Pas bisedave telefonike të politikanëve të lartë kosovarë me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee është rënë dakord që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të riprocedohet. Opozita kundërshton.
Dy udhëheqësit kryesorë politikë në Kosovë, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, tashmë paralajmëruan se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi shumë shpejt do të procedohet në kuvend për votim. Madje kryetari i kuvendit, thotë se javën tjetër marrëveshja e demarkacionit do të jetë në kuvend. Këto paralajmërime u bënë pasi të dy udhëheqësit politik kosovar në fundjavë, zhvilluan biseda telefonike me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin sic thuhet, janë pajtuar që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje të ndodh shumë shpejtë.
Nevojë për marrëveshje të shpejtë
Në një njoftim për medie të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se gjatë bisedës telefonike me diplomatin amerikan, i ka thënë atij se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, pasi në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. “Në këtë drejtim, ata u pajtuan që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të kuvendit.
Një bisedë telefonike zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, në fundjavë e zhvilloi edhe me kryemnistrin e Kosovës, Isa Mustafa. “Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Isa Mustafa.
Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kushti i fundit i vënë nga Komisioni Evropian që Kosova duhet ta plotësojë të marrë liberalizimin e vizave. Paralajmërimet se javën tjetër demarkacioni me Malin e Zi do të procedohet për miratim në kuvend, i ka shqetësuar partitë politike opozitare, të cilat e kundërshtojnë këtë version të demarkacionit duke thënë se Kosova me këtë marrëveshje humbet territor, gjë që mohohet nga qeveria e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK Pal Lekaj, parti kjo që është më e zëshmja kundër demarkacionit, është shprehur për mediet lokale, se ai është i bindur se edhe nëse marrëveshja procedohet në kuvend, ajo nuk do të kalojë.
Opozita ende kundër
“Sa i përket deklarimeve për procedimin e demarkacionit mendoj që është e drejtë e tyre për ta proceduar demarkacionin në Kuvend, por ajo që vlen të theksohet në biseda me gjithë deputetët është që ata nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe janë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Mendoj që fillimi i javës tjetër vendin do ta çojë në zgjedhje”, thotë Pal Lekaj.
Të njëjtin qëndrim mban edhe deputeti nga lëvizja Vetëvendosje Driton Çaushi, i cili thotë së kjo parti do ta kundërshtojë me të gjitha format ratifikimin e këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi.
“Ne natyrisht se do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje kurdo që sillet ajo në Kuvend. Ajo nuk është më pak e dëmshme sesa vitin e kaluar dhe argumentet kundërshtuese tashmë janë të njohura”, thotë Driton Çaushi.
I ndodhur në këtë situatë nga paralajmërimet e opozitës që serish do ta kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit, vetë kryeministri Isa Mustafa, në fillim të javës udhëton për në Bruksel, ku para zyrtarëve evropian do ta prezantojë kërkesën e tij të re, në lidhje me liberalizimin e vizave.
Kosova me propozim të ri në Bruksel
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë se “Mustafa do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”. “Pra të kërkohen mundësitë që Brukseli ta suspendoj për një kohë kushtin e vendosur pa të drejtë, pra atë të demarkacionit, për vizat ndaj qytetarëve të Kosovës, me mundësinë e rikthimit të tij në rast se brenda periudhës së caktuar nuk përmbushet edhe ky kusht. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Mustafa udhëton për në Bruksel”, thotë Faton Abdullahu
Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se edhe nëse pranohet kërkesa e kryeministrit nga BE-ja, një kërkesë e tillë është e vonuar dhe ajo mund të marrë kohë të gjatë derisa ta miratojë Brukseli zyrtar.
Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga partitë politike opozitare të cilat janë të bindura që Kosova humb territor me këtë marrëveshje. /DW/
“Po të lë anash”, Driloni e Anisa flasin për lojë
Shkup, arrestime e reagime pas një incidenti me flamurin maq...
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...