Misioni teknik i Komisionit Evropian pritet të arrijë pasdite në vendin tonë, ku për dy ditë radhazi, siç njofton zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ky mision do të fokusohet në vlerësimin e standardit të mbetur për liberalizim të vizave, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zyrtarë institucionalë besojnë në vlerësimin pozitiv të të arriturave në këtë fushë.
Institucionet e Kosovës thonë se janë përgatitur për pritjen e misionit teknik vlerësues të Komisionit Evropian, të cilët me 3 dhe 4 maj do të qëndrojnë në Kosovë.
Qëllimi i vizitës së tyre është të shohin nga afër punën që është bërë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, njofton Zyra e BE-së në Kosovë.
Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian, është optimiste se raporti i delegacionit evropian do të jetë pozitiv pasi, sipas saj, do t’u ofrohen të dhëna konkrete se edhe kushti i fundit është plotësuar:
“Është bërë një punë e madhe që nga fillimi i monitorimit të këtij kriteri, i cili ka ndodhur edhe para vitit 2016, ka vazhduar në vitin 2017, tani jemi në vitin 2018, Këto raste janë rritur në numër, disa kanë përfunduar, ka raste që kanë përfunduar në instancën e parë e kanë kaluar në instancën e dytë. Kemi edhe një numër të rasteve të cilat veç kanë vendime të prera nga gjykatat tona. Pra, do ta shohin progresin, jo domosdoshmërish duhet patjetër të kemi vendime të formës së prerë të 42 rastet që i kemi”, tha ajo.
Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një deklaratë për Radio Kosovën thekson gatishmërinë e të gjitha institucioneve që kanë të bëjnë me kriterin e lartpërmendur, për pritjen e misionit vlerësues:
“Ne në vazhdimësi jemi të përgatitur me raportet tona sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, dhe mund të them lirisht se çdo dy javë ne i përditësojmë raportet tona me të dhëna të reja si në aspektin e politik-bërjes, ligjeve po ashtu edhe me zbatimin e tyre, që në këtë rast lidhen me Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Prej se jam ministër i Drejtësisë kam bërë tri raporte për institucionet e BE-së, për angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, për luftën kundër krimit e korrupsionit dhe jemi të gatshëm të raportojmë për punën tonë kurdoherë”, tha ai.
Pas demarkacionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet kriter i rëndësisë së veçantë që institucionet e Kosovës duhet të arrijnë rezultate si kusht për liberalizimin e vizave.
Ndërkohë misioni i Komisionit Evropian është pjesë e vlerësimit teknik që në vazhdimësi i është bërë përmbushjes së këtij standardi, i cili duhet të vazhdojë edhe pas këtij misioni./rtk
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...