Raporti i Progresit i Komisionit Evropian e ka vlerësuar mjaft dobët shëndetësinë për vitin 2018. Në këtë raport theksohet mungesa e zbatimit të ligjeve në këtë sektor, shpenzimet e larta nga xhepi i pacientëve, mungesën e efikasitetit, llogaridhënies dhe cilësisë, ndërsa thekson edhe moszbatimin e ligjit për transplantimin e indeve dhe organeve
Në këtë raport theksohet se strategjia e sektorit të shëndetësisë 2017-2021 ka shumë mangësi duke përfshirë nivelin e ulët të produktivitetit të institucioneve shëndetësore, mungesë e të dhënave të besueshme.
Raporti alarmon se “Rreth 30% të popullatës së Kosovës nuk arrin të marrë shërbime shëndetësore për shkak të varfërisë së skajshme”, thuhet në raport, transmeton Gazeta Shneta.
“Shpenzimet e ulëta publike në shëndetësi mbesin brengosëse. Më 2016, u vlerësua që vetëm 40% të nevojave të përgjithshme vjetore për shëndetësi publike mbulohen. Fondet e alokuara kryesisht shpenzohen për të mbuluar kosto fikse (rreth 68%), duke lënë vetëm rreth 32% për kosto direkte të pacientëve, lidhur me diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin. Financimi i shëndetësisë kryesisht bazohet në shpenzimet historike. Llogaridhënia institucionale është e dobët, si dhe nuk ka stimuj të qartë për të rritur produktivitetin, efikasitetin dhe cilësinë në sektorin shëndetësor”, thuhet tutje në raport.
Raporti përmend edhe mungesën e zbatimit të Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, i cili pjesërisht është i përafruar me ligjet dhe standardet evropiane. Megjithatë në muajin e fundit Policia e Kosovës bashkë me Inspektoratin Shëndetësor kanë bastisur dhe inspektuar tri klinika private ku janë arrestuar disa persona në lidhje me dyshimet për shkelje të këtij ligji.
Raporti i plotë për sektorin e shëndetësisë:
Tek politika e shëndetit publik,
Kosova ka miratuar disa udhëzime administrative dhe një strategji komunikimi në mbështetje të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, por zbatimi i tyre mbetet i ngadalshëm si dhe është vonuar edhe më shumë pasi që fillimi i mbledhjes së premiumeve është shtyrë deri në fund të vitit 2018.
Strategjia e re e sektorit të shëndetësisë 2017-2021 si dhe planit të veprimit ka filluar në shkurt të vitit 2017. Strategjia qartë paraqet disa mangësi në sektorin shëndetësor, duke përfshirë nivelet e ulëta të produktivitetit të institucioneve shëndetësore, si dhe mungesën e të dhënave të besueshme, por për shkak të mekanizmave institucionalë dhe monitorues, strategjia nuk është duke u zbatuar.
Rreth 30% të popullatës së Kosovës nuk arrin të marrë shërbime shëndetësore për shkak të varfërisë së skajshme.
Shpenzimet e ulëta publike në shëndetësi mbesin brengosëse. Më 2016, u vlerësua që vetëm 40% të nevojave të përgjithshme vjetore për shëndetësi publike mbulohen. Fondet e alokuara kryesisht shpenzohen për të mbuluar kosto fikse (rreth 68%), duke lënë vetëm rreth 32% për kosto direkte të pacientëve, lidhur me diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin. Financimi i shëndetësisë kryesisht bazohet në shpenzimet historike. Llogaridhënia institucionale është e dobët, si dhe nuk ka stimuj të qartë për të rritur produktivitetin, efikasitetin dhe cilësinë në sektorin shëndetësor.
Shpenzimet private (nga xhepi) mbeten të larta, si dhe vlerësohen të jenë 40% të shpenzimeve totale mjekësore.
Kosova ka një Ligj gjithëpërfshirës të Kontrollimit të Duhanit, por niveli i zbatimit të tij ka vazhduar të bjerë, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performancës së dobët të autoriteteve zbatuese.
Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes në këtë fushë. Nuk ka pasur progres në mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit.
Kosova duhet që posaçërisht:
Të rrisë angazhimin e shoqërisë civile në mbrojtjen e konsumatorit dhe të drejtave të konsumatorit, si dhe të sigurojë numër adekuat të inspektorëve dhe mbikëqyrjen e tregut;
Të rrisë resurset financiar për të mundësuar jetësimin e reformave të sektorit shëndetësor, duke përfshirë edhe përhapjen e mëtutjeshme të Sistemit Informativ elektronik Shëndetësor.
Tek gjaku, indet, qelizat dhe organet, Ligji i vitit 2014 për transplantimin e indeve dhe qelizave, që është pjesërisht i përafruar me acquis, nuk po zbatohet plotësisht. Ende nuk është miratuar Ligji për transfuzionin e gjakut. Përafrimi i plotë i të dy ligjeve me acquis kërkon resurset e domosdoshme, kapacitetet administrative dhe monitoruese.
Në fushën e kërcënimeve serioze shëndetësore ndërkufitare, duke përfshirë sëmundjet ngjitëse, legjislacioni nuk është i përafruar me acquis. Mbulimi me imunizim në vitin 2017 ishte më i ulët sesa më 2016. Ka gjithashtu rënie edhe në vaksinimin e fëmijëve në mosha shkollore.
Kosova ende nuk ka plan veprimi të përditësuar të rezistencës antimikrobike (AMR). përshkrimi i antibiotikëve duhet të kontrollohet më afërsisht për të parandaluar rezistencën anti-mikrobike.
Sa i përket të drejtave të pacientëve në shëndetësi ndërkufitare, legjislacioni i Kosovës nuk është i përafruar me acquis. Kosova është duke zhvilluar një Sistem Informativ elektronik të Shëndetit (eSISH), në bazë të Treguesve themelorë Evropianë të Shëndetit, i cili përfshin të dhënat për pranimin, lirimet dhe transferimet e pacientëve, edhe pse aktualisht mbulon vetëm rreth 30% të institucioneve publike shëndetësore. Nevojitet përkushtim i fuqishëm për të siguruar përhapjen e plotë të SISH-it në të gjitha institucionet shëndetësore. Funksionet tjera (barnatoret, patologjia, radiologjia, transfuzioni i gjakut, vaksinimi dhe intervenimet tjera, etj.) duhen shtuar, ndërsa mbulimi të zgjerohet për të mbështetur politikën shëndetësore të bazuar në evidenca.
Legjislacioni i Kosovës në lidhje me barnat për njerëz dhe veterinari nuk është i përafruar me acquis. Promovimi shëndetësor në lidhje me sëmundjet jo-ngjitëse mbetet i dobët. Kosova nuk ka ndonjë strategji e as plan veprimi në këtë fushë. Aktualisht, Kosova po planifikon të ndërmarrë një Hulumtim Gjithëpërfshirës mbi Faktorët e Rrezikshmërisë për Sëmundjet Jo-ngjitëse, i cili do të mbështeste hartimin e një strategjie dhe plani të veprimit të bazuar në evidenca. Sa i përket skriningut për kancer, nuk ka ndonjë strategji për kontrollim të kancerit në fuqi. Gjatë vitit 2017, u ndërmor një pilot-program kontrollimi për kancerin e mitrës në Prishtinë.
Legjislacioni për shëndetin mendor nuk është i përafruar me acquis.
Tek ushqyeshmëria dhe aktiviteti fizik, nuk ka legjislacion në zbatim.
Tek pabarazitë shëndetësore, Kosova aktualisht nuk ofron sigurim universal shëndetësor, si dhe kështu shpenzimet nga xhepi për shërbime shëndetësore mbeten të larta. Vlerësohet që rreth një e treta e popullsisë nuk ka qasje të lehtë në shërbime shëndetësore, ose kanë qasje të kufizuar për shkak të mungesës së fondeve, si dhe që 18% të popullsisë, për shkak të arsyeve ekonomike, nuk kërkon shërbime mjekësore në rast të sëmundjes. Mbulimi i komuniteteve rom dhe ashkali mbetet brengosës në kuptimin e imunizimit, ku vetëm tre në dhjetë fëmijë janë plotësisht të imunizuar.
Mungesa e informatave mbi shërbimet e ofruara nga institucionet publike dhe rastet e diskriminimit, kanë gjithashtu efekt negativ në qasjen në shërbime shëndetësore.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...