Ramiz Lladrovci thotë se kundërkandidati i tij nuk e ka uruar pas fitores

01:21 | 4 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Kryetari i rizgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot është betuar në asamblenë e qytetit edhe për një mandat qeverisje lokale.

Ai, në Edicionin Special ka theksuar se e kërkon bashkëpunimin e të gjithë asamblistëve për të qeverisur për këto katër vjetët e ardhshëm.

“Para asamblesë e mora një punë dhe një detyrë, në të cilën kam përvojë tani. E kam më të lehtë të qeveris, do të mundohen që të kemi qeverisje më të mirë. Unë ua kam kërkuar sot bashkëpunimin të gjithë asamblistëve, pa marrë parasysh se cilit subjekt i takojnë, kjo për të punuar ngushtë për të mirën e qytetarëve të Drenasit”.

I pyetur se cili do të jetë projekti i parë që do të fillojë pas ditës së sotme, ka thënë: “Unë nuk kam ndonjë projekt, jemi në zhvillim të projekteve që i kemi pasur, presim t’i përfundojmë. Puna e parë që kam bërë pas zgjedhjeve, pasi kam fituar, është nënshkrimi i vendimit për shpërndarjen e bursave për studentët e Drenasit”.

Lladrovci ka deklaruar se kundërkandidati i tij në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Driton Ajazi, nga Demokratët për Drenasin, nuk e ka kontaktuar atë pas fitores.

“As nuk më ka telefonuar dhe as nuk më ka takuar. Këto janë çështjet e tij dhe jo të miat. Unë jam kryetar i të gjithë qytetarëve dhe jo i bedelëve dhe keqbërësve. Jam i hapur për bashkëpunim për të gjithë qytetarët”, ka thënë Lladrovci./klankosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme