Google ADS

Ramabaja akuzon Vetëvendosjen për cenim të fjalës së lirë

01:04 | 26 Qershor 2017
Arbresh.info

Pas një debati të gjatë që e shkaktoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Sadri Ramabaja, ka reaguar edhe një herë ky i fundit, më një shkrim në Facebook, duke shpjeguar se çfarë ka dashur të thotë me publikimin e mëparshëm të një videoje, gjersa bëhej iftar në Kamenicë, në hapësirë publike, pjesëmarrësit të të cilit Ramabaja i quajti “haxhiqamilë”.

Ramabaja ka komentuar edhe distancimin e VV’së nga qëndrimi i tij, duke thënë se kështu dëmtohet demokracia e brendshme e partisë.

“Distancimet selektive cenojnë fjalën e lirë dhe dëmtojnë demokracinë e brendshme të Vetëvendosjes”, ka shkruar Ramabaja.

Ramabaja thekson se VV ende nuk di ta bëjë dallimin mes islamit tradicional dhe atij politik.

“Ka ardhur koha që si organizatë dhe shoqëri të debatojmë hapur dhe të ndërtojmë politika të qarta që i kundërvihen islamit politik. Ky është proces i gjatë brenda Vetëvendosjes dhe shoqërisë sonë, në të cilat unë do të angazhohem tutje t’ i shtyjë përpara në dobi të Kombit”, potencon ai.

Shkrimi i plotë i Ramabajës:

Pasi përmbyllëm vizitat familjare të zakonshme për traditën shqiptare, duke marrë në konsideratë debatin që u hap dje me rastin e publikimit të statusit tim, po e vazhdojmë atë, natyrisht, po shpresoj, me një gjuhë tjetër.

Kudo në hapësirën shqiptare, pavarësisht dallimeve religjioze, kemi pasur harmoni ndërfetare. Kjo nuk ishte për shkak të potencimit të dallimeve mes nesh. Përkundrazi, kjo ishte produkt i traditës sonë, zakoneve tona të përbashkëta, pavarësisht përkaëtsisë fetare.

Shfaqja e fenomeneve të paslufëts (1999), siç janë mbulimi total i trupit të femrës, segregimi (veçmi) i meshkujve nga femrat (mosdhënia e dorës në raste përshëndetjesh, ndarja e ulses në sofrën e bukës etj.) janë tradita të imponuara artificialisht nga fuqitë e huaja keqëdashëse dhe regresive, siç është Arabia Saudite dhe rryma të veçanta politike nga Turqia.

Shfrytëzimi i hapsirës publike në Dardanë krejt në përputhje me traditat e huaja, duke përfshirë madje edhe veçimin e femrave në tryezë, bie ndesh me traditat tona harmonizuese.

Unë asesi nuk sulmoj besimin e qytetarëve. Përkundrazi, që nga koha kur jam angazhuar në jetën politike ilegale, në luftën tonë për Repzublikë, gjithmonë i kam luftuar rrymat politike të huaja, përfshirë edhe autoritarizmin politk, pansllavizmin që na vinte me petkun e komunizmit etj,, ndërkaq sot vazhdoj, përveç tjerash, të angazhohem kundër manipulimit të pjestarëve të kombit, që shkojnë në dobi të agjendave të huaja.

Më vjen keq që elementë brenda Vetëvendosjes dhe jashtë saj, ende nuk kanë arritur ta kuptojnë dallimin mes islamit tradicional dhe islamit politik. Ky dallim mes islamit tradicional dhe islamit politik, në plan afatgjatë, e bën diferencën mes Shqiprisë paqësore të ëndrrave tona dhe Sirisë së sotme.

Vetëvendosja si institucioni politik më demokratik, garanca e vetme për demokratizimin e Kosovës, gjithmonë i ka zhvilluar politikat dhe ideologjinë e saj përmes debatit të brendshëm dhe ballafaqimit me rrethanat.

Politikat tona sociale dhe progresive dhe ato për ndërtimin e shtetit, janë produkt i këtyre debateve të brendshme.

Distancimet selektive cenojnë fjalën e lirë dhe dëmtojnë demokracinë e brendshme të Vetëvendosjes.

Ka ardhur koha që si organizatë dhe shoqëri të debatojmë hapur dhe të ndërtojmë politika të qarta që i kundërvihen islamit politik. Ky është proces i gjatë brenda Vetëvendosjes dhe shoqërisë sonë, në të cilat unë do të angazhohem tutje t’ i shtyjë përpara në dobi të Kombit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme