Google ADS

Ramiz Lladrovci e përuron një sistem të ri të arsimit në Kosovë

15:26 | 21 Mars 2017
M. A.

Nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Drenas, të martën kanë filluar një praktikë të re në procesin e mësimdhënies dhe mesimnxënies, duke komunikuar online me bashkëmoshataret e tyre në gjimnazin “Laukaan Lukio” të Finlandës.

Për të parë nga afër këtë projekt, ishte prezent edhe kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Daut Thaqi dhe drejtori i gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, z. Valdet Istogu.

Kjo ishte një përvojë krejt e re për gjimnazin në Drenas, për nxënësit dhe mësimdhënësit fillimi i zbatimit të një projekti të tillë. Gjimnazistët e Drenasit dhe nxënës finlandezë kanë mësuar së bashku në praninë e dy mësimdhënësve, njëri i gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Mentor Sahiti dhe tjetri i gjimnazit “Laukaan Lukio”, Ilkka Linderoos.

Ora mësimore është realizuar në klasën digjitale, e cila gjindet në objektin e gjimnazit. Nxënësit nga Drenasi e përjetuan mjaftë mirë fillimin e mësimit me nxënës dhe me mësimdhënës finlandezë. Ky projekt konkret mori gjithashtu mbështetje nga kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, i cili qe i pranishëm gjatë orës mësimore.

Duke pasur parasysh se Finlanda konsiderohet njëri ndër vendet me arsimin më cilësorin në botë, dhe nevoja e shkollave në Kosovë për përvetësimin e përvojave finlandeze është shumë e nevojshme, gjimnazi i Drenasit ka filluar një bashkëpunimin konkret dhe praktik me gjimnazin Laukaan Lukio në Finlandë.

Bashëpunimi përfshinë shkëmbimin e përvojave të nxënësve dhe mësimdhënësve, konkretisht mësimdhënie dhe mësimnxënie. Pastaj shkëmbimin e nxënësve dhe mësimdhënësve. Vitin e kaluar 4 mësimdhënës finlandez kanë vizitur gjimnazin e Drenasit për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit, si dhe një mësimdhënës nga Drenasi kanë qenë në dy shkolla finlandeze. Veç kësaj mësimdhënës nga Finlanda kanë mbajtur orë mësimore në gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Edhe në maj të këtij viti, mësimdhënës nga gjimnazi Laukaan Lukio do të mbajnë mësim në gjimnazin e Drenasit. Ndërsa sot konkretisht ka filluar implementimi i projektit online mes nxënësve finlandezë dhe gjimnazistë nga Drenasi. Ideja e fillimit të këtij bashkëpunimi ka qenë nga të dyja shkollat.

Mësimdhënie online kjo shkollë finlandeze mban edhe me shkollat australiane dhe të tjera, të cilat nuk kanë mundësi që t i vizitojnë shkollat e tyre, për shkak të distances, kurse te ne në Kosovë për mungesë mjetesh materiale. Gjatë orës mësimore ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, drejtori i arsimit në Drenas z.Daut Thaqi, si dhe drejtori i shkollës, z. Valdet Istogu. Pas përfundimit të parë të orës mësimore, kryetari Lladrovci, bisedoi me profesorin nga Finlanda, z. Ilkka Linderoos, kryetari e falënderoi z. Linderoos për këtë bashkëpunim konkret në të mirë të arsimit në Drenas dhe ofroi gjithë mbështetjen e tij për bashkëpunim sa më të ngusht në mes të gjimnazit të Drenasit dhe gjimnazit në Finlandë.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për profesorin nga Finlanda, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij që këtë vit prapë të mbajë mësim në gjimnazin e Drenasit. Nga ana e tij profesori nga Finlanda falënderoi po ashtu kryetarin Lladrovci për mbështetjen, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për vazhdimin dhe thëllimin e bashkëpunimit sa më të ngushtë në mes të shkollave. Bashkëpunimi ka filluar me disa vizita të mësimdhënësve nga Finlanda si dhe mësimdhënësve tanë në Finlandë.

Të ngjashme