Rama: Nuk kam biseduar me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës

00:19 | 17 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar, as nuk ka tentuar të marrë rolin e ‘babës’ në raport me Kosovën dhe se janë të pavërteta spekulimet se ai ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për ndarjen e Kosovës.

 Ai ka deklaruar se përkundrazi po punohet fort me Kosovën në bashkimin në sfera të ndryshme, ndërsa ka kritikuar autoritetet kosovare për tërheqjen nga bashkimi doganor, pasi sipas tij është absurde që Serbia të kërkojë bashkim doganor në Durrës, ndërsa Shqipëria e Kosova mos ta kenë.
“Kosova e ka kërkuar babën në Tiranë dy herë. Dhe e ka gjetur dy herë. Njëherë në kohën e komunizmit. Njëherë në kohën e tranzicionit. Kosova duhet të mos trajtohej nga Tirana në mënyrë paternaliste, nga një babë, që thotë ato që duan të dëgjojnë njerëzit”.
“Unë, kurrë, as nuk e kam menduar, as nuk kam tentuar që të jem i treti babë. Përkundrazi, unë çmoj shumë liderët e Kosovës dhe gjithmonë kam besuar se mund ta udhëheqin dialogun me Serbinë. Unë besoj që kryeministri i djeshëm dhe presidenti i sotëm i Kosovës i ka këto kapacitete”.

“Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur për t’i qëndruar krah Kosovës. Jo për ta udhëhequr, jo për ta drejtuar, por për ta pasur krah, me të gjithë partnerët, sepse Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë”.

“Politika jonë e jashtme në raport me Kosovën ka pasur dinamikë krejt tjetër dhe agjendën e bashkimit e kemi çuar në nivel tjetër. Por më duhet të them se pasi punuam gjatë për bashkimin doganor, pala kosovare u tërhoq. Unë mendoj që nuk duhej ta bënte këtë gjë. Ne duhet të kemi kufi shumë të lehtë; kufi europian. Neve na ka kërkuar Serbia që të bëjmë bashkëpunim doganor në Durrës. Pse mos ta kemi me Kosovën?”

“Kazani mediatik financohet nga burime të dyshimta, me raste edhe kriminale, ose nga politikanë që përcjellin gjëra të tilla. Gjithë kjo histori me tradhti(për ndarjen e Kosovës) ka plasur në momentin që Sali Berisha me të tjerët ka hasur në mundësinë që marrëveshja me Greqinë të jetë marrëveshje fituese. Që atëherë është hapur vatër zjarri, duke më akuzuar mua dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, si tradhtarë. Kështu ka dalë edhe tjetra: Edi Rama me Vuçiqin duan të këmbejnë territore. Ka një tension të madh në Shqipëri, sepse reforma në drejtësi ka filluar të tund pak nga pak themelet. Në këto raste, gjetja e një tradhtari është receta për të manipuluar njerëzit. Nuk ka asnjë lloj mundësie, shansi, që unë dhe presidenti i Serbisë të vendosim për çka do qoftë në Kosovë. Problemi mes Serbisë dhe Kosovës do kurajo, vendosmëri dhe marrje përsipër edhe të një dhimbje nga të dyja anët, për ta zgjidhur. Shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë atë që bënë francezët dhe gjermanët”./Klan Kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme