Google ADS

Ramosaj: Po i vjen fundi farsës së atyre që s’u ndalën së vendosuri hije të zezë ndaj qytetarëve të Deçanit

00:30 | 3 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se janë në një betejë të vazhdueshme me personelin e Manastirit të Deçanit dhe me disa faktorë të tjerë që janë në përkrahje të tij, të cilët siç u shpreh, janë munduar që me mashtrim e lajthitje të krijojnë situata të paqena për rastin e manastirit.

“Jemi mësuar edhe me shprehjen që për neve është e njohur tash e sa kohë, që thuhet zhvillime të pafavorshme përreth Manastirit të Deçanit, dhe një argumentin që është dashur ta bëjnë institucionet e sigurisë është se në raportet e tyre në 15 vjetët e fundit nuk ka ndonjë incident të ndodhur në manastir”.

“Komunës se Deçanit i ndalohet edhe çfarëdo lloj infrastrukture përreth manastirit, edhe pse ato nuk e cenojnë manastirin në asnjë rrethanë”.

“Edhe kësaj farse të ngritur nga njerëz aktiv që nuk u ndalën kurrë duke ia vendosur hijen e zezë qytetarëve të Deçanit po i vjen fundi. Shpresoj te institucionet që kanë përgjegjësi ndërkombëtare, se kanë mjaft argumente që ta dëshmojnë të kundërtën”, deklaroi ai në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova.

Ramosaj po ashtu foli edhe në lidhje me vizitën e kërkuar nga kryeministri Kurti në këtë manastir, duke thënë se mund të ishte bërë ndryshe.

“Vlerësoj që ka qenë një hap i ngushtshëm e i panevojshëm i kryeministrit, sepse ka mundur të kërkojë një vizitë të zakonshme e jo një vizitë aq përmbajtësore, sepse pasojat tashmë do të jenë evidente për arsyen se Manastiri i Deçanit si institucion u bë subjekt e temë e diskutimeve dhe u ngrit në nivelin e Qeverisë sa i përket debateve për të drejtat që i kërkon ky manastir”.

Gjatë ditës së djeshme Ramosaj ishte takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, me të cilin tha që temë kryesore të bisedës e patën pikërisht Manastirin e Deçanit.

“Shqetësimi i tij ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me 24 hektarë përreth pronave të manastirit”.

“Është diskutuar edhe raporti i sigurisë, se unë kam kërkuar që KFOR-i të largohet nga pushimorja e fëmijëve e që ajo t’i takojë Komunës së Deçanit dhe fëmijëve për çka edhe është e destinuar, dhe heqjen e barrierave nga ajo rrugë e cila dashtë e pa dashtë ta kujton tmerrin e luftës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme