Rasti i vizave: Kërkohet veçimi i procedurës për Ukë Rugovën dhe tre të akuzuarit e tjerë

12:39 | 22 Nëntor 2017
L G

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe të tjerët, të mërkurën janë ulur në bankën e të akuzuarve, për tu përballur me akuzat për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin e vizave italiane.

Por, në këtë seancë, gjykatësi i EULEX-it, Petrov Petkov, ka kërkuar që të veçohet procedura ndaj katër të akuzuarve në këtë rast, Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani dhe Qefser Baholli.

Sipas gjykatësit, këtë propozim e ka bërë me arsyetimin se ky mision përfundon mandatin në qershor të vitit 2018 dhe sipas tij, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për zgjidhjen e këtij rasti.

Propozimin e gjykatësit Petkov, e ka kundërshtuar prokurori i rastit, Alan Casnick, i cili ka thënë së një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm.

Sipas tij, të gjitha dëshmitë janë të ndërlidhura dhe nëse do të ketë dy gjykime për të njëjtin rast, ai ka thënë se gjykatës do t’i duhej më shumë kohë që ato dëshmi të prezantohen në të dy rastet.

Prokurori Casnick, ka shtuar se duke u bazuar në këto rrethana, një gjë e tillë, nuk do të ketë efikasitet.

Sa i përket propozimit të gjykatësit për veçimin e procedurës për klientin e tij dhe tre të akuzuarve të tjerë në këtë rast, mbrojtësi i Ukë Rugovës, avokati Nexhat Shabani, ka deklaruar se nuk është në gjendje që të përgjigjet, pasi tha se i duhet kohë për ta shqyrtuar këtë propozim.

Kurse, avokati Gani Vokshi, mbrojtësi i të akuzuarit Astrit Haraqija, ka deklaruar se e përkrah propozimin e gjykatësit për veçimin e kësaj procedure.

Ndërsa, avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Izet Beqirit, ka deklaruar se nuk e kundërshton veçimin e procedurës, por pasi që nuk është mbajtur një shqyrtim i dytë, sipas tij, ende nuk kanë propozuar dëshmitarët të cilët duhet te dëgjohen krahas 170 dëshmitarëve të propozuar nga ana e prokurorisë.

Ndërkohë, rreth propozimit për veçimin e procedurës për katër të pandehurit në këtë rast, gjykatësi Petkov, u ka dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi ka thënë se do ta caktoi seancën tjetër për këtë rast.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, kanë munguar tre të akuzuarit, Liridona Beqiri, Azad Beqiraj dhe Hamza Beqiri.

Më 12 tetor të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës në këtë rast.

Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Rugovës dhe të akuzuarve të tjerë, që ishte parashtruar kundër aktvendimit të kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Shtatëmbëdhjetë të pandehur kishin parashtruar ankesa kundër Aktvendimit të Kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 305/2016 të datës 27 mars 2017, me anë të cilit ishin refuzuar kërkesat e mbrojtjes për ta hedhur poshtë aktakuzën si dhe kundërshtimet e tyre ndaj provave. Gjykata e Apelit, me anë të aktvendimit  PN 475/2017 të datës 25 shtator 2017, i ka hedhur poshtë këto 17 ankesa. Aktvendimi i Kryetarit të trupit gjykues u vërtetua”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme