Rasti në Deçan, Ambasada amerikane : Injoroni thashethemet, prisni faktet

18:37 | 15 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,ka bërë thirrje që të priten rezultatet lidhur me dyshimin për helmim nga uji i qytetarëve në Deçan.

Në një reagim të tyre thuhet se duhet lënë anash thashethemet dhe të priten faktet.

“Mendimet tona janë me ata që vuajnë nga urgjenca shëndetësore në Deçan. Megjithëse do të kryhen më shumë teste, Ministria e Shëndetësisë beson se bakteret janë shkaku i mundshëm i simptomave. Gazetarët, qytetarët injoroni thashethemet. Prisni për fakte”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (ISHPK) njoftoi sot se pas analizave të kryera janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Në komunikatën e IKSHPK, thuhej se “në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

Mijëra qytetarë të Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme