Rama falënderon Erdoganin: Populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Turqisë

11:02 | 28 Nëntor 2019
Arbresh Info

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi Turqinë dhe presidentin e saj Recep Tayyip Erdoğan për ndihmën e ofruar në menaxhimin e situatës pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi Turqinë dhe presidentin e saj Recep Tayyip Erdoğan për ndihmën e ofruar në menaxhimin e situatës pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin.

Rama inspektoi zonën e goditur nga tërmeti në Durrës pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 6,3 ballë që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.

Në një deklaratë për AA, Rama tha se kjo është një situatë shkatërruese, duke shprehur shpresë që numri i viktimave të mos rritet.

“Tani po flas me ju, ju keni përvojë, tërmetet, tragjedi të mëdha, pra ju e dini. Dua t’ju falënderoj me gjithë zemër në emër të secilit, sepse ajo që Turqia dhe presidenti Erdoğan personalisht po bën për të ndihmuar është e paharrueshme, nuk do ta harroj kurrë”, theksoi Rama.

“Turqia është vend i madh, vend i fortë, ne jemi vend i vogël, ende të dobët, por do të jemi aty për ju sa herë që të keni nevojë dhe kjo nuk do të harrohet kurrë nga populli shqiptar”, shtoi ai.

Rama po ashtu lavdëroi punën e ekipeve turke që po marrin pjesë në aktivitet e shpëtimit në zonën e prekur.

“Ekipet tuaja janë fantastike dhe janë heroj, sikurse edhe të gjitha ekipet e tjera. Pra, ka një dritë në këtë errësirë, që është shpirti i komunitetit që është krijuar me kaq shumë nacionalitete që nxitojnë për të ndihmuar dhe na ndihmojnë ne për ta ndier atë që më së shumti keni nevojë në këso situata, që nuk jeni vetëm”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Ai falënderoi Turqinë dhe presidentin turk Erdoğan edhe për ofrimin e spitaleve për trajtimin e të lënduarve dhe paralajmëroi se do të fillojnë me dërgimin e disa personave për shërim.

“Edhe këtu, dua ta falënderoj presidentin turk, qeverinë turke që i kanë hapur dyert e spitaleve. Po ashtu edhe qeveritë e tjera. Pra, ne po fillojmë që sot që t’i dërgojmë me avionë disa nga njerëzit”, tha Rama, duke apeluar deri te populli i Turqisë për të ndihmuar vendin.

“Nëse është e vërtetë ajo që ka thënë Niçe, ‘çfarë nuk ju vret ju bën më të fortë’, atëherë ka një garanci se ne do të dalim më të fortë”, shtoi ai.

“Ajo që ka të bëjë me intervenimin fizik, u takon këtyre njerëzve të guximshëm dhe fantastikë. Për sa më përket mua, më takon të lutem që Zoti të ndihmojë dhe që ende të ketë jetë atje nën (rrënoja)”, tha për AA kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndryshe, në Shqipëri, nga Turqia kanë shkuar ekipe për kërkim-shpëtim, mbështetje shëndetësore, ndihma humanitare dhe ekipi mediatik. Turqia dërgoi po ashtu kamionë me ndihma humanitare me 120 tenda, 2.750 batanije dhe 100 sete higjienike.

Ekipi i Autoritetit turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) është duke i zhvilluar punimet e kërkim-shpëtimit, ndërsa mbështetje mjekësore është duke ofruar edhe Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit (UMKE) pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë. Ndërkaq, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Ekipi i Ndihmës Humanitare i AFAD-it kanë ngritur tenda dhe janë duke i plotësuar nevojat e banorëve.

Kujtojmë se Shqipëria dje u godit nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në Durrës, në orën 3:55 me magnitudë prej 6,3 ballë në thellësi prej 10 kilometrash dhe më vonë me një magnitudë prej 5 ballë në Kepin e Rodonit.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar se numri i viktimave është rritur në 31, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale.

Të ngjashme