Google ADS

Raportuesi i PE-së: Disa njerëz në Kosovë nuk e dinë rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare

09:54 | 8 Shkurt 2018
Arbresh.info

Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale tregon që disa njerëz në Kosovë nuk e dinë rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare, kështu ka thënë Igor Soltes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një intervistë për portalin “Arbresh.info”.

Ai ka thënë se një përpjekje e tillë është lëvizje e rrezikshme që vë në rrezik gjithë punën e përbashkët Kosovë-BE në aspektin e sundimit të ligjit.

Sipas Soltes shfuqizimi i Speciales do të kishte implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës.

“Kjo iniciativë tregon që disa njerëz në Kosovë nuk e dinë rolin dhe rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Qëllimi i Gjykatës Speciale është të zgjidhen çështjet nga koha e konflikteve dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm. Adoptimi i një legjislature të tillë do të ishte një lëvizje e rrezikshme që minon sundimin e ligjit dhe besueshmërinë e Kosovës si një partner i BE-së. Një veprim i tillë do të rrezikonte gjithë punën e përbashkët që është bërë viteve të fundit në sundimin e ligjit dhe do të minonte të gjithë ata që janë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nëse kjo tentativë do të ketë sukses, do të ketë implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Sinqerisht shpresoj që këto përpjekje nuk do të jenë qëndrim zyrtar i qeverisë së Kosovës”, është shprehur Soltes./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme