Google ADS

Ratifikohen marrëveshjet për sigurime sociale me Zvicrën dhe Belgjikën

16:08 | 18 Tetor 2018
Arbresh.info

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot votuan ratifikimin e dy marrëveshjeve në fushën e sigurimeve sociale, ajo me Konfederatën e Zvicrës dhe Mbretërinë e Belgjikës, gjë që mundëson që shumë shpejt, qytetarët tanë që kanë punuar në këto shtete, të nisin t’i gëzojnë pensionet kontributpaguese, pensionin bazik të moshës, pensionet familjare dhe invalidore të punës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, para deputetëve tha se këto marrëveshje janë jetike dhe prekin drejtpërdrejt qytetarët e Republikës së Kosovës dhe se nënshkrimi i tyre është pritur me padurim nga qytetarët tanë të cilët kanë derdhur djersën e tyre për të kontribuar jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për ekonominë e Kosovës.

Të dyja marrëveshjet ishin nënshkruar këtë vit nga ministri Reçica dhe përfaqësues të shteteve respektive.

“Gjatë periudhës prej se jam mandatuar si Ministër i MPMS-së, çështjen e marrëveshjeve për sigurime sociale e kam vënë në top prioritetet e Ministrisë, sidomos marrëveshjen me Zvicrën duke ditur se që nga viti 2010 një e tillë ishte ndërprerë dhe qytetarët tanë nuk kanë mundur t’i realizojnë të drejtat e tyre”, tha ministri.

Pas ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga ana e deputetëve, ministri Reçica përgëzoi qytetarët që do të përfitojnë nga këto marrëveshje të rëndësishme.

Marrëveshjet e ratifikuara sot u mundësojnë gjithashtu qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar në Zvicër apo Belgjikë, që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë si dhe do t’ju mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme