Rama takon Drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, flasin për situatën në kryeqytet

09:55 | 11 Shtator 2024
K.B

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është takuar me drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabanin.
Rama ka thënë se kanë diskutuar rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kryeqytet.

Ai ka theksuar se janë dakorduar që të rrisin bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatat kompetente për reagimin më të shpejtë për incidentet që kanë ndodhur kohëve të fundit, shkruan Arbresh.info

“Pas një numri të incidenteve të kohëve të fundit në Kryeqytet, shqyrtuam masat potenciale për adresim të situatës. U dakorduam të rrisim bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatat kompetente për reagimin më të shpejtë për këto raste, marrjen e masave parandaluese si dhe fuqizimin e politikave ndëshkuese ndaj shkaktuesve të veprave penale në Kryeqytet”, theksoi Rama.

Tutje, Rama ka kërkuar fokus më të madh të policisë në lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara ilegalisht dhe parkingjet ilegale ne përgjithësi.

Postimi i plotë:

Sot prita Drejtorin e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, z. Basri Shabani për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kryeqytet.

Pas një numri të incidenteve të kohëve të fundit në Kryeqytet, shqyrtuam masat potenciale për adresim të situatës. U dakorduam të rrisim bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatat kompetente për reagimin më të shpejtë për këto raste, marrjen e masave parandaluese si dhe fuqizimin e politikave ndëshkuese ndaj shkaktuesve të veprave penale në Kryeqytet.

Më tutje, i përcjella Drejtorit Shabani rëndësinë e lëvizjes së lirë të këmbësorëve dhe kërkova fokus më të madh të policisë në lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara ilegalisht dhe parkingjet ilegale ne përgjithësi. U dakorduam që në mënyrë urgjente të gjejmë zgjidhje për të angazhuar kompani për largimin e veturave të parkuara ilegalisht.

Shkëmbyem informata edhe rreth zbatimit të projektit digjitalizues të Qytetit të Menqur (Smart City) dhe lidhshmërinë e këtij projekti me punët operative të Policisë.

Drejtori Shabani kërkoi nga institucionet e Kryeqytetit që të rritet numri i inspektorëve komunal mbas orës 22:00 në mënyrë që të rritet efikasiteti i reagimit të institucioneve të sigurisë dhe të Kryeqytetit.

Po ashtu, Drejtori Shabani na informoi se, pavarësisht disa incidenteve të sigurisë, ka trende pozitive në rënien e numrit të veprave penale, aksidenteve të trafikut, në veçanti atyre me fatalitet, si dhe në rritjen e numrit të rasteve të zbuluara.

Kryeqyteti do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovë drejt ofrimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët./Arbresh.info/

 

Të ngjashme