Reagojnë analistët, kërkojnë distancimin e sindikatave nga partitë

08:30 | 6 Qershor 2017
Arbresh.info

Sindikatat e pavarura ndonëse thirren me këtë emër kanë nënshkruar memorandume të ndryshme me parti politike. Rasti i fundit është nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes koalicionit PAN me sindikata të caktuara.

Mirëpo analistët politik e shohin këtë si keqpërdorim nga partië politike dhe përfitim të votave.

Analisti politik Imer Mushkolaj në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se edhe udhëheqësit sindikal janë të politizuar.

“Sindikatat në Kosovë keqpërdoren shumë nga partitë politike. Po ashtu, udhëheqës sindikalë janë të politizuar dhe shpesh në shërbim të subjekteve të caktuara politike. Nënshkrimi i memorandumeve në kohë fushate bëhet me qëllim të përfitimit të poenëve politikë. Sindikatat nuk do të duhej të lëshoheshin në të tilla aventura dhe, përpara se të jenë në shërbim të politikës ditore, duhet të jenë në shërbim të anëtarësisë së tyre”, ka thënë ai.

Sipas politologut Leon Duhanaj në Kosovë asgjë nuk ka apolitike, dhe se shoqëria kosovare, del të jetë në tërësi e politizuar, e ndarë dhe e ndikuar nga politika.

Duhanaj ka theksuar se roli i sindikatave nuk ka qenë ai që do të duhej të ishte pasi që sipas tij secila nga situatat është pjesë e politikës dhe se sipas tij është e vështirë që do të ndodhin ndryshime të shpejta pozitive.

“Kur flasim për sindikatat në tërësi, padyshim që mund të konstatojmë se roli i tyre, nuk ka qenë ai i cili duhet të ishte, ose të paktën mënyra organizative, nuk i përshtatet një demokracie të pastër. Kjo ngase secila sindikate, në njëfarë forme, është pjesë e politikës aktive, përkatësisht udhëheqësit e sindikatave janë edhe pjesë jozyrtare e partive politike. Vërtetë është vështirë të shpresojmë që do të ndodhin ndryshime të shpejta pozitive. Por shpresa duhet të na mbajë, që kjo do vie në mënyrë graduale. Qytetarët e kanë mundësinë që brenda listave zgjedhore, të zgjedhin njerëz kualitativ, të pakorruptuar dhe të papërfolur. Të tillë ka mjaftë dhe në çdo listë”, është shprehur ai për Arbresh.info.

Ndërkaq analisti Faik Krasniqi në një përgjigje për Arbresh.info tha se çdo herë para zgjedhjeve PDK-ja ka bërë një veprim të tillë duke nënshkruar memorandum bashkëpunimesh me sindikata të pavarura.

“Është metodë e kësaj partie për të fituar vota nga këto sindikata, gjë që është rreptësisht e ndaluar që sindikatat të politizohen dhe keqpërdoren nga partitë politike. Por, nuk është faji vetëm i partive politike, faji është edhe i udhëheqësve të këtyre sindikatave që janë bërë vegla të partive politike në pushtet, ose më mirë të themi ata janë në krye të këtyre sindikatave me misione të caktuara për agjendat e politikës”, ka thënë ai.
Sipas tij këtu duhet të reagoj shoqëria civile, punëtorët dhe populli.

“Shoqëria civile, punëtorët dhe populli duhet të reagojnë për këto veprime kryekëput politike, dhe gjithë udhëheqësit e atyre sindikatave të largohen nga postet në të cilat janë emëruar nga bosët e politikës, për t’ju shërbyer atyre gjatë kohës kur janë në pushtet dhe gjatë kohës së zgjedhjeve. Në të kundërtën, nuk kanë pse të ekzistojnë të ashtuquajturat sindikatat e pavarura, që do të duhej të ishin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, deklaroi ai.
Krerët e koalicionit PDK-AAK por jo edhe bashkë me ata të NISMA, vazhdojnë politizimin e sindikatave, njëherë atë të shëndetësisë, më pas të pensionistëve, grupit të sindikatave, dhe së fundi edhe me atë të arsimit. /V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme