Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka përkujtuar Adem Demaçin në dy vjetorin e vdekjes së tij, duke shtuar se ndjehet me fat që Demaçi ishte shqiptar.
Rama përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se përveç që ishte një shqiptar i mirë fare dhe një qenie njerëzore e lartë, që nuk e negocionte ndërgjegjen e vet, ai u bë pishtar i lirisë së ndërgjegjes në rrugëtimin e Kosovës përgjatë errësirës drejt lirisë.
“Hero i pavdekshëm i popullit të Kosovës në kuptimin më të plotë të fjalës dhe gur i gjallë i sovranitetit kosovar, qysh në kohëra kur as imagjinata më e shfrenuar nuk e rrokte dot mundësinë e realizimit të Kosovës sovrane, baca Adem u nda nga kjo jetë si sot dy vjet më parë, duke na e lënë jetën e tij si një “Bibël” a “Kuran” shqiptarie”, ka shkruar ndër të tjera Rama./arbresh.info\
Postimi i plotë:
?HOMAZH
« Ma s’pari dhe mbi të gjitha, jam qenie njerëzore; fatmirësisht jam edhe shqiptar »
ADEM DEMAÇI ishte fatmirësisht shqiptar, shqiptar i mirë shumë, po mbi të gjitha ai ishte një njeri që dinjitetin e të ngjashmëve të vet e ktheu në mburojë të pakapërcyeshme për plumbin dhe për helmin. Pse ishte një shqiptar i mirë fare dhe një qenie njerëzore e lartë, që nuk e negocionte ndërgjegjen e vet, ai u bë pishtar i lirisë së ndërgjegjes në rrugëtimin e Kosovës përgjatë errësirës drejt lirisë.
Tre dënime. Tre dekada sfilitëse. Tre ngadhënjime. Habitej e gjithë një botë tek e shihte si i shpërfillte plumbat në rrugët e Prishtinës, torturuesit në birucat e Jugosllavisë apo edhe vetë hijen e vdekjes, e cila më se një herë iu avit në ato biruca. Ai nuk i trembej asaj ndoshta edhe pse me të ishte ndeshur qysh në djep kur mori emrin, që në Bibël e Kuran e mban krijesa që Zoti plazmoi në shëmbëlltyrën e vet!
Ademi lindi në gusht të vitit 1935 aq i brishte, sa prindërit nuk e regjistruan veçse në shkurt të vitit 1936. Por brishtësia e frikshme e ditëardhjes në jetë, atij iu bë butësi shpirtërore brenda koracës së hekurt të karakterit të jashtëzakonshëm, që e ktheu Adem Demaçin në një legjendë të gjallë të lirisë së Kosovës.
Hero i pavdekshëm i popullit të Kosovës në kuptimin më të plotë të fjalës dhe gur i gjallë i sovranitetit kosovar, qysh në kohëra kur as imagjinata më e shfrenuar nuk e rrokte dot mundësinë e realizimit të Kosovës sovrane, baca Adem u nda nga kjo jetë si sot dy vjet më parë, duke na e lënë jetën e tij si një “Bibël” a “Kuran” shqiptarie.
Duke e kujtuar sot në këtë dyvjetor të ndarjes fizike prej nesh, më erdhi në mend dedikimi që përmban novela e tij, « Gjarpërinjtë e gjakut » – e para novelë shqip botuar në Kosovë, më 1958:
« Jo – atyne që janë trima
me ngrehë gishtin e krimit,
por- atyne që janë trima
me zgjatë dorën e pajtimit. »
#TëPAHARRUESHËM?
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...