Rastet kur nuk duhet të bartet maska në Kosovë

21:05 | 25 Shtator 2020
Arbresh.info

Shumë njerëz e kanë pasur të paqartë rastet se kur duhet të vendoset maska dhe në cilat hapësira.

Tani Ministria e Shëndetësisë me vendimin e ri për udhëzimin e masave anti-Covid ka hequr konfuzitetin, shkruan portali arbresh.info.

COVID-19 përhapet kryesisht ndërmjet njerëzve që janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin (brenda 1.5-2 metra).

Përdorimi i maskave në komunitet rekomandohet parimisht në këto raste:

  • Te fëmijët mbi moshën 12 vjeçare. Nxënësit fillojnë me maska prej klasës së gjashtë fillore
  • në mjediset publike ku njerëzit janë afër njëri-tjetrit ose aty ku nuk mund të mbahet distanca fizike
  • në mjediset e mbyllura publike
  • në hapësirat e jashtme ku ka grumbullim njerëzish
  • për grupet e rrezikuara të njerëzve dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese
  • në zonat ku ka përhapje të madhe të COVID-19 në komunitet.

Bartja e maskës nuk mund të jetë e mundur në çdo situate. Prandaj, ekzistojnë gjithashtu skenarë në disa raste kur ju lejohet të hiqni maskën :

  • nëse ju kërkohet ta hiqni maskën nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, komunë, gjykatë, etj. për qëllime të identifikimit personal
  • nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose punonjësit përkatës për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë alkooli dhe duhani
  • nëse keni nevojë për të marrë trajtim mjekësor (p.sh. marrjen e ilaçeve) ose shërbime tjera (p.sh. gjatë prerjes së flokëve)
  • personat që mbajnë predikim ose lutje në falore (hoxha ose prifti)
  • nëse jeni duke ushtruar ose kryer ndonjë aktivitet dhe kjo do të ndikonte negativisht në aftësinë tuaj për ta kryer atë aktivitet
  • Maska nuk kërkohet në restorante me shërbim në tavolinë.
  • Maskën mund ta hiqni nëse uleni në restorant për të pirë dhe për të ngrënë. Posa të ngriteni nga tavolina duhet rivendosur maskën përsëri. Nëse shkoni në toalet e vendosni maskën. Mbajtja e distancës mbetet pike e rëndësishme e kontrollit në këto raste.
  • Fëmijët e vegjël (p.sh. fëmijët parashkollorë ose ata në klasat e ulëta të fillores) mund të mos jenë në gjendje të bartin në mënyrë korrekte maskën gjatë qëndrimit ditor në shkollë. Megjithatë, nëse përdoren maskat në baza vullnetare, preferohet të bëhet prioritizimi i përdorimit të tyre. Pra, këta fëmijë të bartin maskë atëherë kur është e vështirë të mbahet distanca fizike, si p.sh. pas mbarimit të mësimit kur dalin nga shkolla dhe kur i presin prindërit, ose kur qëndrojnë në rresht në shkollë. Në këto raste duhet kushtuar rëndësi sigurimit të maskave adekuate me madhësi dhe përshtatshmëri adekuate për fëmijët. Po ashtu, ka rëndësi edhe edukimi dhe rikujtimi i fëmijëve për rëndësinë e bartjes së maskave.
  • Punëtorët që punojnë në ambiente të jashtme mund të përdorin maska kur janë në kontakt të ngushtë me njerëzit e tjerë, si p.sh. gjatë udhëtimit në grup ose gjatë mbledhjeve. Por, mund t’i heqin maskat kur distanca fizike është e mundur.
  • Personat që e kanë kaluar Covid-19 preferohet të mbajnë maskë për t’u mbrojtur nga agjensët e tjerë infektivë që mund t’i kërcënojnë ata, sidomos gjatë fazës së konvaleshencës.

KUR NUK BARTET MASKA

  • Gjatë ecjes në rrugë kur jeni vetëm;
  • Te çdokush që ka probleme me frymëmarrje (të ofrohet dëshmia e sëmundjes së rrugëve të frymëmarrjes).
  • Nëse jeni vetëm në veturë
  • Njerëzit që nuk mund ta vendosin ose heqin maskën për shkak të ndonjë sëmundjeje fizike, mendore ose ndonjë dëmtimi e paaftësie
  • Personat shurdh-memecë.
  • Në momentet kur duhet të veprohet urgjentisht nga përfaqësuesit e autoriteteve (policët, punëtorët shëndetësorë, zjarrfikësit) për të dhënë ndihmë ose për të evituar kërcënimin e çfarëdo rreziku.
  • Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme