Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares së dytë të mbrojtur me kodin 6, e cila e kishte filluar dëshminë të martën.
Ajo deklaroi se bashkëshorti i saj kishte pasur probleme të shumta shëndetësore dhe trauma, si rezultat i torturave në fabrikën e hekurit në Kukës.
“Si i dilte gjumi thoshte ku jemi dhe më thoshte bimi djemtë t’i shoh, unë i thoja që djemtë janë ne punë s’munden me ardhë, pyetke ku jemi, unë i thoja jemi në shpi tonë. Për, disa ditë e kanë përcjellë këto”, tha ajo.
Këto deklarime, dëshmitarja 6 i bëri duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të viktimave, Simon Laws.
Tutje, dëshmitarja shtoi se ishin nën përcjellje gjatë tërë kohës nga njerëz që kishin bërë krime dhe jo nga pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo tha se ishin të percjellur nga frika se mos po jepnin deklarata tek organet e drejtësisë.
Gjithashtu, dëshmitarja shtoi se vajzat e tyre ishin të detyruara ta ndërpresin shkollimin si rezultat i frikës nga përcjellja që po iu bëhej.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën kga vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, ku mbrojtësi i tij, avokati Jean-Louis Gilissen, sqaroi arsyen pse Shala ishte i tensionuar në seancën e kaluar dhe kërkoi të largohej nga salla, duke kërkuar që seancat të jenë sa më shumë publike.
Në fillim të seancës, avokati Gilissen tha se Shala kishte dëshirë të ishte i pranishëm në sallë, por që ishte i tensionuar, pasi seanca po transmetohej me ndërprerje, duke kaluar në seanca private dhe se publiku nuk ishte në gjendje ta ndiqte gjykimin në tërë e jo se nuk mund t’i duronte ato që thuheshin aty, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, Gilissen shtoi se është në dijeni për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve, por gjithashtu duhet treguar kujdes me parimin e publicitetit, për të siguruar një gjykim të drejtë.
Sipas tij, ishte gjykata ajo që e humbi Shalën në seancën e së martës dhe jo që ai nuk po duronte deklarimet në seancë.
“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre”, tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia tha se ka të qartë parashtrimin e mbrojtjes, por që iu duhet të gjejnë një mesatare të asaj mes parimit të publicitetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.