Është veçuar procedura për të akuzuarin e njohur për rastin “Medicus”, Arban Dervishi. Ky vendim u mor në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur të enjten, pas kërkesës së prokurores Najgerzo Valeria Bolici.
Kërkesa për veçimin e procedurës u bë pasi i akuzuari në fjalë nuk u paraqit në gjykatë. Prezent ishin i akuzuari Lutfi Dervishi me mbrojtësin e tij, avokatin Valdet Hasani dhe i akuzuari Sokol Hajdini me mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Gashi.
Lidhur me këtë, avokati Petit Dushi deklaroi se nuk ka kontaktuar me klientin e tij që nga marsi i 2016-tës, dhe se ka ushtruar mjete juridike një muaj më herët në mënyrë që të njëjtit t’i mundësohet prania e papenguar në këtë shqyrtim.
I njëjti kërkoi nga gjykata që klientit të tij t’i hiqet urdhërarresti dhe të zëvendësohet me dorëzani, si dhe t’i shqiptohet arrest shtëpiak.
“Ai e ka dëshmuar seriozitetin e tij që 8 vjet në këtë proces maratonik dhe është mirë të i shmangemi një spektakli mediatik” deklaroi Dushi.
Mirëpo, sipas prokurores Bolici, familjarët e Arban Dervishit kanë njohuri se ku gjendet ky i fundit, dhe të njëjtat informata i përcjellin edhe të avokati Dushi. Prandaj dhe e njëjta kërkoi nga gjykata që të veçohet procedura për të, dhe të vazhdohet vetëm me dy të akuzuarit tjerë, Lutfi Dervishin dhe Sokol Hajdinin.
“Më është krijuar bindja nga gjykimi i mëparshëm që ekziston një koalicion jo parimor në mes të gjykatës dhe prokurorisë, dhe nuk kam dëshirë që kjo të ndodhë” ishin fjalët e avokatit Petrit Dushi, pas kërkesës në fjalë.
Lidhur me këtë, avokati Valdet Hasani tha se anëtarët e familjes së Dervishit kanë dhënë dorëzani që do të garantonin praninë e tij në këtë gjykim. “Kjo do të vërtetohej brenda 5 ditëve. Unë jam që të sigurohet prania e tij dhe rasti të jetë bashkërisht” deklaroi Hasani.
Ndërkaq, avokati Ramë Gashi tha se kjo gjë është në duart e gjykatës, dhe pajtohen me çfarëdo vendimi që merret nga e njëjta.
Lidhur me kërkesën për dorëzani, kryetarja e trupit gjykues Franciska Fischer deklaroi se një kërkesë e tillë është pa bazë juridike, dhe se asnjë i pandehur nuk guxon të hyj në marrëdhënie të tilla me gjykatën.
Ndërkohë, po vazhdon gjykimi ndaj urologut Lutfi Dërvishi, i cili akuzohet për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore. Në të njëjtin rast akuzohet edhe djali i tij, Arbani dhe mjeku anesteziolog, Sokol Hajdinit. Rasti “Medicus”, është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.
Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.
Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.
Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore” u refuzuan.
Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.
Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.
Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.
Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i Klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.
Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor dhe për “krim të organizuar”.
Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.
Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.
Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.
Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.
Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, i’u vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vite.
Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arben Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit , pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty./Betimipërdrejtësi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...