Rama e konsideron të papranueshme që Hashim Thaçi të quhet ‘argat i Beogradit’

23:01 | 20 Shtator 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e konsideron të papranueshëm që presidenti kosovar, Hashim Thaçi të quhet ‘argat i Beogradit’, duke thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po e kryen punën mirë vetëm për faktin që shqiptarët merren me njëri-tjetrin.
Këto komente të Ramës erdhën gjatë debatit në Opinion të TV Klan, ku po flitej për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam absolutisht i bindur që duhet të jemi shumë të matur dhe të hapur për të gjitha opsionet”, tha Rama.

“Siç është kështu Kosova nuk mund të garantojë perspektivën e atyre që sot janë 18 vjeç në Kosovë”.

“Po flasim për një shtet që funksionon dhe mbi të gjitha flasim për një komb dhe bashkësi shqiptare që jeton në një situatë skizofrenike në dy shtete”.

“Dhe njëri shtet, të paktën nga ajo pamje e juridiksionit i ka të gjitha, e tjetri është praktikisht i marrë gjysmë-peng”.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare ky është një ngërç që duhet zgjidhur në një mënyrë apo tjetër, ndërkaq sa i përket komunikimit me të parin e Serbisë, ai tha se është pajtuar me të që nuk arrijnë pajtim në këtë pikë, për të cilën Rama insiston se shteti serb duhet hequr dorë nga Kosova.

“Me Vuçiqin kam folur edhe flas, dhe kemi rënë dakord që të mos jemi dakord në këtë pikë. Bindja ime është që sa më shpejtë ata të heqin dorë nga Kosova, aq më mirë është për ta”.

“Vuçiqi është president i Serbisë, nuk punon as për mua, as për ty, as për Ramushin [Haradinaj], as për shqiptarët, punon për serbët”.

“Më vjen shumë keq ta them por [Vuçiqi] po e bën punën e vet për Serbinë më mirë seç po e bëjmë ne nga ana tjetër duke u marrë me njëri-tjetrin. Si mund t’i thuhet Hashim Thaçit argat i Beogradit? Mund t’i thuash je gabim, mund t’i thuash je i çmendur. Argat i Beogradit, Hashim Thaçit? Si mund të thuhet kjo? Çfarë fjalie është kjo?”, tha Rama duke i dalë zot Thaçit të cilin e konsideron si sakrifikator në kohën e luftës në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme