Ramush Haradinaj e vë Kosovën e izoluar para Kroacisë së integruar në BE

07:15 | 28 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj e mori me hov pozitën që e kishte dëshiruar gjithmonë dhe nisi të ngjallë shpresë tek qytetarët e Kosovës se më në fund një shef qeverie po punon për të bërë zgjidhje.

Mirëpo, kjo shpresë për shumëkënd u përmbys javën e kaluar me një vendim të ri që mori ai në mbledhjen e Qeverisë.

Haradinaj vendosi të rritë pagën e pozitës së tij, ministrave dhe zëvendësministrave për gati 100 për qind.

Kështu, paga e tij, nga 1400 euro sa ishte, me vendimin e ri ka shkuar në 2950 euro, derisa punëtorë të shumtë në Kosovë luftojnë për të pasur një pagë deri në 300 euro.

Ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga opozita e shoqëria civile duke e konsideruar atë si të padrejtë krahasuar me pagën minimale dhe atë mesatare në Kosovë, shkruan arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, me vendimin e ri ka pagën më të lartë në rajon, ku si shtet, qytetarët e të cilit janë të izoluar në Evropë, në këtë aspekt lë prapa edhe vendet që janë anëtare të BE-së siç është Kroacia.

Paga e kryeministrit të Kroacisë është 2600 euro, e atij të Shqipërisë është 1700 euro, paga e kryeministrit të Maqedonisë është 1300 euro, e atij të Malit të Zi 1130 euro, e kryeministrit të Bosnjës është 1070 euro ndërkaq presidenti i Serbisë ka pagën më të ulët në rajon, prej 1000 euro.

Derisa, paga mesatare në Kroaci është mbi 700 euro, në Kosovë paga mesatare është rreth 350 euro, që i bie sa gjysma e pagës mesatare të këtij shteti të cilën Kosova e kalon me pagë të kryeministrit.

Sipas organizatave të shoqërisë civile është e papranueshme që paga e kryeministrit të jetë më e madhe se vendet në rajon, të cilat kanë zhvillim ekonomik dukshëm më të lartë se Kosova.

Ndërkohë, analisti politik, Bajrush Morina ka thënë për arbresh.info se rritja e rrogës së kryeministrit është lajmi më i keq për qytetarët, pensionistët, familjet e dëshmorëve e për ata që jetojnë në varfëri ekstreme.

“Në kuadër të “vedimeve të mëdhaja” por të dëmshme për vendin tonë, rritja e pagës së kryeminsitrit është lajmi më i keq për qyetarët e Republikës së Kosovës, për pensionistët e varfër, është lajmi më ofendues për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, është lajmi më dëshpërues për mbi 30% të qytetarëve të varfër të cilët jetojnë në varfëri ekstreme”, ka thënë Morina.

Sipas tij, edhe arsyeja për rritje të pagës që ka bërë kryeministri Haradinaj është ofendimi më i madh që u ka bërë një zyrtar i lartë i shtetit popullit të vet.

“Ai nuk paska para për kravata e veshmbathje ndërkaq 30 për qind e popullit të Kosovës nuk ka bukë për të ngrënë gjithë ditën. Dhe kush thotë se nuk ka para për veshmbathje? Kryeministri që ka një shtëpi mbi 600 metra katrorë në Prishtinë të cilën e ka lëshuar me qira! Kryeministri që ka shtëpi në Lagjen Marigona! Kryeministri që ka një Kullë në vendlidnje me 800 metra katrorë! Kryeministri që ka mbi 200 hektarë pasuri në bjeshkë! Kryeministri që ka troje, vetura të blinduara e plot xhirollogaritë me deviza! Hipokrizia nuk e ka mbytyr askend, duket se as kryeministrin tonë”, ka thënë Morina.

Kryeministri Haradinaj kishte zgjedhur një arsyetim interesant për rritjen e pagës së tij pas kritikave të shumta që mori.

S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100 për qind të asaj që kishte.

Kjo ka shtyrë disa të rinj në Prishtinë që të mendojnë një ide kreative për tu “solidarizuar” me kryeministrin e vendit.

Ata kishin organizuar mbledhjen e kravatave dhe këmishave  për ta “shpëtuar nga kriza” Haradinajn.

Mbi 300 kravata janë varur në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë me lutjen që ai ta ulë pagën se qytetarët mund ta ndihmojnë në këtë drejtim.

Mirëpo, kryeministri i “vendosur për ta quar Kosovën përpara në çdo aspekt” nuk kthen vendimet e tij prapa./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme