pas kësaj ka reaguar Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri duke thënë se Ministria nuk ka kompetencë për të liruar apo dënuar të burgosur.

Pas këtyre replikave ambasadori e ka përmirësuar shkrimin e tij në Twitter ku u sqarua, duke thënë se Gjykata e Apelit ka udhëzuar Ministrinë e Drejtësisë që të marrë një vendim të tillë.

E sot ka reaguar Gjykata e Apelit, duke thënë se kjo gjykatë ka refuzuar fillimisht ankesën e të burgosurit për pezullim të dënimit për shkak të sëmundjes së tij.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, gjatë muajit maj, fillimisht e ka refuzuar ankesën e të burgosurit për pezullim të dënimit pasi që kërkesa është bazuar vetëm në raportin e kolegjiumit të mjekëve të një spitali në Republikën e Turqisë. Më pas i burgosuri kërkesës ia ka bashkangjitur edhe Raportin e profesional të Kolegjiumit të Mjekëve të QKUK-së, sipas të cilit sëmundja më të cilën është diagnostikuar ai nuk mund të trajtohet në institucionet publike shëndetësore brenda Republikës së Kosovës”

Gjykata e Apelit ka thënë se duke marrë për bazë praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut në Strasburg është vendosur pezullimi i përkohshëm i dënimit për gjashtë muaj.

“Nisur nga këto fakte dhe në zbatim të konventave ndërkombëtare, sipas të cilave “mos trajtimi adekuat i të burgosurit konsiderohet trajtim çnjerëzor” , konventa këto që Kosova është e obliguar t’i zbatoj, e po ashtu duke marrë për bazë edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut në Strasburg, është vendosur pezullimi i përkohshëm i dënimit për gjashtë muaj. Ky vendim është marrë më qëllim që personit që fjalë t’i ofrohet trajtim adekuat shëndetësor”.

Gjykata e Apelit është shprehur se sipas shifrave zyrtare në institucionet korrektuese kanë vdekur pesë të burgosur.

“Andaj në referencë të këtyre normave, dhe duke pas parasysh se Gjykata vendos në bazë të shkresave të lëndës, mendimi i ekspertëve ka qenë determinues. Gjithashtu në marrjen e këtij vendimi gjykata ka pasur parasysh faktin se vetëm gjatë këtij viti, sipas shifrave zyrtare, në institucionet korrektuese kanë vdekur pesë të burgosur, shifër kjo tejet shqetësuese”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme