Reagon Eulex, thotë se letra e gjyqtarit Simmons për shkelje është e njëanshme

14:39 | 26 Nëntor 2020
Arbresh.info

Një ish-kryegjyqtar për misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, Malcolm Simmons, i cili dha dorëheqjen mes shumë polemikave në vitin 2017, thotë se dëshiron të informojë Parlamentin e Kosovës për shkeljet që ai pretendon se pa gjatë kohës që ishte në detyrë.

Për pretendimet e tij tashmë ka reaguar misioni i EULEX në Kosovë, ku thotë se nuk është hera e parë që Simmons ka bërë përpjekje për të paraqitur versionin e tij të njëanshëm të shkeljeve të pretenduara në këtë mision, shkruan portali arbresh.info

Tutje në reagim thuhet se gjykatësi në fjalë kishte refuzuar të bashkëpunojë me një ekip hetimor të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të hetuar shkallën e shkeljeve që i kishte raportuar Simmons.

Sipas letrës së tij, Simmons thotë se ai kishte qenë disa herë dëshmitar sjelljesh të gabuara që do të dëshmonin se individë përgjegjës për administrimin e drejtësisë ndërhynin në mënyrë të paligjshme në drejtësinë në Kosovë.

Reagimi i plotë i EULEX-it

Ne jemi në dijeni të raportimeve të mediave të cilat pretendojnë se z. Simmons i ka drejtuar një letër Parlamentit të Kosovës duke e shprehur gatishmërinë e tij për të dhënë një deklaratë. Nëse kjo është e vërtetë, nuk do të jetë hera e parë që z. Simmons ka bërë përpjekje që ta paraqesë versionin e tij, të njëanshëm dhe të pavërtetuar të shkeljeve të pretenduara gjatë kohës sa ai ishte gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit.

Para së gjithash, duhet të theksohet se z. Simmons ka refuzuari të bashkëpunojë me një ekip hetimor të udhëhequr nga një gjyqtar në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për ta hetuar shkallën e shkeljeve të mundshme të raportuara nga z. Simmons. Kur atij iu dha mundësia për t’i mbështetur pretendimet e ndryshme të tij, z. Simmons nuk mundi t’i ofrojë ekipit hetues ndonjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij.

Për më tepër, në vitin 2016, një hetim i pavarur i drejtuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në lidhje me pretendimet për shkeljet e mundshme nga Z. Simmons në tre çështje individuale gjatë kohës së tij si gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit u hetuan dhe u përfunduan. Në të tre rastet, me këshillat e bordit disiplinor u pajtuan autoritetet përgjegjëse dhe ato iu komunikuan z. Simmons dhe autoritetit dërgues të tij, pra Mbretëria e Bashkuar, i cili e kishte punësuar z. Simmons gjatë kohës sa ishte gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit. Vendimi përfundimtar lidhur me masat të cilat duhej ndërmarrë si përgjigje ndaj këshillave të bordit disiplinor lidhur me shkeljet e z. Simmons i takon autoriteti dërgues të tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2019, z. Simmons inicoi procedurë ligjore para Tribunalit të Punësimit në Mbretërinë e Bashkuar kundër punëdhënësit të tij në MB në të cilën ai përsëri iu referua po këtyre pretendimeve kundër Misionit të BE për Sundimin e Ligjit. Tribunali i Punësimit, i cili është një Gjykatë Britanike, e hodhi poshtë kërkesën e z. Simmons që në këto procedura të merrte pjesë edhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme