Google ADS

Raporti vjetor i Demokracisë: Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, Serbia e fundit

22:37 | 7 Mars 2024
E.H

Instituti suedez V-Dem ka publikuar raportin vjetor të Demokracisë për vitin 2024.

Në raport bëhet e ditur se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për demokraci, ndërsa Serbia e fundit.

V-Dem ka katër kategori të demokracisë, ku më e mira është ajo liberale, e dyta është demokracia elektorale, e treta është autokraci zgjedhore dhe e katërta është autokraci e mbyllur.

Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në kategorinë e dytë, atë të “demokracisë zgjedhore”, ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina kanë mbetur në “zonën gri”, mes demokracive dhe autokracive.

Ndërsa, Serbia është konsideruar si një “autokraci zgjedhore” nga Instituti V-Dem që nga viti 2014.

Në raportin e këtij viti, Mali i Zi u bë një “demokraci zgjedhore” për herë të parë, ndërsa Maqedonia e Veriut u kthye në këtë kategori pasi ra në “zonën gri” vitin e kaluar, kurse Kosova është në këtë kategori që nga viti 2014.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, nga ana tjetër, kanë mbetur në “zonën gri demokratike”, që do të thotë se V-Dem nuk i konsideron rezultatet e tyre të demokracisë aq të larta sa të kategorizohen në “demokracitë elektorale”.

Instituti V-Dem ka thënë se Kosova renditet si e 62-ta nga 170 shtete në Indeksin e Demokracisë Liberale dhe mbetet vendi me rezultatin më të mirë ne Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa, Mali i Zi është në vendin e 67-të, i ndjekur nga Shqipëria e cila është në vendin e 82-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 89-të, Bosnja në vendin e 92-të dhe Serbia në vendin e 107-të.

Të ngjashme