Rama: Manifesta dhe Prishtina do ta ndihmojnë njëra-tjetrën

22:42 | 22 Shkurt 2022
L G

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kryeqyteti dhe festivali Manifesta kanë interes dypalësh.

“Ne, si nikoqirë të Manifestës, jemi dakorduar të punojmë së bashku, marrim vendime së bashku, kjo është një sinergji prej kryeqytetit dhe Manifestës. Pra, ideja është që Manifesta t’i ndihmojë kryeqytetit të transformohet, por në të njëjtën kohë edhe kryeqyteti t’i ndihmojë Manifestës të transformohet në një organizatë që ka ndikim në transformim urban, ose si një platformë e butë, e lehtë e ndryshimit të qyteteve, e ndryshimit në aspekt pozitiv”, ka thënë Rama në Rubikon të Klan Kosovës.

Rama gjithashtu theksoi se qëllimi është edhe të ketë një lidhshmëri në mes kryeqyteteve të vendeve të rajonit.

“Prishtina si kryeqytet i ka ato kufijtë politikë për shembull në ndërlidhshmëri me komunat tjera përreth. Mirëpo, unë e shoh një mundësi fantastike, ku ne shohim përtej kufijve politikë, pra e shohin Prishtinën si metropol në ndërlidhshmëri edhe me komunat përreth si Graçanica, Fushë Kosova, Obiliqi e ndoshta edhe Lipjani, pra që ta shtrijmë këtë impaktin që Manifesta do ta ketë në kryeqytet”.

“Kjo është ndërlidhje edhe në zonat përreth, pra do të na mundësojë një bashkëpunim të drejtpërdrejtë në aspektin e diplomacisë kulturore edhe me regjionet përreth, Shkupin, Tiranën, Podgoricën. Do të ketë lidhshmëri në aspektin e kulturës, në aspektin e turizmit, në aspektin e ndërlidhjes në mënyra profesionale në mes kryeqytetit tonë dhe qyteteve përreth, pra krijon mundësi të shumta që të zhvillohet Prishtina në mënyrën më të mirëfilltë të mundur”, ka thënë Rama.

Të ngjashme