Google ADS

Raporton Tahiri: Marrëveshjet e Brukselit, në pritje të zbatimit

09:26 | 24 Korrik 2017
Arbresh.info

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, ka njoftuar vetë ajo përmes një komunikate për media.

Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre.

Në vijim gjeni tekstin integral të këtij raporti dhe bashkëngjitur edhe dokumentin origjinal në gjuhën angleze

Për: Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian

Nga: Edita Tahiri, Ministre për Dialog dhe Kryenegociatore
Data: 06 korrik 2017; Nr.ref 064/2017

Subjekti: Marrëveshjet e Brukselit në pritje të zbatimit

Janë një numër i marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit që janë në pritje të zbatimit. Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.
I. Marrëveshjet e bllokuara ose të penguara nga Serbia
Serbia ka bllokuar marrëveshjet për energji, drejtësi, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e “mbrojtjes civile” / gjegjësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës ku ish anëtarët “MC ” janë të punësuar. Ndërsa ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë, në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit.

1. Energjia
Siç mund të dini, marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013. Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës. Ne besojmë se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomike. Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund të aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova përkatësisht KOSTT ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën. Nëse vonesat vazhdojnë, Kosova do të detyrohet të zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse pas 9 viteve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, ajo ka legjitimitet për të mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj.

2. Drejtësia
Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë. Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj.

3. Diplomat
Edhe në fushën e arsimit, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.
Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës.

4. Kadastra
Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999. Sidoqoftë, që kur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës.

5. “Mbrojtja civile” – pengohet zbatimi përfundimtar
Përveç problemeve të krijuara nga bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjeve të lartpërmendura shumë të rëndësishme për Kosovën, kohët e fundit kemi vërejtur sabotime të Serbisë ndaj marrëveshjeve të caktuara, të tilla si sabotimi i çështjes së objekteve për institucionet e Kosovës të cilat kanë punësuar ish-anëtarët e “mbrojtjes civile”. Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar. Përveç kësaj, objektet e ish “mbrojtjes civile” të cilat duhej t’i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende. BE-ja nuk ka mundur të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani, megjithëse ne po këmbëngulim vazhdimisht.

6. Serbia ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë – në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit
Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.
Kjo qasje dualiste e Serbisë ndaj dialogut të Brukselit cenon në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Prova më e mirë është fakti se edhe pas gjashtë viteve të këtij dialogu, ministrat e qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore. BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë heqjen e kësaj pengese serioze për procesin e normalizimit.

7. Rivitalizimi i Urës së Mitrovicës – i penguar
Barrikada është hequr nga Ura e Mitrovicës në vitin 2016, por rivitalizimi i plotë i urës është penguar nga Serbia përmes disa provokimeve djallëzore dhe destabilizuese ndaj Kosovës, siç ishte muri ilegal në Mitrovicë dhe një tren bizar që synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Si pasojë, ura ende nuk është hapur për lëvizje të lirë të njerëzve dhe automjeteve, megjithëse ishte planifikuar për në janar 2017, siç parashikohej në Marrëveshjen e Brukselit.

8. Rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore – i penguar
Pas heqjes së murit ilegal në Mitrovicë në shkurt të vitit 2017, përmes dialogut midis Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, mbështetur nga dy raunde të nivelit të lartë politik të bisedimeve në Bruksel në muajt janar dhe shkurt, rivitalizimi i rrugës kryesore filloi në bazë të planit të dakorduar.
Megjithatë, procesi është ndërprerë/penguar nga Serbia, prandaj rivitalizimi i rrugës për këmbësor është bllokuar. Kjo gjithashtu ka shkaktuar ngecje në përfundimin e rivitalizimit të urës.
II. Marrëveshjet e vonuara nga Kosova

1. Asociacioni
Pas zbatimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, Kosova ka lëvizur drejt nisjes së zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Takimi i parë konsultativ u mbajt në fillim të muajit dhjetor, megjithatë shfaqja e murit ilegal në Mitrovicën e Veriut, e orkestruar nga Serbia, ka ndërprerë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Pas heqjes së murit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë të trenit provokues, Kosova përsëri bëri përpjekje për rifillimin e zbatimit gjatë marsit të vitit 2017. Megjithatë, Serbia përsëri pengoi procesin duke insistuar që zbatimi të fillonte në Bruksel në vend se në Prishtinë, që ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Dhe, kur Kosova ishte fleksibile për mundësinë që zbatimi të fillonte në Prishtinë dhe më pas të mbahej një takim në Bruksel, përfaqësuesit e komunitetit serb, të udhëzuar negativisht nga Serbia, refuzuan të ktheheshin në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, Parlamenti i Kosovës pezulloi dialogun deri në lirimin e z. Ramush Haradinaj i cili u mbajt në paraburgim në Francë për shkak të një fletë arresti arbitrar të lëshuar nga Serbia. Kur mbaroi pezullimi pas lirimit të tij dhe kur përfaqësuesit e komunitetit Serb vendosën të ktheheshin në institucionet e Kosovës (domethënë kur Serbia u kërkoi atyre të ktheheshin), Kosova veçse hyri në zgjedhjet e parakohshme shtetërore dhe e gjithë agjenda e qeverisë u vë në pritje.
Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova do të vazhdojë të përmbushë këto detyrime, siç ka bërë me të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga Dialogu i Brukselit, në gjashtë vitet e fundit.

2. Asociacioni dhe Largimi i strukturave paralele – në sinkron
Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar.

3. Reciprociteti për targat e regjistrimit të automjeteve
Kjo marrëveshje u arrit në shtator të vitit 2016 dhe ishte planifikuar të fillonte zbatimin më 15 nëntor të vitit 2016. Kosova ka vonuar zbatimin e saj për shkak të vonesave në miratimin e vendimeve të nevojshme lidhur me zbatimin. Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje dhe vendimet pasuese u morën nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, dinamika e zgjedhjeve në Serbi, pastaj pezullimi i dialogut nga Parlamenti i Kosovës dhe zgjedhjet në Kosovë kanë penguar rifillimin e zbatimit. Kosova e informoi BE-në rreth gatishmërisë për zbatimin dhe këmbënguli që afati i ripërtërirë të dakordohet midis palëve përmes komunikimit elektronik. Megjithatë BE njoftoi se pala serbe këmbëngul që dakordimi të bëhet përmes një takimi të palëve që duhet të zhvillohet në Bruksel. Kosova është e gatshme për zbatim.
Përfundime

Zbatimi i marrëveshjeve në pritje duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo vonesë e mëtejshme do të ndikonte negativisht në të arriturat e deritashme në këtë dialog dhe do të dëmtonte besimin e publikut ndaj këtij procesi.
Është e qartë se pala serbe ka dështuar seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të saj.
Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë. Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, u stabilizua situata. Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.

Ne besojmë se përkushtimet për këtë dialog mund të dëshmohen si të besueshme vetëm nëse të dyja shtetet vazhdojnë me zbatimin e plotë të detyrimeve të tyre. Zbatimi i mirëfilltë i marrëveshjeve të arritura dhe dialogu i mëtejshëm që do të finalizohet me njohjen reciproke midis dy shteteve, Kosova dhe Serbia jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre evropiane, por gjithashtu do të mënjanojnë çdo mosmarrëveshje ndërshtetërore që u mundëson brezave të ardhshëm të të dy shteteve të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.

Unë mund të siguroj se Kosova do të vazhdojë në rrugën e sajë drejt të ardhmes Euro-Atlantike, sepse ne ndajmë vlera të përbashkëta. Unë besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u ankoruar kah Perëndimi, megjithëse në këtë drejtim partnerët tanë perëndimorë duhet të na mbështesin me ma shumë vendosmëri, për të na ndihmuar në përballimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë që troket në dyert tona, qoftë të natyrës gjeopolitike apo ndonjë natyre tjetër. Alternativat tjera i përkasin të kaluarës dhe duhet të mbeten në të kaluarën.
Dëshiroj të theksoj se BE mbetet një faktor vendimtar për të ndihmuar në përshpejtimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të këtij dialogu. Ne konsiderojmë se roli i Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e këtij dialogu, përfundon komunikata.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme