Google ADS

Ramiz Kelmendi: AKP po më plaçkit, do të ankohem

18:16 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi është dënuar me 1.3 milion euro për nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për shkak se siç thotë AKP nuk janë përmbushur detyrimet kontraktuale.

Mirëpo në një bisedë për kallxo.com, Kelmendi e ka quajtur këtë plaçkitje dhe tentim për ta dëmtuar politikisht.

“Ky nuk është borxh, kjo është plaçkitje. Nëse dikush e sjellë një vendim që i kam plotësu kushtet, e ai sjellë vendimin është njëfarë forme plaçkitje apo dëmtim politik, diçka është”, tha Ramiz Kelmendi.

Sipas tij, në AKP ka njerëz të partive politike të cilët e kanë bërë këtë.

“Dihet që punëtorët AKP-së, të gjithë janë punëtorë të partive politike dhe dihet se cilës parti politike”, tha Kelmendi.

Kelmendi deri më tani ka ndërruar disa parti, AAK, PDK dhe tani në LDK.

Ai nuk pranoi të tregojë se nga cila parti janë këta që e kanë dënuar, ndërsa shtoi se dënimet nuk mund t’i vijnë atij veç pse bënë lëvizje të tilla politike.

“Unë shëtiti kah du, por dënimet askush nuk mundet me i sjellë në bazë të lëvizjes time politike”, tha tutje Kelmendi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se do të ankohet për këtë vendim të AKP-së.

Kelmendi thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë vendim, por vetëm e ka parë në media.

Kelmendi duke folur për arsyen e dënimit, thotë se këtë objekt e ka privatizu para 6 viteve, por thotë se i ka plotësuar të gjitha kushtet e kontratës, madje thotë se edhe Auditori e ka konfirmuar këtë.

“Unë s’kam marrë asnjë njoftim që jam dënuar me këtë shumë. Ne kemi privatizu një objekt para 6 vjetëve dhe sipas kontratës i kemi pasë disa kushte, kontratën 3 vjeçare, dhe 3 vjet pasi ka skadu kontrata paska ardhë një vendim. Auditori e ka sjellë vendimin se i kemi plotësu kushtet mirëpo si duket AKP nuk ka deshtë me pranu apo ku ta di sepse ende nuk kam kurrfarë vendimi, por diçka e tillë është”, tha tutje Kelmendi.

Deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi ishte akuzuar edhe për vjedhje të rrymës, por pastaj kjo aktakuzë e tij ishte hedhur poshtë, pak ditë pas kalimit të demarkacionit në Kuvend të Kosovës, ku vota e tij kishte luajtur rol të madh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme