Kur po bëhen afër tre muaj që nga vendimi i Gjykatës së Apelit për kthimin në rivendosje të rastit të njohur si “Stenta”, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka caktuar datë se kur do të rifillojë gjykimi i këtij rasti.
Ngarkesa me lëndë e gjykatësve, është arsyeja që sipas gjykatës, një ndër rastet më të mëdha të pasluftës, të zvarritet tash e një kohë.Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësja e ngarkuar me këtë rast, Shadije Gërguri, tha se megjithatë shumë shpejt pritet të rifillojë gjykimi i këtij rasti, por pa saktësuar datë për mbajtjen e seancës.
Edhe pse aktakuza në këtë rast është ngritur rreth një vit e gjysmë më parë, rasti “Stenta” ende është në fazën fillestare.Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe 61 të akuzuar të tjerë ishin deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 19 maj 2017.
Edhe i akuzuari Hajdin Çitaku, i cili kishte munguar në shqyrtimin fillestar të 19 majit, ishte deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 25 maj 2017.Mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast kishin bërë kërkesë për hudhjen e aktakuzës ndaj klientëve të tyre, me arsyetimin se e njëjta është në kundërshtim me ligjin.
Në kërkesën e mbrojtjes thuhej se të gjitha provat materiale të cilat janë të bashkëngjitura në aktakuzë, nuk janë prova të pranueshme.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në gusht të vitit të kaluar, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se provat e propozuara në aktakuzë krijojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerësit e veprave penale për të cilat akuzohen.
Pas refuzimit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës nga shkalla e parë, të akuzuarit ishin ankuar në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar nga e njëjta që të hudh poshtë aktakuzën.
Apeli, në nëntor 2017, kishte marrë aktvendim me të cilin rastin “Stenta” e kishte kthyer në rivendosje.
Arsye për kthimin e rasti në rivendosje, sipas aktvendimit të Apelit, ishte fakti se shkalla e parë nuk i ka respektuar të drejtat e parapara për mbrojtje profesionale të të pandehurve, ku ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar pa praninë e mbrojtëseve të të akuzuarve, ndërsa, për disa nga të pandehurit tjerë ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar pa vendosur më parë për kërkesat e tyre për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike.
Në aktvendimin e Apelit, po ashtu thuhej se shkalla e parë në arsyetimin e saj nuk ka dhënë fare arsye të qarta se cilat janë ato prova në bazë të cilave, është ngritur aktakuza e që e mbështesin dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen me aktakuzë.
Prokuroria e Shtetit më 15 Qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.
Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.Rasti “Stenta” njihet si rasti më i madh i ngritjes së aktakuzës për korrupsion nga prokurorët, e cila po sfidohet të trajtohet në praktikë nga Gjykata për shkak të numrit të madh të personave të akuzuar.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...