Google ADS

Rastet e narkotikëve, ndër veprat penale më prezente në Kosovë

14:18 | 25 Prill 2022
S D

Drogat apo veprat penale që lidhen me narkotikë, vazhdojnë të jenë dukuri mjaft problematike për shoqërinë tonë, pasi që po prekin të gjitha moshat, e sidomos të rinjtë. Shkaktari kryesor i kësaj gjendje është mungesa e funksionimit të shtetit ligjor në parandalimin e kësaj dukurie dhe ndërmarrjen e masave konkrete.

Ky lloj i kriminalitetit po shihet si një dukuri shqetësuese edhe nga organizatat joqeveritare, të cilat po merren me rehabilitim, edukim dhe risocializim të përdoruesve të këtyre substancave narkotike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që kanë të bëjnë me narkotikë, Kosova me legjislacionet e saj i dënon këto veprime, por që ende nuk është siguruar një qasje e duhur në luftimin e kësaj dukurie negative.

Për këto vepra penale, sipas statistikave të Policisë së Kosovës të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, gjatë periudhës 2017-2019 janë evidentuar 5 mijë e 822 të dyshuar, janë arrestuar 5 mijë e 222 persona si dhe janë ndaluar 1 mijë e 30 persona.

Kurse, gjatë periudhës 2020-2021 janë evidentuar 1 mijë e 975 të dyshuar për vepra penale të narkotikëve, janë arrestuar 1 mijë e 936 persona si dhe janë ndaluar 575 persona. Viti 2020, vit në të cilin në Kosovë ka filluar pandemia COVID-19, ka pasur numrin më të madh të rasteve të veprave penale të narkotikëve me 1 mijë e 263 persona të dyshuar, 1 mijë e 144 të arrestuar dhe 270 të ndaluar.

Kryerësit e veprave penale të narkotikëve, në shumë raste kanë përfunduar duke u përballur me drejtësinë.

Duke marrë për bazë statistikat e të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), vërehet se ka një numër të madh të personave, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për këto vepra penale, disa prej të cilave janë gjykuar, por ende ka raste të shumta me të cilat po përballen gjykatat në Kosovë.

Sipas statistikave të KGJK-së të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se gjatë vitit 2018, prej 4 mijë e 951 lëndëve në punë, 727 janë lëndë e përbëjnë kategorinë e veprave penale të narkotikëve në Departamentet e Krimeve të Rënda, të të gjitha gjykatave themelore në vendin tonë.

Si vepra penale me të rënda, kategoria e veprave penale të narkotikëve sipas statistikave të KGJK-së, hyn në grupin e tretë, krahasuar me veprat penale të armëve dhe ato kundër jetës dhe trupit.

Gjykatat Themelore në Kosovë, në vitin 2018 kanë pasur në punë 727 lëndë të veprave penale të narkotikëve.

Për dallim nga viti 2018, më 2019 vërehet se gjykatat kanë pasur më pak lëndë, më konkretisht gjatë kësaj periudhe kanë qenë të ngarkuara me 713 lëndë të narkotikëve.

Ndërsa, për vitet 2020-2021 KGJK nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e “Betimit për Drejtësi” për qasje në statistika.

Për “Betimin për Drejtësi”, drejtori ekzekutiv i Qendrës Labyrinth, Safet Blakaj, ka thënë se mosha e cila merret më së shumti me kriminalitetin e narkotikëve janë të rinjtë, respektivisht sipas tij mosha mesatare është mosha 16 vjeçare.

“Na e kemi përcjellë me vite që nga 2002, po zëmë moshën e atyre që paraqiten për herë të parë në qendrën tonë dhe gjithnjë mosha ka shkuar duke rënë. Le të marrim një krahasim, për shembull në vitin 2008 mosha mesatare e atyre që kanë ardhur për herë të parë në qendrën tonë ka qenë 22.4 vjeç, ndërsa në vitin 2019 ka qenë 16.4 vjeç, kur ka filluar për herë të parë me përdorë dikush drogë. Edhe ngritjet e fundit janë diku rreth 16 vjeç, kjo është një tregues që tregon sa ka rënë mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Balakaj gjithashtu ka thënë se në qendrën e tyre ofrojnë terapi ditore për përdoruesit e lëndëve narkotike.

“Këtu tek ne është qendër ditore. Pra, ata vijnë gjatë orarit të punës fillimisht 3 herë, 2 herë në javë, e dikur ma vonë edhe 1 herë në javë. Nëse vlerësohet se dikush ka nevojë me terapi e me medikamente referohet te psikiatri jonë. Por, na i shmangemi shumë derisa nuk sigurohemi që me të vërtetë ka nevojë për terapinë dhe kontakti i vazhdueshëm me familjen”, ka thënë Blakaj.

Monitoruesit e IKD-së rregullisht monitorojnë seanca që kanë të bëjnë me veprat penale të narkotikëve, ku shihet se një numër i madh i këtyre rasteve janë të përfshira në krim të organizuar.

Ndërsa, veprat penale të kësaj natyre që më së shpeshti kryhen nga kryerësit kanë të bëjnë me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, për të cilat vepra dënimet më të shpeshta që gjykatat shqiptojnë, janë dënime me burgim nga 1 deri 3 vjet, po ashtu edhe dënime me gjobë.

Më poshtë gjenden disa prej rasteve, ku të akuzuarit janë të përfshirë në vepra penale që kanë të bëjnë me narkotikë, disa prej tyre janë dënuar me aktgjykime të formës së prerë e lëndët e disa të tjerëve, janë ende në proces:

Naser Kelmendi i akuzuar për trafikim me narkotikë

Prokuroria në korrik të vitit 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt të 2017-ës, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Apeli e kishte miratuar ankesën e tij, duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri dhe vazhdon edhe tani, pasi që ndaj ti, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, ngase u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Kelmendi, më 1 shkurt 2018, ishte dënuar me gjashtë vjet burgim vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale të trafikimit me narkotikë, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

113 kg heroinë të ardhur nga Iraku në pllaka të mermerit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 20 dhjetor 2019 kishte ngritur aktakuzë ndaj Xh.Sh, S.Sh, I.S dhe A.G, me arsyetimin se të akuzuarit Sh. dhe ai S., si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe L.Z, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.

Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë gjykimi është ende në proces në shkallë të parë.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, të akuzuarit kishin blerë heroinë nga Iraku, e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të akuzuarit kanë bërë ndërrimin e identiteteve, ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin L.N dhe L.Sh, i akuzuari I.S. ka ndërruar identitetin duke u emëruar M.Gj, kurse i akuzuari Xh.Sh ka ndërruar identitetin në S.Sh.

Tutje, sipas aktit akuzues i akuzuari S.Sh më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj, i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maune pllaka të mermerit dhe në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë, ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë e heroinës, e cila është vendosur në paketimet e pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardhë në firmën e të akuzuarit Sh., të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer tani i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer S.Sh, në emër të biznesit të tij.

Shtetasit të Shqipërisë i refuzohet akuza për trafikim të narkotikut në Kosovë, me destinacion Maqedoninë e Veriut
Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 janar 2022 ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj A.N, i akuzuar për trafikim të narkotikut nga Shqipëria në Kosovë, me destinacion Maqedoninë e Veriut.

Kurse, ky rast pas ankesës së ushtruar nga prokuroria, ende gjendet në Gjykatën e Apelit.

Aktakuza në këtë rast është përpiluar më 27 shtator 2019 nga Blerim Isufaj, i cili mban pozitën e Kryeprokurorit të PSRK-së dhe kjo lëndë është e shënjestruar për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, nga 3 tetori 2018 e deri më 9 shkurt 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga i akuzuari Xh.S, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, i akuzuari B.S, me detyrë që narkotikun e sjellë nga Republika e Shqipërisë ta sistemojë dhe mbajë në shtëpinë e tij si dhe në mobilierinë “Niti”, në të cilën kishte për detyrë sistemimin e narkotikëve edhe G.K, i akuzuari A.N, me detyrë që narkotikun ta sjellë nga Shqipëria në Kosovë tek i akuzuari S., i akuzuari Z.K, me detyrë që narkotikun ta sistemojë në shtëpinë e tij dhe të bashkudhëtojë me automjet që transporton narkotikët, ndërsa të akuzuarit J., F. dhe F.B, D.S dhe H.B, si vozitës të automjeteve që transportonin narkotikët nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut apo vëzhgohej rruga gjatë transportit me qëllim të shmangies së patrullave policore të këtyre dy vendeve, të paktën katër herë transportuan apo tentuan të transportojnë sasi të madhe të narkotikut të llojit marihuanë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Aktakuza thotë se më 3 tetor 2018, tentuan të transportojnë 108 kg, duke kaluar ilegalisht kufirin dhe pasi u diktuan nga policia kufitare e Kosovës, e hodhën nga automjeti narkotikun dhe pastaj hynë në territorin e Maqedonisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 17 janar 2019, i akuzuari A.N ka transportuar marihuanë në sasi prej 75 kg nga Shqipëria për në shtëpinë e S., ndërsa më 31 janar për në të njëjtin vend ka transportuar sasinë prej 150 kg marihuanë.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 janar 2019 dhe 8 shkurt 2019, të akuzuarit kishin transportuar gjithsej 250 kg marihuanë nga Kosova në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përmes vendkalimit kufitar në Han të Elezit dhe ua shitën personave të panjohur.

Ndryshe, më 26 shkurt 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj nëntë të akuzuarve për krim të organizuar, Xh.S, A.N, G.K, J.B, F.B, F.B, H.B e D.S, si dhe ndaj të akuzuarit për shmangie nga tatimi, B.S.

Xh.S është dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 viteve, ndërsa i akuzuari B.S dënim me burgim prej 8 viteve e 6 muaj. A.N ishte dënuar me 6 vite burgim, ndërsa të akuzuarit G.K, J. dhe F.B, janë dënuar me nga pesë vite burgim.

Me katër vite burgim është dënuar i akuzuari F.B, kurse kjo gjykatë u ka shqiptuar nga tre vite burgim të akuzuarve H.B e D.S.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për gjithë të dënuarit tjerë, përveç për A.N, ku rastin për të e kishte kthyer në rigjykim më 21 shtator 2021.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 janar 2022 kishte shpallur aktgjykim refuzues ndaj A.N, i akuzuar për trafikim të narkotikut nga Shqipëria në Kosovë, me destinacion Maqedoninë e Veriut.

Afër 25 vite burgim dhe 12 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarve për transportim të drogës nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë me 30 nëntor 2021, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve T.S, A.B, S.R, F.R, dhe A.R.

Pesë të akuzuarit thuhet se duke vepruar në grup të udhëhequr nga i akuzuari T.S, kishin ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, A.B akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj, i akuzuari T.S është dënuar me 6 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

A.B është dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë për narkotik, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 8 muaj burgim. Si dënim unik, gjykata i ka shqiptuar 5 vite e 6 muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Gjykata, S.R e ka dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa F.R me 3 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Kurse, A.I, është dënuar me 5 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

Krahas dënimeve të lartcekura, gjykata si dënim plotësues të akuzuarve ua ka konfiskuar përgjithmonë sendet e luajtshme si mjete që e kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet, të cilat automatikisht i nënshtrohen konfiskimit, të cilat gjësende janë sekuestruar sipas vendimit të kësaj gjykate.

Ndërsa, pas ankesës së ushtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim.

Ndryshe, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “Krim i organizuar”, mirëpo ndaj të njëjtëve, prokurorja Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2021, T.S, A.B, S.R, F.R dhe A.R, akuzoheshin për krim të organizuar në lidhshmëri edhe me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Por, pas rikualifikimit nga ana e prokurorisë, të njëjtit ngarkoheshin vetëm me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit gjatë vitit 2020, duke vepruar si grup i strukturuar i udhëhequr nga i akuzuari T.S, kanë ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE).

7 vite në proces gjykimi ndaj të akuzuarit për narkotikë dhe krim të organizuar
Ndaj Y.R, para shtatë vitesh ishte ngritur aktakuzë nën dyshimin për krim të organizuar dhe narkotikë.

Rasti është kthyer më 2017 në rigjykim, por që ende nuk ka marrë një epilog nga shkalla e parë, ndërsa seanca e fundit, e cila ishte tentuar të mbahet më 19 nëntor 2021, kishte dështuar me arsyetimin se i njëjti gjendet i burgosur në shtetin e Gjermanisë.

Ndryshe, më 29 nëntor 2013, Y.R, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me dënim unik prej 11 vitesh burgim dhe me gjobë në shumën prej 25 mijë euro.

Më pas, më 14 maj 2015, Gjykata e Apelit, kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, më 17 tetor 2016, gjykata e shkallës së parë sërish të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me dënim unik prej 4 vitesh e 10 muajsh burgim dhe 11 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, kjo gjykatë kishte refuzuar akuzën për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, për shkak se prokurori kishte hequr dorë nga kjo pikë e akuzës, ngase kjo vepër është amnistuar me Ligjin e Amnistisë.

Kurse, Gjykata e Apelit, e kishte kthyer çështjen në rigjykim më 6 shtator 2017, ndërsa sa i përket veprës penale për armëmbajtje pa leje, për të cilën ishte shpallur aktgjykim refuzues, kjo pjesë e aktgjykimit kishte mbetur e paprekur.

Në këtë rast, prokurori Andrew Carney e kishte dorëzuar aktakuzën e ndryshuar të 10 dhjetorit 2015, para rigjykimit të të pandehurit, me qëllim që të korrigjohen gabimet procedurale në dispozitiv që ishin cituar në vendimin e Gjykatës së Apelit më 14 maj 2015.

Në pikën e parë të akuzës, Y.J, thuhet se mes datave 27 gusht dhe 12 tetor 2010, në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë përmes shteteve të tjera në Evropë një ngarkesë prej 4.56 kg heroinë (pesha neto), narkotikë të ndarë në 9 paketime, siç është konfiskuar nga kapaku i gomës së përparme të makinës “Mercedes Benz C Class” në Munih të Gjermanisë më 11 tetor 2010 dhe në këtë periudhë kritike ai ka vepruar si pjesëtar i një grupi.

Këtë thuhet se e ka bërë në bashkëkryerje me M.G, F.Z, S.A dhe J.B dhe bashkëkryes të tjerë të paidentifikuar. Në këtë pikë të akuzës ai akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Edhe në pikën e dytë të akuzës, akuzohet për të njëjtën vepër, ku thuhet se mes datave 13 gusht 2010 dhe 14 shtator 2010 , në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë përmes shteteve të tjera në Evrope një ngarkesë heroine, 418 gramë prej të cilës u konfiskua nga banesa e M.D, në Munih, Gjermani më 14 shtator 2010 dhe se ka vepruar si pjesëtar i një grupi. Këtë thuhet se e ka bërë në bashkëkryerje me S.F, M.D dhe F.Z.

Edhe në pikën e tretë të akuzës ngarkohet me të njëjtën vepër penale, ku thuhet se mes datave 2 janar 2011 dhe 12 janar 2011, në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë përmes shteteve të tjera në Evrope një ngarkesës prej 1.992 kg heroinë, që është konfiskuar në makinë “Mercedes Benz C Class” në Munih, Gjermani, më 11 janar 2011, ku heroina ishte e mbështjellë brenda 4 paketimeve, secila në peshë prej afërsisht 9.497 kg dhe se e ka bërë në bashkëkryerje me M.O dhe A.M.

Në pikën e katërt të akuzës, po ashtu akuzohet për të njëjtën vepër penale dhe thuhet se më 2 tetor 2012, ka kryer veprën e blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke zotëruar pa autorizim 3.38 gramë kanabis sativa, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes apo ofrimit të shitjes së narkotikut, që u konfiskua nga kati përdhesë i shtëpisë së tij më 2 tetor 2012.

Në pikën e pestë të aktakuzës ai ngarkohej për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Edhe në pikën e gjashtë të akuzës ngarkohet se më 2 tetor 2012, në territorin e Kosovës ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike duke zotëruar paautorizim përzierjen prej 11.66 gramë të heroinës me paracetamol, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes apo ofrimit për shitje të narkotikut, i cili ka qenë i vendosur në një qese plastike të konfiskuar nga tualeti i banesës së tij në Prishtinë më 2 tetor 2012.

E në pikën e shtatë të akuzës, ai ngarkohet për krim të organizuar, pasi sipas kësaj pike, mes 1 maj 2010 dhe 2 tetor 2012, ka kryer këtë vepër penale në territorin e Kosovës, duke shkaktuar krime të rënda, përkatësisht veprën penale të blerjes, zotërimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke organizuar dhe marrë pjesë, pa autorizim në eksportimin apo importimin apo në përgatitjen e substancave që janë deklaruar të jenë lëndë të rrezikshme narkotike në Republikën Federale të Gjermanisë, përkatësisht të disa ngarkesave të heroinës, brenda një grupi të organizuar kriminal, së bashku me M.G, S.A, J.B, S.F, M.O, F.Z, B.K, A.M, A.M, M.D dhe bashkëkryes tjetër të panjohur.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke marrë pjesë aktivisht në një grup kriminal si dhe duke organizuar, krijuar, mbikëqyrur, drejtuar dhe menaxhuar veprimtaritë e grupit, me qëllimin për të siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë, përfitime financiare apo përfitime të tjera materiale.

Tutje, thuhet se në veçanti, Y.J, kishte organizuar dhe marrë pjesë në eksportimin nga Kosova dhe importimin në Republikën Federale të Gjermanisë të ngarkesave si në vijim: mes 1 majit dhe 1 korrikut 2010 një ngarkesë prej 500 gramë të heroinës së bashku me M.G, F.Z, S.A dhe J.B, mes 12 gushtit dhe 22 gushtit një ngarkesë prej 5 kg heroinë me narkotikët e paketuar në 10 paketime prej 500 gramë, secila me M.G, F.Z, S.A dhe J.B.

Tutje, përmendet se mes 13 gushtit dhe 14 shtatorit ka marrë pjesë në ngarkesën prej 418 gramë heroinë me S.F, M.D dhe F.Z, me 30 gusht një ngarkesë prej 4.5 kg heroinë së bashku me S.F dhe një kryes tjetër të paidentifikuar, mes 31 gushtit dhe 2 shtatorit 2010 një ngarkesë prej 3 kg heroinë së bashku me S.F dhe M.O

Tutje, thuhet se ka marrë pjesë në ngarkesën prej 4.56 kg heroinë mes 27 gushtit dhe 12 tetorit 2010 së bashku me M.G, F.Z, S.A dhe J.B, si dhe mes 5 tetor 2010 dhe 5 dhjetor 2010 një ngarkesë prej 3 kg heroinë së bashku me F.Z dhe A.M.

Ndërkaq, në fund përmendet, ngarkesa me heroinë, mes 2 dhe 11 janarit 2011, prej 1.992 kg të pluhurit që përbëhej nga 115.18 gramë heroinë, që thuhet se e ka bërë së bashku me M.O dhe A.M.

2 vite e 2 muaj burgim dhe 500 euro gjobë ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues, i akuzuar për tentim shpërndarjen e narkotikut tek një i paraburgosur
Oficeri korrektues në Qendrën e Paraburgimit, Vladimir Qirkoviq është dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim efektiv si dhe 500 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe për shkak të tentim shpërndarjes së narkotikut të llojit marihuanë në këtë qendër.

Aktgjykimi është shpallur më 1 korrik 2021 nga gjykatësi Avni Syla, sipas të cilit, fillimisht, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, i akuzuari Qirkoviq u dënua me 1 vit burgim efektiv, ndërsa për veprën e dytë “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” iu shqiptua dënimi në kohëzgjatje prej 1 vit e 5 muaj burgim efektiv. Po ashtu, ai është dënuar edhe me 500 euro gjobë.

Pas kësaj, gjykata ka shpallur dënim unik prej 2 vite e 2 muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit do t’i konfiskohet sasia e narkotikut e llojit marihuanë me peshë prej 2 gramë, kartëmonedha në shumë prej 50 euro dhe dy telefona të llojit Samsung.

Kurse, i akuzuari Qirkoviq ka pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.

Ndërsa, pas ankesës së ushtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit me vendimin e 2 korrikut 2021, e ka refuzuar ankesën dhe e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 qershor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Vladimir Qirkoviq akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, oficer korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ashtu që më 27 maj 2021 në Veterrnik – Prishtinë, nga personi i panjohur ka marrë substancë narkotike me peshë 2 gramë dhe 50 euro, me qëllim që t’i shpërndajë tek i paraburgosuri Selman Selmani.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzë thuhet se në të njëjtën datë, në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, me qëllim të shpërndarjes ka futur substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që pasi është paraqitur në detyrë, është kontrolluar nga sigurimi i kësaj qendre dhe gjatë kontrollimit në trupin e tij është gjetur marihuanë me peshë 2 gramë.

Akti akuzues thotë se në momentin që sigurimi ka hasur në narkotikë tek i akuzuari Qirkoviq, ai ka tentuar ta gëlltit, mirëpo një gjë e tillë është parandaluar nga oficerët e sigurimit.

Më këto veprime, ai ngarkohej me dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotopre dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 dhe 1.8 të KPRK-së.

1 vit e 6 muaj burgim për 81-vjeçarin që pranoi se kultivoi 150 bimë të llojit marihuanë në Koshare
81-vjeçari A.H, shtetas i Shqipërisë, më 23 nëntor 2021, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, pasi ka pranuar se në gusht të këtij 2021-ës, në Koshare të Gjakovës, ka kultivuar dhe mbajtur 150 bimë të llojit marihuanë.

Me vendim, gjykata ka konfiskuar edhe narkotikun me peshë prej 000.1 gramë, që ishte marrë si mostër për ekzaminim, ndërsa trupat e shkurres janë asgjësuar pas fotografimit nga ana e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, i akuzuari A.H e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 19 nëntor 2021.

Kurse, Gjykata e Apelit me vendimin e 18 shkurtit 2022, e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë sa i përket dënimit, ashtu të akuzuarin A.H për veprën për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim, e ka gjykuar me dënim me burg me kohëzgjatje prej 6 muaj, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se A.H, më 5 gusht 2021, në zonën e fshatit Koshare të Komunës së Gjakovës, në afërsi të brezit kufitar me Shqipërinë, pa autorizim ka kultivuar dhe mbajtur substancë narkotike dhe atë 150 bimë, të cilat janë dyshuar të jenë të llojit marihuanë dhe atë me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.

Tutje në aktakuzë thuhet se gjatë kohë sa policia ka qenë në vëzhgim të parcelave të mbjella me marihuanë, aty rreth orës 05:20 vjen i akuzuari, i cili me vete kishte një sëpatë në dorë dhe disa shishe të thata të ujit me qëllim që t’i ujiste të dy parcelat, ashtu që nga ekzaminimi i kryer i një mostre, ka rezultuar të jetë e llojit marihuanë.

Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet.

6 muaj burgim dhe 200 euro gjobë, pasi pranoi se posedoi 6.5 gramë marihuanë
Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 prill 2022, e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë të akuzuarin V.P për posedimin e 6.5 gramëve marihuanë, pasi që kishte pranuar fajësinë. Të njëjtit i është konfiskuar edhe sasia e narkotikut.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 dhjetor 2018, njësia e stacionit policor Veriu më 22 gusht 2018 në fshatin Bardhosh në Prishtinë gjatë një patrullimi kishin ndaluar veturën e të akuzuarit V.P dhe gjatë kontrollimit i kishin gjetur dy qese të vogla të llojit marihuanë me peshë 6.5 gramë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë, V.P akuzohej se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, par.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Dënohet me 2 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë i akuzuari për sigurimin dhe transportimin e mbi 11 gramëve marihuanë
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 24 mars 2022, e ka shpallur fajtor dhe dënuar me dy vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë, të akuzuarin D.B, për blerje dhe posedim të 11.327 gramëve marihuanë, me qëllim transportimi. Gjykata urdhëroi edhe konfiskimin e narkotikut, në sasinë e cekur si në aktakuzë.

Ky rast tani gjendet në Gjykatën e Apelit pas ankesës së ushtruar nga prokuroria.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë me aktakuzën e 24 shkurtit 2022 e ngarkonte të akuzuarin D.B se më 27 nëntor 2021 në Veri të Mitrovicës, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, pa autorizim ka siguruar dhe transportuar substanca narkotike me sasi prej 11.327 gramë të shpallura me ligj si narkotik.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte ardhur nga Serbia në Mitrovicë dhe nga një person i paidentifikuar ishte furnizuar me marihuanë me sasi prej 11.327 gramë, sasi të cilën e kishte të vendosur në dy qese.

Pas sigurimit të substancës narkotike, thuhet se i njëjti duke e pritur autobusin për në Serbi, me qëllim të transportimit, shitjes dhe shpërndarjes së kësaj substance, aty ndalet nga pjesëtaret e njësisë së hetimeve kundër drogës.

Me rastin e legjitimimit, thuhet se i akuzuari ka filluar të manifestojë nervozë dhe sjellje jo të rëndomta duke ngjallur dyshime tek policia dhe me rastin e kontrollimit në çantën e udhëtimit të të akuzuarit, policia kanë hasur në 20 paketime marihuanë me sasi 11.327 gramë, e ku nga ekspertiza ka rezultuar se substancat narkotike kanë qenë me përbërje kanabis- marihuanë që përmban Tetrahidrokanabinol (THC), e cila substancë i është konfiskuar.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 267, par.2 lidhur me nenin 275, par. 1 nënpar. 1.9 të Kodit Penal.

Dënohet me një vit burgim dhe 500 euro gjobë i akuzuari se kishte poseduar me qëllim shitje rreth 13 gramë marihuanë
Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 28 shkurt 2022 të akuzuarin E.I, e ka dënuar me një vit burgim dhe 500 euro gjobë, pasi i njëjti u shpall fajtor për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

Ndërsa, pas ankesës së ushtruar nga prokuroria, ky rast tani gjendet në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me aktakuzën e 12 tetorit 2021, e akuzonte E.I se që nga data e pacaktuar e deri më 1 korrik 2021, në shtëpinë e tij, pa autorizim ka blerë ose poseduar me qëllim shitje, substanca narkotike të cilat janë shpallë me ligj si të tilla.

Në aktin akuzues thuhet se Njësia e DHTN-së në Mitrovicë Veri pas marrjes së urdhrit verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake për kontrollimin e shtëpisë së të pandehurit, ka bërë bastisjen e shtëpisë dhe gjatë bastisjes në çantën e krahut të të pandehurit janë gjendur 88 qese me narkotikë, të paketuara në qese plastike, të cilat substanca janë konfiskuar nga ana e policisë.

Pas raportit të ekspertimit, ka rezultuar se pesha neto e përgjithshme e substancave narkotike të gjetura është 12.39 gramë.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge nga neni 267, par.1 të KPRK-së, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy deri në tetë vjet.

Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari për posedim të rreth 3 gramë marihuanë

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan më 20 prill 2022 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B.H, duke e dënuar me 400 euro gjobë për akuzën “posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuari B.H, i cili e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare, për veprën e lartcekur, i është shqiptuar dënim me gjobë prej 400 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, substanca narkotike e llojit marihuanë me peshë 2.92 gramë konfiskohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 janar 2021, i akuzuari B.H akuzohej me veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 269, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhej se më 3 mars 2020, rreth orës 17:50 në Qendrën Korrektuese në Lipjan, i akuzuari ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, ashtu që gjatë kontrollit rutinor nga zyrtarët korrektues, në rrobat e të njëjtit është gjetur e më pas është konfiskuar një cigare e mbushur me substancë narkotike në peshë prej 2.92 gramë.

Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari për posedimin e 6 gramëve marihuanë

Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 prill 2022, e ka dënuar me 400 euro gjobë A.G, i akuzuar për posedimin e paautorizuar të 6 gramëve marihuanë, pasi e kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari A.G fillimisht u dënua me burgim prej 6 muajsh dhe 150 euro gjobë, mirëpo me pëlqimin e tij, dënimi me burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë prej 250 euro, ashtu që ndaj tij u shqiptua dënim unik prej 400 euro gjobë.

Të njëjtit i konfiskohet edhe substanca narkotike e llojit marihuanë prej 6 gramëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2019, A.G dhe G.N më 16 maj 2016 në parkun prapa shkollës “Xhemal Mustafa” në Prishtinë, ishin ndalur nga njësiti i policisë, ku gjatë kontrollit në çantën e të akuzuarit A.G kanë gjetur 4 qese me bari të gjelbër marihuanë me peshë 6 gramë.

Me këtë, A.G akuzohej se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, par.1 të Kodit Penal.

Mbrohet në heshtje i akuzuari për posedimin e mbi 3 gramëve marihuanë

Me aktakuzën e ngritur më 11 korrik 2019, i akuzuari P.H akuzohet se më 15 dhjetor 2016 në Prishtinë gjatë kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë, i janë gjetur dy qese substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë 3.4 gramë, të cilën i pandehuri e ka poseduar pa autorizim.

P.H po akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 275, par.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tre vjet.

Në seancën e 29 marsit 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i njëjti është mbrojtur në heshtje lidhur me akuzën për posedim të 3.4 gramëve marihuanë.

Kurse, për këtë rast ende nuk është caktuar seanca e shqyrtimit kryesor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme