Mbrojtja e Ratko Mlladiq, ish-kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i kërkoi Gjykatës së OKB-së të anulojë vendimin që e dënon atë me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera për shkak se aftësitë e tij mendore janë të dëmtuara.
Avokatët mbrojtës të Mlladiqit të hënën u kërkuan gjyqtarëve në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të anulojnë vendimin e dhënë në nëntor të vitit të kaluar dhe të pezullojnë procedurat gjyqësore kundër ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Avokatët mbrojtës Branko Lukiq dhe Dragan Ivetiq cituan një opinion ekspert nga një doktor serb, Gorica Gjokiq, i cili e vizitoi Mlladiqin dhe tha se ai “nuk mund të konsiderohej i aftë për të ndjekur procedurat gjyqësore” gjatë gjyqit në Hagë dhe për momentin që u dha vendimi i tij.
Testet treguan se Mlladiq vuante nga “një rënie e lehtë kognitive dhe çmenduri e butë”, sipas doktorit.
“Për shkak të këtyre arsyeve, mbrojtja kërkon që vendimi të lihet mënjanë dhe procedurat gjyqësore të pezullohen derisa gjendja shëndetësore e Mlladiqit të bëhet e qëndrueshme dhe deri kur të përcaktohet se ai është i aftë të marrë pjesë në gjyq,” thuhej në mocionin e mbrojtjes në gjykatën e OKB-së.
“Dhoma e shkallës së parë e dha vendimin kur statusi kognitiv i Mlladiqit ishte vënë në rrezik dhe nuk e lejonte atë të merrte pjesë në procedurat gjyqësore. Respektimi i të drejtave të njeriut të të pandehurit nënkupton që një vendim nuk mund të jepet nëse i pandehuri është i pamundur për të ndjekur gjyqin,” shtoi ai.
Gjykata e Hagës e dënoi Mlladiqin në nëntor të vitit të kaluar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në disa komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Në një mocion të veçantë në gjykatë të hënën, avokatët mbrojtës të Mlladiqit i kërkuan Mekanizmit të Gjykatave Ndërkombëtare Penale të fillojë procedurat gjyqësore për shpërfillje ndaj gjykatës kundër doktorit në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës së Hagës, Paulus Falke, dhe anëtarëve të tjerë të stafit të Njësisë së Paraburgimit, të cilët ata pretendojnë se janë përgjegjës për trajtimin joadekuat të problemeve shëndetësore të Mlladiqit.
“Veprimet e këtyre oficerëve të Njësisë së Paraburgimit e kanë bërë të pamundur që të kemi një ide të qartë të gjendjes shëndetësore të të pandehurit dhe kanë kontribuar në gabimet e mundshme në trajtimin e tij,” thuhej në mocion.
Avokatët e Mlladiqit ishin ankuar për kujdesin shëndetësor që i është ofruar klientit të tyre në Njësinë e Paraburgimit edhe para dhënies së vendimit dhe kërkuan vizita nga mjekë serbë dhe rusë për të përcaktuar nëse ai po merrte trajtim adekuat në Hagë.
Në dhjetor edhe ministra e drejtësisë e Serbisë Nela Kuburoviq e vizitoi Mlladiqin në Hagë dhe tha se Beogradi ndoshta do të kërkojë lirimin e përkohshëm të tij për trajtim mjekësor./BIRN
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...