Google ADS

Raporti i OJQ-ve për Qendrën e Riciklimit është i motivuar politikisht, tenderi u vërtetua nga OShP se ishte në rregull

17:46 | 23 Tetor 2019
Arbresh.info

Komuna e Mitrovicës ka reaguar ndaj një raporti të disa OJQ-ve.

Përmes një komunikate për media Komuna e Mitrovicës thotë se janë bërë akuza të pabaza dhe tendencioze ndaj kësaj komune në lidhje me tenderin për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’.

“Ky raport i tyre është joprofesional dhe është i motivuar politikisht ndaj komunës së Mitrovicës, pasi që kryesisht është bërë nga OJQ “CBM”, të cilën e ka udhëhequr për më shumë se një dekadë Valdete Idrizi, ish kandidate e PDK-së për kryetare të Mitrovicës dhe në zgjedhjet e fundit kandidate nga kjo parti për deputete”, thuhet në reagim.

Tutje Komuna e Mitrovicës thotë se për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’ i ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara tenderuese sipas legjislacionit në fuqi në vitin e kaluar.

Reagimi i plotë:

Është për keqardhje një raport i disa OJQ-ve që kanë bërë akuza të pabaza dhe tendencioze ndaj komunës së Mitrovicës në lidhje me tenderin për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’.
Ky raport i tyre është joprofesional dhe është i motivuar politikisht ndaj komunës së Mitrovicës, pasi që kryesisht është bërë nga OJQ “CBM”, të cilën e ka udhëhequr për më shumë se një dekadë Valdete Idrizi, ish kandidate e PDK-së për kryetare të Mitrovicës dhe në zgjedhjet e fundit kandidate nga kjo parti për deputete. Pas dështimit të saj në të dy garat, ajo po i nxit elementët e saj të lëna në këtë OJQ dhe OJQ-të tjera që janë financuar përmes “CBM”-it, që t’i vërsulen udhëheqjes komunale me sulme politike nën petkun e shoqërisë civile.
Komuna e Mitrovicës për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’ i ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara tenderuese sipas legjislacionit në fuqi në vitin e kaluar, ku edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si instancë e fundit e vendimmarrjes për ankesat e operatorëve ekonomik ka vlerësuar se janë zbatuar me rregull të gjitha procedurat e parapara ligjore.
Vet fakti që raporti dhe reagimi bëhet 1 vit e katër muaj pas dorëzimit të ofertave nga operatorët ekonomik tregon se ky raport është tendecioz, pasi që është publikuar jashtë kontekstit kohor të këtij aktiviteti.
Komuna e Mitrovicës për hir të opinionit bën të ditur faktin se tenderi është shpallur më datë 11.05.2018 dhe kanë aplikuar dy kompani, “ALFA I” dhe “TEHNIX”, me ç’rast fitues është shpallur kompania “ALFA I”, ku njëra nga arsyet kryesore ishte edhe çmimi më e lirë për rreth 100 mijë euro.
Përveç çmimit ekonomimisht më të shtrenjtë, oferta e kompanisë “TEHNIX” është refuzuar pasi që ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publiku, për shkak se nuk i ka përmbushur kriteret sipas dosjes së tenderit ku i munguar ‘deklarata nën betim’, si dhe ka aplikuar me ‘ISO Standarde’ me afat të skaduar, gjë që e ka bërë operator të pa përgjegjshëm. Këtë e ka vërtetuar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, duke e lënë në fuqi vendimin e komunës për shpalljen fitues të tenderit kompaninë “ALFA I”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme