Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian Igor Soltes në një intervistë për portalin “Arbresh.info ka thënë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi duhet të ndodhë sa më shpejtë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën shengen.
Sipas tij, kusht tjetër pos demarkacionit është edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por, thotë se kjo gjë nuk duhet të bëhet vetëm për liberalizim të vizave.
” Kjo nuk duhet të bëhet vetëm për qëllimin e liberalizimit të vizave, por më së shumti me qëllimin e përmirësimit të jetëve te të gjithë qytetarëve të Kosovës në përgjithësi”, ka thënë ai.
Ndërsa, ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht rekomandimet , kërkesat e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare.
Kjo pasi që Soltes vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme që nuk është qëllimi i askujt t’i dënojë apo neglizhojë.
Ndërsa për iniciativën e ligjvënësve të vendit për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale ka deklaruar se kjo iniciativë tregon që disa njerëz në Kosovë nuk e dinë rëndësinë e Institucioneve ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.
Lexoni më poshtë Intervistën e plotë:
Arbresh.info: Zotëri Soltes e dimë që demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dy kushte që janë vënë nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për liberalizim të vizave. Sa ka punuar sipas jush Kosova në këtë drejtim?
Soltes: Do të doja të thosha që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një punë në progres. Gjithashtu njerëzit në Kosovë janë duke thënë, dhe pajtohem me ta, që ka shumë që duhet bërë në këtë fushë dhe ka vend për përmirësime. Për Demarkacionin është thënë shumë tashmë, kështu që do doja të theksoja që topi është në anën e Kosovës tani dhe politikanët e saj që kanë 2/3 e shumicës për ratifikim të demarkacionit kufitar me Malin e Zi.
Arbresh.info: Cili është afati i fundit që duhet të ratifikohet demarkacioni në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm?
Soltes: Sa më parë të jetë e mundur, pasi që pritej që të hiqej regjimi i vizave qysh në vitin 2017. Mendoj që gjashtë muajt në vijim janë vendimtar për Kosovën dhe një hap drejt liberalizimit të vizave.
Arbresh.info: Nëse demarkacioni ratifikohet në tre muajt e parë të këtij viti, a mund të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në këtë vit?
Soltes: Fatkeqësisht kjo nuk varet nga unë, por Komisioni Evropian mbikëqyr për së afërmi progresin e secilit shtet të Ballkanit Perëndimor dhe vendos nëse është bërë përparim i mjaftueshëm për fushat që kërkohen. Ne nuk duhet të harrojmë që përveç kushtit për demarkacionin kufitar, është edhe kushti për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe duhet të respektohet në tërësi.
Arbresh.info: Nëse demarkacioni ratifikohet a do të jetë pengesë për liberalizim të vizave korrupsioni dhe krimi i organizuar?
Soltes: Sinqerisht shpresoj që korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do të jenë problem për procesin e liberalizimit të vizave. Por, sikurse është thënë në pyetjen paraprake nga qeveria e Kosovës pritet që të bëjë punën e saj për të përmirësuar situatën në terren kur vjen puna për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm për qëllimin e liberalizimit të vizave, por më së shumti me qëllimin e përmirësimit të jetëve te të gjithë qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.
Arbresh.info: A mendoni që kushti për ratifikim të demarkacionit është kusht i drejtë që i është vendosë Kosovës, kur dihet që vendet tjera nuk e kanë pasur këtë kusht?
Soltes: Në debatin e djeshëm me kryeministrin kroat z. Plenkoviq në Parlamentin Evropian, z.Juncker tha që asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk do të hyjnë në BE pa zgjidhur problemet dypalëshe që kanë me njëri tjetrin, përfshirë problemet me kufijtë, para kësaj. Mund të imagjinojë që Komisioni Evropian është duke u treguar i kujdesshëm këtu, posaçërisht për shkak se vendimi përfundimtar i Arbitrazhit për kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë ka qenë i koklavitur dhe përkundër verdiktit të gjykatës problemi ende vazhdon. Do të doja të theksoja sundimin e ligjit dhe të them që nëse vendimi i gjykatës është i qartë ai duhet të respektohet dhe implementohet nga të dyja palët. Kjo vlen për shtetet anëtare të BE-së dhe për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Arbresh.info: Cila është thirrja juaj për institucionet e Kosovës?
Soltes: Do t’u bëja thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë për interesa të qytetarëve të tyre dhe vendit. Kjo do të thotë t’i marrin seriozisht rekomandimet, kërkesat e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme që nuk është qëllimi i askujt që t’i dënojë apo neglizhojë, por duan t’i ndihmojnë në mënyrën më të mirë për t’u përmirësuar dhe të bëhen më të mirët të mundshëm. Është në interesin e të gjithëve të kenë regjim të lirë të vizave për Kosovën, pasi që përmirësohen jetët e qytetarëve dhe ndihmohet shteti ekonomikisht.
Arbresh.info: Ligjvënësit e Kosovës së fundi kanë marrë edhe një iniciativë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. A mund të ketë pasoja kjo gjë në liberalizimin e vizave?
Soltes: Kjo iniciativë tregon që disa njerëz në Kosovë nuk e dinë rolin dhe rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Qëllimi i Gjykatës Speciale është të zgjidhen çështjet nga koha e konflikteve dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm. Adoptimi i një legjislature të tillë do të ishte një lëvizje e rrezikshme që minon sundimin e ligjit dhe besueshmërinë e Kosovës si një partner i BE-së. Një veprim i tillë do të rrezikonte gjithë punën e përbashkët që është bërë viteve të fundit në sundimin e ligjit dhe do të minonte të gjithë ata që janë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nëse kjo tentativë do të ketë sukses, do të ketë implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Sinqerisht shpresoj që këto përpjekje nuk do të jenë qëndrim zyrtar i qeverisë së Kosovës./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...