Përfshirjen e serbëve të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi e ka parë të domosdoshëm Nenad Rashiq nga koalicioni parazgjedhor “Sloboda”.
Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni “Sloboda” ka deklaruar se në proces të bisedimeve duhet të bëhet e qartë se nuk ka ndryshim të kufijve, pasi kjo temë sipas tij vetëm sa e dëmton të gjithë procesin.
Ai në një bashkëbisedim me qytetarë nëpërmjet Facebook, organizuar nga Institutit Demokratik i Kosovës, është përgjigjur në pyetjet lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku kërkoi përfshirje direkte të serbëve të Kosovës në dialog, madje të jenë edhe iniciues të këtij procesi.
Rashiq tha se si koalicion “Sloboda” janë kundër të gjitha atyre elementeve që parashohin ndryshim të kufijve.
Rashiq: Nuk ka ndryshim të kufijve
“Është mirë të sqarohet para dialogut që nuk ka ndryshim të kufijve. Ky është një element esencial, i cili duhet të jetë i qartë për të gjithë. Prej ndryshimit të kufijve të gjithë ne humbim, jo vetëm si serbët, jo vetëm si shqiptarët. Por, paramendojeni nëse ndodhet në diplomaci që shtete të ndryshme që po kanë një bashkëpunim diplomatik me Kosovën kur duhet ta ndërrojnë hartën për shembull, duhet ta ndërrojnë krejt konceptin që e kanë pasur deri më tash për Kosovën. Në fund, te ne në nivelin teknik ose rajonal në terren do të ketë një ndikim absolutisht negativ, në veçanti për serbët e Kosovës, në veçanti për ata që nuk janë të integruar me tërë kapacitetet në shoqërinë kosovare”, tha ai.
Rashiq ka qenë kritik se deri më tani serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në procesin e dialogut, teksa shtoi se të gjithë duhet ta kuptojnë se cilado marrëveshje që bëhet pa qenë e iniciuar nga serbët e Kosovës, nuk do të jetë valide.
Rashiq: Gjatë procesit serbët e Kosovës kanë qenë të shmangur
“Fatkeqësisht, kemi pasur një eksperiencë të keqe ku ne si një faktor, ne si një element i cili është i rëndësishëm gjatë procesit kemi qenë të shmangur, apo të them më mirë nuk kemi qenë pjesë të bisedimeve. Por, duhet të kuptojmë se cilado marrëveshje që bëhet ose propozim marrëveshje pa iniciuar prej anës së serbëve të Kosovës ajo marrëveshje nuk ka me qenë relevante dhe sipas meje nuk ka me qenë valide. Ne jemi të vetmit të cilët më të vërtetë mund ta iniciojmë një pajtim mes popujve, mes shqiptaro-serbëve dhe kjo shpresoj që do të përdorim si një element kyç për vazhdimin jo vetëm të dialogut, por vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo që kemi pasur deri tash nuk ka qenë në nivelin profesional fatkeqësisht, keni pasur mundësi që ta shihni që në ato takimet, bisedat janë vetëm disa persona, individë politikë, të cilët nuk kanë pasur kurrfarë jo iniciativë, por as nuk kanë pasur kurrfarë sugjerimi sa i përket bisedave në Bruksel, kjo krejt na ka dëmtuar në formë ku serbët e Kosovës e kanë humbur absolutisht kanë humbur fuqi që ta ndryshojnë diçka gjatë procesit”, tha ai.
Rashiq ka treguar edhe arsyet se pse kërkojnë në proces të dialogut të jenë prezentë edhe serbët e Kosovës.
Rashiq: Kemi kërkuar së pari dialog mes serbëve të Kosovës
“Serbët e Kosovës aspak ose shumë pak kanë qenë pjesë të dialogut dhe në veçanti ne kemi kërkuar së pari, kjo është ndoshta një hap prapa, por ai hapi është kërkuar para dy viteve, ku kemi kërkuar së pari bisedë ose dialog mes neve, mes serbëve të Kosovës bash për shkak të keqpërdorimit të pozitës së serbëve ku secili prej personave, individëve del dhe po dëshiron të tregojë qëndrimet e veta pa u konsultuar ose pa pasur kurrfarë autoriteti dhe integriteti persona. Që të kuptohemi në këtë aspekt sa i përket bisedave, neve na duhet në procesin e bisedimeve na duhen njerëz autoktonë, autentikë, serbët e Kosovës. Këtu kam jetuar tërë jetën dhe normalisht krejt planet që i kam në të ardhmen jo vetëm për mua por edhe familjen time i kam të lidhura me Kosovën. Në atë aspekt aty duhet të kërkohet përfaqësim dhe aty duhet të stimulohet një angazhim më të madh të serbëve të Kosovës”, tha ai.
Nga qytetarët është pyetur se si e vlerëson krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku Rashiq deklaroi se në këtë moment nuk sheh hapësirë ku mund të instalohet ‘një nivel i tretë i pushtetit’.
Rashiq: Nuk shoh hapësirë ku mund të instalohet një nivel i tretë i pushtetit
“Këtë aspekt ka mbetur në një vakum ose siç kam thënë edhe më herët unë në këtë moment nuk e shoh hapësirë ku mund të instalohet një nivel i tretë i pushtetit. Atëherë nëse një gjë e tillë po ndërtohet ose po përpiqet të bëhet kjo do të merr shumë kohë dhe ndryshimi i shumë ligjeve. Nuk konsideroj nga aspekti institucional që kjo është reale në këtë moment. Prandaj, këtë dimension të asociacionit unë e kisha ndërtuar nga aspekti profesional, do të thotë në aspektin e ekonomisë ku mund të veprohet prapë në formën ku ndërtohet një sistem stabil ekonomik, pastaj krejt këto elemente do të shkojnë hap pas hapi drejt realizimit”, deklaroi ai.
Ai është pyetur nga qytetarët se a beson që koalicioni “Sloboda” e largon ndikimin negativ që Beogradi e ka pasur në vazhdimësi nëpërmjet listës serbe dhe a e njeh ky koalicion pavarësinë e Kosovës.
Rashiq deklaroi se ndikimi negativ që është krijuar prej Listës Serbe nuk mund të riparohet në 10 vjetët e ardhshme, pasi ka ndikuar që serbët e Kosovës të mos integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës.
Sa i përket pavarësisë së Kosovës, Rashiq tha se gjithmonë kanë punuar që të ndërtohet një shoqëri moderne e cila e njeh dhe e pranon çdo qytetarë të saj. Ai tha se në këtë frymë është edhe kandidatura e tij për kryeministër, pasi ka kërkuar rivalitet të barabartë me kandidatët shqiptarë.
I pyetur nga qytetarët se a do të arrihet paqja mes serbëve dhe shqiptarëve, Rashiq u shpreh optimist.
Rashiq: Jam i bindur se do të arrihet paqja mes shqiptarëve dhe serbëve
“Po, unë jam i bindur që kjo do të arrihet, por me persona me njerëz të duhur. Ne së pari duhet të kuptojmë çka është demokracia ose çka është toleranca, duhet të bisedojmë në nivelin e barabartë dhe unë jam i gatshëm, jo vetëm unë, por kolegët e mi nga koalicioni ‘Sloboda’ që ta marrim të gjithë nivelin e përgjegjësisë institucionale e shoqërore. Kjo do të thotë se ne nuk do të jemi politikan kur kemi benefite, pastaj nuk do të bëhemi, ju duhet të jeni brenda procesit 100 për qind që do të thotë marrjen e përgjegjësisë qoftë në nivelin politik, institucional, shoqëror apo ekspertësh. Jam i sigurt që këtë plan që e kemi ne sa i përket inicimit të dialogut, inicimit të pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve, inicimin e një dialogu fetar dhe në veçanti një përfaqësim të personave përgjegjës brenda institucioneve të Kosovës sikur është koalicioni jonë do të tregojë se një pajtim mes serbëve dh e shqiptarëve është i mundshëm”, tha ai.
Rashiq është pyetur edhe pse shteti serb nuk e pranon gjenocidin e kryer në Kosovë, ku ai ka thënë se nga të dyja palët ka pasur krime individuale për çka nuk duhet të fajësohet tërë populli.
Rashiq: Secili krim ka emër e mbiemër, s’mund të fajësohet tërë popull
“Nuk mund të flas në emër të shtetit serb, por e di një gjë çka do të propozojmë ne gjatë procesit të pajtimit. Do të propozojmë që të dyja anët apo të dyja palët kanë pasur krime individuale, por secili krim ka emër dhe mbiemër, nuk mund të fajësohet tërë populli, sikur që nuk mund të thuhet që të gjithë janë fajtorë. Por, jemi për një gjetje të gjithë atyre kriminelëve, të gjithë ata që kanë pasur rolin dhe kanë pasur veprime, të cilat kanë qenë të kundërligjshme ashtu që njëherë e përgjithmonë të sqarojmë dhe ta dimë në veçanti familjet e tyre ta dinë kush është fajtori, kush është vrasësi dhe ai vrasësi duhet të dalë para gjykatës dhe ta ketë dënimin si e meriton”, deklaroi ai.
Ai është pyetur edhe për atë se pse të gjitha problemet ndodhin në veri të Mitrovicës dhe jo në Graçanicë, Ranillugë, Kllokot, për çka ai tha se serbët e jugut janë më të moderuar dhe më të gatshëm për bashkëjetesë, teksa serbët e veriut janë të ndikuar nga ana e institucioneve serbe.
Rashiq është pyetur edhe për atë se a do të jenë parti e serbëve të Kosovës apo parti me urdhra të Beogradit, për çka ai tha se asnjëherë nuk ka qenë person që është udhëhequr nga dikush.
Ai ka rikujtuar kur në vitin 2014 ka refuzuar të jetë pjesë e Listës Serbe, pasi sipas tij kjo ka qenë kundër interesave të serbëve të Kosovës. Rashiq u shpreh se në mënyrë politike e ka paguar këtë qëndrim të tij, por që tha se prapë do të kishte vepruar në mënyrë të njëjtë.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...