Ramiz Lladrovci padit Milaim Zekën

15:56 | 26 Qershor 2018
M. A.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka ushtrua dy padi, një kundër deputetit Milaim Zeka dhe një kundër Televizionit T7.

Sipas tij, këto padi janë paraqitur me qëllim të ndaljes së fyerjeve.

“Paditë janë bërë për shkak të fyerjes së neveritshme për herë të dytë kundër meje nga Milaim Zeka në T7. Fyerja që më është bërë, nuk riparohet me reagim. Kam besim te gjyqi, aktualisht si rrugë e vetme”, ka thënë Lladrovci.

Postimi i plotë:

Dy padi të reja

Të premten, Avokati im ka paraqitur dy padi, me qëllim të ndaljes së fyerjeve nga Milaim Zeka dhe Televizioni T7, si promovues i këtyre fyerjeve, duke u shpërndarë në mediat e rëndësishme nacionale, më 19.6.2018.

Paditë janë bërë për shkak të fyerjes së neveritshme për herë të dytë kundër meje nga Milaim Zeka në T7. Fyerja që më është bërë, nuk riparohet me reagim. Kam besim te gjyqi, aktualisht si rrugë e vetme.

“Letrat e pa publikuara” janë shpifje e radhës e Milaim Zekës, këtë e thotë edhe Insajderi më 16.05.2018, në ora 23:43, me titull: “Letrat ekskluzive” të Milaim Zekës kundër Ramiz Lladrovcit ishin publikuar vitin e kaluar në portalin Insajderi.

Ai vetëm se i ka përsëritur, po të njëjtat letra, tash si shantazh nga ai ndaj meje, në T7.

Për qytetarët, më poshtë është linku i Insajderit, kur janë publikuar “letrat” sipas mendimit tim nga Nisma dhe disa ish akter të PDK-së, si shantazh gjatë fushatës zgjedhore, më 11.10.2017.

Në “Letrat e pa publikuara”, nuk mund të gjendet asnjë fjalë as presje shantazhuese. Përkundrazi, me ato letra Unë jam i shantazhuar, me qëllim të uljes së kredibilitetit dhe reputacionit tim gjatë fushatës elektorale dhe tash gjatë qeverisjes lokale.

Madje, këtyre shantazheve ndaj meje, tashmë po i gjendet edhe filli i vjedhjes së kompjuterit tim personal, të çantës me materiale nga janë nxjerr letrat, të kamerës digjitale, diktafonit dhe disa stolive të zakonshme. Vjedhja ka ndodh më 19.2.2005 dhe nr. i rastit i paraqitur në Polici ishte: 03109.

Për të gjithë ata që nuk mund t’i lexojnë letrat e publikuara nga Insajderi, më poshtë janë të rishkruara besnikërisht, pa asnjë ndërhyrje.

www.insajderi.com/…/lladrovci-thacit-nuk-po-te-spiunoj-te-…/

“Zoti Hashim,

Kohët e fundit jam ndeshur shpesh herë, për të mos thënë përditë, me fjalë të ndryshme që synojnë denigirimin e figurës sime dhe njëkohsisht të familjes sime. Këto gjëra më kanë indinjuar, për më tepër, sepse ata po bëhen dhe po përhapen nga shokë ose ish shokë të mi, nga disa pa dashje, kur është fjala për shokët; dhe nga disa me dashje, mendoj unë, kur është fjala për ish shokët.

Në se do të ndodhte kjo nga një grup tjetër njerëzish, të cilët na kanë luftuar gjithmonë, qoftë prmes shpifjesh, denigrimesh dhe në fund edhe përmes burgimeve ose shqiptimit të denimeve, kjo për mua do të ishte e kuptueshme, dhe thënë të drejtën, nuk do të shqetësohesha edhe aq shumë. Mirëpo kur ndodh edhe nga një grup tjetër, atëherë kam të drejtë të indinjohem.

Po ju drejtohem krejt sinqerisht dhe nuk dua të keqkuptosh ose të mendosh se ka hile nga ana ime. Të kam kërkuar edhe takim të drejtpërdrejtë, por nuk është bërë i mundur deri tani, megjithëse kemi patur mundësi. Nga ana ime unë jam gjithnjë i gatshëm.

Përse më është dashur takimi me ju , për të diskutuar problemet .

– e shkuara e përbashkët me jep të drejtën të mendoj, se sado të kemi ndryshuar, njëri ose tjetri, përsëri, nuk mund të kemi ndryshuar deri në atë shkallë sa që të mos kemi besim tek njeri tjetri.

– Nga disa shokë më është thënë drejtpërdrejtë, si nga Lulëzim Jashari, Nuredin Lushtaku Sylejman Selimi e të tjerë, se në takimet me ju, jam akuzuar se , duke bashkëpunuar me të huajt, shërbimet e huaja, po bëj çka është e mundur të ju akuzoj ose denoncoj për rastin e B.H.. Kjo më është thënë edhe nga Rexhë Selimi, pra ka filluar të bëhet fjalë, pa e ditur unë asnjëherë dhe pa folur me mua.

– Nuk është e nevojshme të siguroj se nuk kam asnjë lidhje me asnjë, theksoj, me asnje shërbim të huaj, po ashtu nuk e shoh të nevojshme të të siguroj se kurrë nuk kam folur për shokët e mi. Kjo është akuzë e rëndë, të cilën nuk e mbaj dhe nga e keni ju këtë informacion. Sepse duke qenë informacion i rremë, pra genjeshtër fund e majë, ajo ose ka lidhje me keqtrajtimin e figurës suaj, ose me paradënimin e figurës sime, që për mua është më e shtrenjtë se gjithshka tjetër.

– Pra nga e keni ju këtë informacion, sepse ky informacion duke u përhapur, mund të sjellë pasoja të dyanshme; për ju të besohet se kështu ka qenë, pra se ka diçka të vertetë, dhe për mua se flas për shokët, spiunoj, ose shpifi, çka mund të jetë fillesë edhe për eleminimin tim. Ti e di mirë, sepse më njeh mirë, se nuk kam frikë, por nuk e shoh të nevojshme të krijohen konflikte që mund të zgjasin shumë.Unë e di se akoma ka njerëz që duan të njollosin figurën e Fehmi Lladrovcit dhe tash , kur ai nuk është më, kërkojnë ta bëjnë përmes figurës sime.

– Po flitet dhe është folur edhe më parë se jam bërë i pasur shpejt, se kam pasuri e prona, se kam abuzuar me fondin, se kam shtëpi në Prishtinë, kam blerë toka etj.

Për herë të parë këtë e kam dëgjuar nga Bedri Islami, i cili më ka pyetur direkt se përse po flitet se jam bërë i pasur dhe në se është e vertetë, duke më thënë se këtë vërejtje e ke edhe nga Hashim Thaçi. Baci Bedri më ka thënë atëherë, para dy viteve, se Hashimi është i mërzitur në ty, pra në mua, sepse jam bërë i pasur shpejt. Tash po flitet se kam ndertuar edhe shtëpi në Prishtinë, etj etj. Të gjitha këto nuk janë të sakta, unë mund të ballafaqohem me gjithësecilin për atë pjesë të fondit që kam administruar, shenimet janë të përpikta, sepse kemi qenë dy vetë, unë e Halili që ti e njeh po ashtu mirë për ndershmërinë e tij dhe në këtë rast akuzohet edhe ai.

– Kohët e fundit po përhapen edhe fjalë të tjera, kam pasë kërcënime nga grupacione për ndëshkim si familje, dhe këto grupacione, nuk janë të panjohuna për shokë që janë afër rrethit tuaj, ose të paktën kështu flitet.

– Pas mbarimit të luftës jam propozuar për disa vende, mirëpo nuk më është afruar asgjë. Kjo ndoshta kishte qenë për të mirë, mirëpo edhe sot nuk e di shkakun e largesës ndaj meje.

– Unë kam qenë në TMK dhe kur kam hyrë në TMK i keni thënë Agim çekut se përse jam aktivizuar unë aty (mos të thëmë se e keni sharë). Besoj se është paradoks, mirëpo edhe sot, megjithëse kemi ndejtë bashkë disa herë, nuk e kemi folë këtë gjë. Mos ndoshta ata që ishin në TMK ishin burra më të mirë se unë. Sidoqoftë, qëndrimi im në TMK, për aq sa ishte e mundur i shërbej Abazit e shokëve të tij.

– Në vitin 2001, kur është bërë përkujtimi i 3-të i vrasjes së Fehmiut dhe të Xhevës, të gjithë shkuan tek varret për tu përkulur në shenjë nderimi, megjithëse të jam afruar disa herë, nuk keni ardhë as për të vënë një tufë lule, kur të tjerët shkuan dhe u përkulën. Nuk e kuptoj përse është kjo: problemet që keni pasë atëherë, tash janë sqaruar, Fehmiu nuk ka qenë as i papërgjegjshëm, si vazhdon të shkruajë Zeka dhe as nuk ka dashur të bëhet komandant i UÇK-së, si e vertetoi jeta. Përse ndodh pra kjo shenjë mosnderimi nga ana juaj.

– Ndoshta në familjet e fundit ku keni qenë, në detyrën që keni pasur ose e keni, është familja jonë. Në atë shtëpi ti ke ardhë shumë vite para luftës. Kjo i ka rëndua prindërit e mi, që edhe sot nuk të ndërrojnë me të tjerë, por që heshtja jote prej shumë vitesh, i ka dhanë me kuptue se diçka nuk është mirë.

– Nuk dua dhe nuk jam i gatshëm ti ashpërsoj konfliktet, por jam për ti zgjidhë, ndoshta me pak mund. Më është propozuar të shkoj në AAK, ti ke qenë vetë atë natë tek Ramushi, e megjithatë , megjithëse u takuam prap edhe të nesermen, nuk kam pasë asgja prej teje. Nuk dua të bëhem shef ose diçka tjetër, por, kur dy herë, pa të drejtë, krejt pa të drejtë, u gjenda në listën e Bushit, sidomos herën e dytë, nuk më është afruar dora e ndihmës prej teje.

Do të ishte mirë që të flitet për të gjitha këto, shoqërisht, pa parashtesë mendimi të keq, në mënyrë që të eleminohen fjalët. Sidoqoftë unë edhe përmes shtypit mund ti demantoj fjalët që po përhapen, mirëpo mendoj se këto janë gjëra mes njerëzve që janë njohur me njeri tjetrin ose që kanë qenë shokë me njeri tjetrin.

Unë, për vete, jam i gatshëm, kurdoherë.

Do të ishte mirë që edhe ju të gjeni kohën e duhur.

Ramiz Lladrovci

19 Gusht 2003″

“Zoti Hashim,

Qysh prej disa ditesh po bej te gjitha perpjekjet per tu takuar me ju, por nuk po mundem.Shaku eshte i thjeshte : Jam takuar disa here kohet e fundit me Lulzim Jasharin. Nuredin Lushtakun dhe vetem tash me thane se ne nje takim qe ke pase me to ke ngrite disa dyshime per mua, te cilat jo vetem qe nuk shkojne per shtatin tim, por as qe jane menduar ndonjehere prej meje. Jam shqetesue, sepse pas takimit tuaj me Lulin dhe Nuron ne jemi takue dy here bashke, dhe nuk me keni thane asgja. jam i bindur se jeni keq i informuar dhe se as vete nuk e besoni ate qe e keni thene.

Keto dite takova edhe Sylejman Selimin , i cili perseriti te njejten gje , te cilen i a kishte thene Rexha, me adresen tuaj, e thene nga ju.

Pra ne shoket e mi te vjeter dhe te lidhur prej kohesh eshte perhapur nje informate e gabuar, bile e rrejshme per mua. Prandaj kam kerkuar dhe kerkoj te takohemi sebashku, ku te jene dhe shoket tone te perbashket, sepse askush nuk duhet te hedhe balte mbi emrin tim.

Ne njihemi prej kohesh bashke dhe dikur kemi ba edhe pune te mira te perbashkta. Konfliktet qe kemi pase, mosmarreveshjet, nuk i kemi pase per gjera te vogla, por per pune te rendesishme dhe pas luftes, ashtu si edhe gjate luftes, une i kam pase harrue, sepse kam mendue se ka gjera me te medha.

Nga qe me njihni mire duhet ta dini me mire se te tjeret, se as ne natyren time, as ne karakterin tim e te familjes sime, nuk eshte ajo per te cilen po perflitem. Nuk e di qellimin e kesaj perfolje, dhe per ti prere rruge mosmarreveshjeve te tjera, do te ishte mire te takohemi, shoqerisht, per te hequr keqkuptimet dhe per te ndaluar fjalet.

Ramiz Ladrovci

Derguar me 18 Korrik 2003”

“Zoti Hashim ,

Me vjen keq qe pas kaq vjet njohje e puneve te perbashkta te drejtohem duke vene perpara fjalen ” zoti Hashim”, mirepo edhe kjo e ka nje shkak.

Ju kam derguar dy letera me ftesen per tu takuar, sepse fjalet e perhapura jane shqetesim per mua. Me keni premtuar se do te takoheshim, por deri tash nuk eshte bere asgje. Me anen e Jakup Krasniqit ju kam derguar tri here fjale se duhet te takohemi, ju kam telefonuar, kam lene porosi qe te ju thone se ju kam kerkuar, e perseri nuk kam pergjigje.

Besoj se eshte me mire qe te tejkalohen problemet miqesisht, si te njohur te vjeter, mes nesh, dhe nuk besoj se eshte mire qe ato te behen publike, sepse askush nuk ka fitim prej kesaj.

Une nuk mund te pres pafundsisht, kur per me teper fjalet po vazhdojne te shtohen. Te premtoi se eshte hera e tret dhe e fundit qe te drejtohem me ftesen per takim.

Beso se dikur do te jete shume vone!

Ramiz Lladrovci

Me dt.17.09.2003”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme