Rasti i rezervave shtetërore, Supremja: S’pati keqpërdorime – kërkesa e Speciales e pabazuar

20:17 | 15 Tetor 2024
E.H

Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë, ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, në çështjen penale ndaj të pandehurve: Irfan Lipovica, Hafiz Gara, dhe Ridvan Muharremi.

“Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve: Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe të pandehurit Ridvan Muharremi, për shkak të veprës penale dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, lidhur me nenin 33 të KPRK-së, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit Shtetit, të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj gjykate, refuzohet si e pa bazuar kërkesa e Prokurorit të Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë, ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, PN.1.S.nr. 165/2023 të datës 31.08.2023.

Kundër këtyre aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar Prokurori i Shtetit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, me propozim që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovoj si të bazuar kërkesën, të anulohet aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë dhe çështjen ta kthen në rivendosje.

Bëhet e ditur se përgjigje në kërkesën e prokurorit ka dhënë mbrojtësi i të pandehurit Irfan Lipovica, avokati Feim Alaj, me propozim që Gjykata Supreme e Kosovës, ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e prokurorit, ndërsa aktvendimi i kundërshtuar të vërtetohet.

“Meqë, Kodi i Procedurës Penale i cili ka hyrë në fuqi me 17 shkurt të vitit 2023 ka paraparë risi tek mjetet e jashtëzakonshme juridike respektivisht kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, ngase ka paraparë mundësinë e paraqitjes së këtij mjeti edhe ndaj aktvendimit të formës së prerë me të cilin është ndërprerë paraburgimi”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Gjykata Supreme e Kosovës thotë se shprehë pasiguri në lidhje me kushtetutshmërinë e disa neneve të Kodit të Procedurës Penale (KPP), se a janë këto dispozita në përputhshmëri me nenin 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, vlerëson se pretendimet nga kërkesa nuk janë të bazuara, sepse, siç del nga shkresat e lëndës dhe provat e mbledhura (deri në ditën e vendosjes nga gjykata e shkallës së dytë), gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të argumentojë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, vlerëson se pretendimet nga kërkesa nuk janë të bazuara sepse, sic del nga shkresat e lëndës dhe provat e mbledhura (deri në ditën e vendosjes nga gjyk e shkallës së dytë), gjykata e shkalles së parë nuk ka arritur që të argumentoje dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, siç nuk është arritur që argumentohet fuqia provuese e provave se në veprimet e të pandehurve është arritur që të ketë dyshim të bazuar mirë për veprat penale, e për të cilat është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit, prandaj masa e përcaktuar e paraburgimit nuk ka arritur nivelin e konsumimit të kushteve ë paraburgimit. Andaj, gjykata e shkallës së dytë, drejtë ka vepruar me rastin e ndërprerjes së masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, sepse sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk janë përmbushur kushtet (të veçanta) për caktimin e paraburgimit, pasi që përveç çështjes së dyshimit të bazuar, sipas shkresave të lëndës nuk është arsyetuar dhe argumentuar në mënyrë të qartë dhe në baza konkrete as rreziku se të pandehurit do të mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe në prova, kjo për faktin se provat veç janë marrë nga ana prokurorisë dhe janë proceduar në Gjykatë me dëgiimin dëshmitarëve. Siç nuk është argumentuar dhe arsyetuar as rreziku se të njëjtit mund të përsërisin apo kryejnë edhe veprave tjera penale”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme