“Reagimi i Erdoganit, në vazhdën e prirjeve të tij autokrate”

19:54 | 2 Prill 2018
Arbresh.info

Analisti Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins tha sot për Zërin e Amerikës se reagimi i Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan pas deportimit të shtetasve turq nga Kosova, është shqetësues, por është në vazhdën e prirjeve të tij brenda vendit dhe jashtë tij. Serwer tha se lidhur me rrethanat e deportimit, do të ishte mirë të priteshin rezultatet e hetimit.

Analisti Serwer tha se Erdogan përbën shqetësim për shumë amerikanë, jo vetëm për këtë arsye, por edhe të tjera, përfshirë një sjellje gjithnjë e më autokrate, që nuk është aspak e përshtatshme për një vend që ka paur aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që ende aspiron të jetë demokraci.

“Pra po, është shqetësuese, por të them të vërtetën nga perspektiva amerikane është një çështje me rëndësi relativisht të vogël, krahasuar me shqetësimet e tjera, lidhur me Erdoganin, rojat e sigurisë së të cilit, rrahën demonstruesit në Uashington. Ka shumë gjëra që janë të gabuara në mënyrën se si po sillet autoritetet turke”.

Serwer tha se Turqia ka luajtur një rol pozitiv në Ballkan, veçanërisht në vitet ’90 dhe 2000’, por…

“Shqetësimi im është se gjithnjë e më shumë Turqia duket se po ushtron ndikimin e saj përmes lidhjeve me ‘Vëllazërinë Myslimane’ dhe kjo më shqetëson. Ishte një kohë kur Turqia donte të kishte marrëdhënie të mira me të gjithë në Ballkan dhe mbi ato baza bëri biznes tregëtar. Ajo që shoh tani është një sjellje e ndryshme e Turqisë që më shqetëson”.

Duke e analizuar ngjarjen e fundit në kontekstin e masave të Turqisë, pas asaj që Erdogan e ka konsideruar si tentative për grusht shteti të lëvizjes së Fetullah Gulenit, Serwer tha se masat kundër mbështetësve të tij janë të tepruara.

“Nuk jam shumë i sigurt për këta individë në Kosovë, por masat pas tentativës për grusht shteti janë shqetësuese për Uashingtonin dhe për këdo që beson se të drejtat e njeriut janë të rëndësishme”.

Serwer thotë se Perëndimi duhet të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Turqi dhe të kritikojë Erdoganin për shumë aspekte, përfshirë këtë çështje. Ai shton se mungesa e vëmendjes nga perëndimi është pjesë e arsyes, që Erdogan nuk druhet të veprojë me forcë brenda dhe jashtë Turqisë.

“Por unë mendoj gjithashtu se kjo sjellje e tij, vlerësohet brenda Turqisë, se politika turke e sheh këtë si sfidë ndaj të huajve, si rikthim të madhështisë së Turqisë, si ndëshkim të Gulenit që dikur ishte shumë popullor në Turqi, por tani përçmohet nga shumë turq, pra mendoj se ka një element të brendshëm, përveç atij të jashtëm”.

Analisti amerikan tha se OSBE-ja, vetë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet të jenë të gjitha të shqetësuara për drejtimin që po ndjek vetë Erdogani dhe drejtimin nga po e çon Turqinë.

Përsa u takon deportimeve, zoti Serwer tha se Presidenti Hashim Thaçi e ka bërë të qartë se sipas tij, ata janë përzënë për shkak të aktiviteteve të paligjshme brenda Kosovës dhe shton se para se të japë një gjykim përfundimtar, ai do të donte të priste përfundimin e hetimit dhe një raport zyrtar, sidomos në kushtet kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

“Nuk do të gjykoj se çfarë bën kryeministri Haradaninaj. Sipas tij ishte veprimi i duhur dhe do të shohim nga hetimi se cilat ishin bazat për këtë veprim. Por nëse e kuptoj siç duhet, të paktën për shërbimin e zbulimit, duhet firma e Presidentit”, tha ai.

Presidenti turk e ka sulmuar kryeministrin Ramush Haradinaj për qëndrimin e tij ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq dhe shkarkimin e Ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Erdogan falenderoi Presidentin Thaçi.

Të shtunën Haradinaj mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme