Google ADS

Raporti i Dick Marty për Kosovën, Rama: Lajmi më i tmerrshëm i rremë i shpërndarë

16:29 | 12 Tetor 2022
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës foli kundër raportit të Dick Marty-t e miratuar nga KiE në Janar të vitit 2011.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se ky raport është lajmi më i tmerrshëm i rremë.

Rama u shpreh se pretendimet në raport janë të pavërtetuara.

Sipas Ramës, mocioni në Asamblenë e Këshillit të Europës u ngrit nga një deputet i partisë së Vladimir Putin.

“Ajo çfarë ka rëndësi këtu është që raporti përmendte me emër drejtues të lartë të UÇK-së dhe i akuzonte për kryerjen e krimeve të tmerrshme përfshi trafikimin e organeve gjatë dhe pas luftës, në 1998 – 1999.

Ndërkohë që raporti nuk prodhoi as atëherë e as në kohët më pas, meqë ra fjala, që ta dini, delegacioni shqiptar këtu i pranishëm atëherë, nuk e pengoi këtë dhe megjithëse nuk pati asnjë provë, nga ato që autorët pretenduan se kishin përftuar gjatë hetimit, u miratua në tërësi dhe fjalë për fjalë në një rezolutë të kësaj asambleje në Janar të 2011.

Jam këtu sot në 2022 dhe ka një arsye për këtë.

Jo sepse unë dhe ne në Shqipëri e zbuluam sot që ky ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë i shpërndarë përmes vetë duarve të nderuara të KiE, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare së cilës do i kthehem më vonë.

Shpresoj të kuptoni seriozitetin e të gjithë kësaj. Më lini ta përsëris.

Pretendime tërësisht të pavërtetura të një ish-prokuroreje të përgjithshme në kërkim të shitjeve të mëdha të librave të saj.

E dimë se çfarë ndodh me njerëzit që largohen nga detyra dhe hartojnë kujtimet e tyre, çoi në një mocion, i paraqitur nga një parlamentar i “Rusia e bashkuar” që u shndërrua në një raport të KiE, mbështetur në burime tejet të dyshimta që më pas u shndërruan në një rezolutë të kësaj asambleje parlamentare dhe që çoi pastaj në krijimin e dhomave të Specializuara të Kosovës për të gjykuara personat e akuzuar për trafikim të organeve njerëzore ndërkohë që luftonin luftën e tyre për liri”, tha Rama./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme