Me vendim të trupit gjykues, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është marrë vendim që të pranohen me shkrim deklaratat e disa dëshmitarëve.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle i cili tha se në njërën prej këtyre rasteve kishe ngritur shqetësime mbrojtja lidhur me disa prova që kishin të bënin me pretendimet kundër Thaçit dhe Krasniqit. Megjithatë, trupi gjykues e kishte pranuar deklaratën e tij.
“Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 28 qershor, Trupi Gjykues lëshoi një vendim në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të një dëshmitari dhe provat materiale në lidhje me të. Mbrojtja ngriti shqetësime lidhur me një pjesë të provave, veçanërisht pjesën e cila ka të bëjë me pretendime kundër Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit. Trupi Gjykues vuri në dukje se deklarata e dëshmitarit nuk përfshin asnjë pretendim për të cilat u shqetësua Mbrojtja dhe e pranoi si provë”, tha Doyle.
Sipas Doyle, trupi gjykues kishte konstatuar se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëm mbrojtjes e po ashtu do të iu jepej mundësia këtyre të fundit që t’i bëjnë pyetje dëshmitarit në sallën e gjyqit.
“Gjithashtu, Trupi Gjykues konstatoi se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëmtim padrejtësisht Mbrojtjes, duke qenë se Mbrojtja do të ketë mundësinë t’i bëjë pyetje dëshmitarit në sallën e gjyqit para se të pranohen provat Trupi Gjykues do të vendosë çfarë peshe do t’u kushtojë provave në kuadër të provave përkatëse të paraqitura gjatë gjykimit. Në të njëjtin vendim, Trupi Gjykues u bind se qëllimi i Prokurorisë për të parashtruar dëshminë me shkrim të dëshmitarit do të kontribuonte në kryerjen e shpejtë të procesit”, tha ai.
Ndërsa, ai tha se më 2 korrik është marrë vendimi që të pranohen deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë.
“Më 2 korrik, Trupi Gjykues pranoi si prova deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë. Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të dëshmitarit të dhjetë, duke konstatuar se nëse Mbrojtjes nuk i jepet mundësia për të marrë në pyetje këtë dëshmitar, kjo mund të ketë efekt dëmtues ndaj të akuzuarve”, tha ai.
Duke folur për këtë çështje gjyqësore, Doyle tha se trupi gjykues ka urdhëruar prokurorinë që t’i paraqes atyre dhe palëve në procedurë një listë me tema dhe aspekte që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari tri ditë para se të fillojë dëshminë ai.
“Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë t’u paraqesë Trupit Gjykues, Mbrojtjes dhe Mbrojtësit të Viktimave një listë me tema dhe aspekte të përgjithshme që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje, tri ditë para fillimit të dhënies së dëshmisë së çdo dëshmitari, deklarata e të cilit pranohet me shkrim në vend të marrjes në pyetje në sallë të gjyqit”, tha ai.
Zëdhënësi i DhSK-së, tregoi edhe për mbarëvajtjen e seancave në këtë çështje gjyqësore duke specifikuar se të hënën filloi dëshminë dëshmitari Bislim Zyrapi të cilit iu angazhua edhe avokat.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, të hënën, dëshmitari i 75-të i thirrur nga Prokuroria filloi dhënien e dëshmisë. Dëshmitari, Bislim Zyrapi, gjatë dhënies së dëshmisë po ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar për të shmangur rrezikun e vetinkriminimit. Z. Zyrapi dëshmoi të martën, të mërkurën dhe sot paradite.”, tha ai.
Ai shtoi se pas Zyrapit filloi dëshminë një dëshmitar tjetër për të cilin ZPS-ja pretendon se është arrestuar nga anëtarët e UCK-së ndërsa kushëriri i tij ishte rrëmbyer.
“Pas tij një dëshmitar tjetër me masa mbrojtëse filloi dhënien e dëshmisë sot Sipas përmbledhjes së Prokurorisë në gjykatë, më 1998, anëtarë të UÇK-së rrëmbyen të afërmin e dëshmitarit, kufoma e të cilit u zbulua më vonë atë vit. Në të njëjtin vit, edhe dëshmitari u ndalua dhe u keqtrajtua nga anëtarë të UÇK-së”, tha ai duke shtuar se Zyrapi do ta vazhdojë dëshminë e tij të hënën me 8 korrik.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë./BetimipërDrejtësi/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...