Eksperti gjerman i inxhinierisë së ndërtimtarisë, Jurgen Hutchenreuther, ka deklaruar se gjatë ekspertizës në vitin 2012, që i ka bërë rrugës Ponesh-Zhegovc, ka gjetur defekte në asfaltin që ishte shtruar në vitin 2008.
Ky ekspert, ka elaboruar ekspertizën e tij, të martën në vazhdimin e gjykimit të rastit të MTPT-së, në të cilin për vepra penale që lidhen me korrupsionin, akuzohen ish-ministri dhe zëvendëskryeministri aktual Fatmir Limaj dhe të tjerët.
Eksperti Hutchenreuther ka deklaruar se problemi kryesor në Kosovë ishte sipërfaqja e shtegut të atyre rrugëve, pasi sipas tij, standardet ndërkombëtare nuk lejojnë të përdoret betoni me asfalt, por asfalti me gurë të thyer.
“Për këto rrugë duhet të përdoret butumeni i kodifikiar, që vjen pas shtresës së lëmuar dhe në fund ishte trashësia e bazamentit. Ne kemi gjetur se trashësia e bazamentit ka qenë 50% më e vogël. Ne kur i bëmë shpimet e vërejtëm se nuk janë të ndërlidhur në mes shtresa bazë dhe sipërfaqes, nëse nuk ngjiten këto dy shtresa ato mund të shpërbëhen”, ka deklaruar ky ekspert, i cili është marrë në pyetje nga prokurori i rastit, Charles Hardaway.
Sipas tij, ata paraprakisht kanë pasur kushtet për analizë dhe sipas tij, trashësia e asfaltit nuk ishte përcaktuar në tender.
“Neve na është dashur tenderi dhe dizajni i përzierjes. E kemi marrë tenderin e fundit dhe jo çdo gjë ishte e shkruar në atë tender, me atë se çka duhet të ekzaminonim, p.sh trashësia e asfaltit nuk ishte e përcaktuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, një procedurë e tillë përcaktohet sipas rregulloreve të vendeve të ndryshme në Evropë dhe botë. Ai ka deklaruar se sipas procedurës duhet që të shkohet në vendin ku punohet rruga për ta parë cilësinë e materialit, por sipas tij, në rastin në fjalë rruga ishte e përfunduar dhe është dashur të merrej mostra përmes shpimit të asaj rruge.
“Mostrat që i kemi marrë kanë numër të caktuar dhe i kemi dërguar në laborator. I kemi marrë agregatet, i kemi testuar ato dhe i kemi shikuar nëse ato përputhen me rregullat tona. Ne e kemi matur edhe thellësinë e shtresave të rrugës. Krejt ato veprime që janë shkruar në raport, ne i kemi ndërmarr”, ka deklaruar ai.
Ai ka treguar për kompaninë e tij në Gjermani, që siç ka thënë, njihet për rezultatet që ka treguar sa i përket kësaj fushe. Hutchenreuther, që ndryshe është edhe autor i librit “Asfalti për rrugë”, ka deklaruar se ka pasur projekte të rrugëve në Amerikë Jugore, Azi dhe Evropë .
“Kur jam angazhuar si ekspert në Kosovë e kam pasur një kontratë dhe aty shkruhej se çka kërkohej nga unë. Ne morëm kontratën për të bërë testime të rrugëve. Ne se kemi pasuar as tenderin as asgjë. Me kontraktuesin ne vendosëm të marrim standardin gjerman që shpjegon dendësinë e shtresave, p.sh për rrugë automobilistike standardi përcakton cilësinë e asfaltit që duhet përdoruar, çfarë tipi të butumenit duhet përdorur, materialet agregate, etj.”, ka shtuar ai.
Ndryshe, kjo seancë është ende duke vazhduar.
“Betimi për Drejtësi”, në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.
Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.
Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.
Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.
Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë./Betimipërdrejtësi/
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë