Plani i Agjendës për Reforma Europiane ishte dashur të përfundojë në vitin 2017, por për shkak të neglizhencës së punës së institucioneve dhe stagnimit në përmbushjen e objektivave, që Komisioni Europian ia kishte vënë Kosovës, ky plan po vazhdon të këtë ngecje dhe si rrjedhojë, kështu do të vazhdojë edhe viti i ardhshëm.
Për shkak të stagnimit, raporti thotë se Kosova po e humbet hapin drejt integrimit Europian.
Në raportin e Agjendës për Reforma Europiane për muajt janar-shtator 2018, Kosova po qëndron të paktën një vit me vonesë në Planin e Veprimit të ARE, e kjo për shkak të ngecjeve tek një numër i konsiderueshëm veprimesh, të cilat kanë mbetur pa u plotësuar.
Raporti gjithashtu paralajmëron se kjo gjendje e ngecjes në përmbushjen e reformave të caktuara nga Komisioni Europian, siç janë bashkëpunimi rajonal, stabiliteti politik dhe zbatimi i ligjeve të BE’së, viti 2019 do ta gjejë Kosovën sërish me ngecje dhe vonesa.
Sipas raportit të monitorimit, më 2017 kanë ekzistuar indikacione se një ndër arsyet kryesore të neglizhencës së Qeverisë ishte fushata zgjedhore, e cila ka paralizuar institucionet e vendit dhe shumica e energjisë ishte fokusuar në zgjedhje.
Megjithatë, me krijimin e qeverisë së re nga Ramush Haradinaj, vonesat dhe ngecjet vazhduan si më parë.
Kritikat për Qeverisjen Haradinaj nga raporti i monitorimit janë të shumëta
Raporti thotë se Qeveria Haradinaj nuk ka treguar përkushtim serioz karshi zbatimit të marrëveshjes së ARE’së.
“Thirrjet ishin të shumta, dhe shpeshherë Kryeministri Haradinaj deklaronte me ngulm se ‘Ministrat duhet të angazhohen që obligimet e pa përmbushura për Agjendën e Reformave Evropiane t’i përfundojnë në kohë, duke intensifikuar të gjitha veprimet e nevojshme’’”, thotë në raport.
Edhe pse Qeveria ishte zotuar t’i plotësojë të gjitha kriteret deri në fund të vitit 2017, raporti qet në pah se shumë veprime kanë mbetur të pa plotësuara.
E për Qeverisjen e Mirë dhe Sundimin e Ligjit, raporti i monitorimit ka publikuar komente të rezultateve duke filluar nga muaji janar deri në muajin shtator.
Raporti thotë se në shtyllën e parë për vitin 2018 janë paraparë të realizohen 11 masa, me gjithsej 37 veprime nga të cilat gjatë periudhës janar – shtator janë plotësuar gjithsej 62.16 për qind e veprimeve, 24.33 për qind janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 13.52 për qind të tyre.
Raporti ka përmendur neglizhencën e finalizimit të Kodit të Procedurës Penale, i cili ende është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Siç ka shkruar edhe më herët Gazeta Express, ndryshimi që u paralajmërua se do të vijë ne Kodin e Procedurës Penale është edhe masa e largimit nga puna e zyrtarëve të lartë publik që do të kenë aktakuza për vepra penale, sidomos ato që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Ky Kod, planifikohet që të dërgohet në Kuvendin e Kosovës në muajin nëntor. Këtë e ka konfirmuar për Express edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Pikërisht në këtë pikë, ARE e sheh si ngecje miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshme pezullimin apo largimin e zyrtarëve publik.
Ngecje janë gjetur edhe në miratimin e Ligjit për Gjyqtarë dhe Prokurorë; Auditimi dhe publikimi i raporteve financiare për vitin 2017; miratimi i pakos ligjore për reformën e administratës publike, si dhe pakoja ligjore për reformën zgjedhore.
Ky raport i monitorimit për periudhën Janar – Shtator 2018, është përpiluar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti GAP.
Marrëveshja për Agjendën e Reformave Europiane është nënshkruar në vitin 2015 dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2016.
Komisioni Europian e kishte krijuar Agjendën për qëllim që të shërbejë si mekanizëm lehtësues për një implementim sa më të lehtë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Por, Kosova ka treguar ngecje që nga nënshkrimi i ARE’së.
Dihet që me nënshkrimin e MSA’së, Kosova obligohet të përmbushë një numër të konsiderueshëm reformash me fokus të veçantë në bashkëpunim rajonal, stabilitet politik dhe zbatim të ligjeve të BE’së.
Nënshkrimi i MSA’së obligon Kosovën që të implementojë një varg reformash me qëllim të përmirësimit socio-politik dhe ekonomik të Kosovës. Kjo e përafron Kosovën me standardet e BE’së dhe përmirëson cilësinë e mirëqenies, efikasitetin ligjor dhe siguron një ambient të tregut të lirë.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...